Ballina Kulinari Receta e ditës/ Salcë me qiqra

Receta e ditës/ Salcë me qiqra

 

Humusi është një nga salcat më të shijshme në planet, veçanërisht për atë që ia di vlerat.

Në pamje të parë, kjo salcë me ngjyrë bezhë mund të duket e çuditshme por përbërësit e saj e bëjnë krejt të veçantë.

Humusi përgatitet duke përzier qiqra, vaj ulliri, pluhurin e farave të susamit, lëngun e limonit dhe hudhrën.

Në markete dhe dyqane mund të gjeni variante të ndryshme të humusit, por më e mira e të mirave përfitohet duke e përgatitur nga e para në kushtet e shtëpisë.

Çfarë është salca humus?

Kjo salcë është shpikur në Lindjen e Mesme.

Qiqrat janë legume që bëhen shumë kremoze nëse përpunohen në mikser, veçanërisht kur kombinohen me tahinin dhe vajin e ullirit.

Tahini njihet si pluhuri i farave të pjekura të susamit. Lëngu i limonit vendos ekuilibrat e athtësisë ndërsa hudhra shërben për të plotësuar shijen.

Si të përgatisni salcën e humusit në shtëpi

Për përgatitjen e kësaj salce ju nevojiten:

2 filxhan çaji me qiqra të gatshme

3 lugë gjelle me vaj ulliri ekstra të virgjër,

3 lugë gjelle me pluhur susami,

1 lugë e gjysmë gjelle lëng i freskët limoni

1 thelb hudhër i grirë hollë,

1 lugë çaji me kripë,

Gjysmë luge çaji me piper të zi pluhur

Përgatitja:

Qiqrat mund t’i blini në market të paketuara dhe të gatshme për gatim. Mjafton të kulloni lëngun ku janë ruajtur dhe nëse mundeni të hiqni lëkurat nga secila kokërr. Mungesa e lëkurave do e bëjë salcën humus të butë si mëndafshi.

Hidhini qiqrat në mikser dhe shtoni të gjithë përbërësit e tjerë të përmendur më lart. Përzjejini mirë së bashku për rreth 5 minuta deri sa salca të jetë bërë e butë dhe e njëtrajtshme. Përpara se ta hiqni nga mikseri, provojeni salcën nëse ka nevojë për më shumë kripë, vaj apo lëng limoni.

Nëse salca është shumë e trashë, shtoni 2-3 lugë ujë ose lëng qiqrash nga ena e mëparshme. Më pas, humusin hidheni në një enë qelqi dhe servireni me pite të gatshme.