Ballina Bota Pakistani bllokon aplikacionin TikTok

Pakistani bllokon aplikacionin TikTok

 

Pakistani njoftoi se ka bllokuar aplikacionin TikTok, i cili është në pronësi të Kinës, për shkak të dështimit në filtrimin e përmbajtjes “jo të moralshme dhe të turpshme”.

Ndalimi vjen pas “ankesave nga segmente të ndryshme të shoqërisë”, tha Autoriteti i Telekomunikacionit në Pakistan (PTA) më 9 tetor.

TikTok ishte paralajmëruar më parë që të filtroj një përmbajtje të tillë, por dështoi të respektojë udhëzimet, tha PTA.

Rregullatori shtoi se do të rishikonte ndalimin e tij, në raste se TikTok zbaton ndonjë mekanizëm që do të pastronte përmbajtjen e paligjshme.

TikTok tha se është i vendosur të respektonte ligjin në tregjet ku ofrohet aplikacioni për shpërndarjen e videove.

“Ne kemi qenë në komunikim të rregullt me PTA dhe vazhdojmë të punojmë me ta. Ne shpresojmë të arrijmë një përfundim që na ndihmon të vazhdojmë t’i shërbejmë komunitetit”, tha kompania.

TikTok, në pronësi të ByteDance me qendër në Kinë, është vënë në vëzhgim në shumë vende të botës ndërsa popullariteti i saj u rrit, përfshirë midis të rinjve pakistanezë, të cilët përbëjnë rreth 70 për qind të popullsisë së vendit konservator.

Usama Khilji, drejtor i grupit pakistanez për të drejtat digjitale Bolo Bhi, e quajti vendimin “një tradhti ndaj normave demokratike dhe të drejtave themelore të garantuara nga kushtetuta”.

Aplikacioni TikTok “përdoret nga miliona njerëz dhe është një burim i të ardhurave për mijëra krijues, veçanërisht ata që vijnë nga qytete dhe fshatra më të vegjël”, tha ai.

Ndalimi i TikTok në Pakistan vjen disa muaj pasi platforma e transmetimit të drejtpërdrejtë me bazë në Singapor, Bigo Live, u bllokua për të njëjtën arsye. Pakistani ka paralajmëruar edhe YouTube për të filtruar “vulgaritetin dhe gjuhën e urrejtjes”.

Nga aktivistët e lirisë së medias dhe të drejtave të njeriut këto masa janë vlerësuar si një përpjekje për të kufizuar rrjedhën e lirë të informacionit në internet.