Qeveria spanjolle ka thënë se dëshiron të ndryshojë ligjin, ashtu që t’iu mundësojë 16 dhe 17-vjeçareve që të kërkojnë abort pa leje prindërore.
Ministrja për Barazi, Irene Montero, ka thënë se gratë kanë të drejtë “të vendosin për trupat e tyre”.
Më 2015, Partia Popullore, që ka qenë në pushtet, ka ndryshuar ligjet për abortin dhe ka kërkuar leje nga prindërit për vajzat e moshave 16 deri në 18 vjeç.
Aborti është proces i ligjshëm në Spanjë në 14 javët e para të shtatzënisë së një gruaje.
Ministrja Montero ka thënë se reforma është “tejet e domosdoshme”.
Ajo ka thënë se do të prezantohen edhe masa tjera, duke përfshirë fokus më të madh në edukim seksual, të cilin e ka përshkruar si “vaksinë” në luftën kundër dhunës në baza gjinore.
Në ndryshimet ligjore do të përfshihej edhe e drejta për “format më të reja” të kontraceptivëve, i ka thënë ministrja një komisioni parlamentar.
Aborti është legalizuar fillimisht në Spanjë më 1985 në rastet e dhunimit apo dëmit fizik të nënës apo fëmijës.
Më vonë ligji është ndryshuar duke përfshirë edhe situata tjera.