Zëvendës presidenti amerikan, Mike Pence dhe sfiduesja e tij demokrate, senatorja nga Kalifornia, Kamala Harris, do të zhvillojnë më 7 tetor debatin e tyre të parë për pozitën e zëvendës-presidentit, teksa koronavirusi pritet të jetë në qendër të diskutimit.

Me qëllim të rikujtimit të pandemisë, Pence dhe Harris do të qëndrojnë 3.7 metra larg njëri-tjetrit dhe të ndarë me barriera xhami përgjatë debatit 90-minutësh në Utah.

Ky debat vjen derisa presidenti amerikan, Donald Trump ka ndaluar aktivitetet e tij për fushatën presidenciale, pasi ka rezultuar pozitiv në testin për koronavirus javën e kaluar, dhe ka kaluar disa ditë në spital, në më pak se katër javë para zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Pence, si udhëheqës i task-forcës së Shtëpisë së Bardhë për koronavirus, pritet të mbrojë dhe sqarojë përgjigjjen e administratës Trump për virusin, teksa mbi 210,000 persona kanë vdekur në SHBA si pasojë e sëmundjes COVID-19, që shkakton ky virus.

Ndërkohë që Trump vazhdon të minimizojë rrezikun e virusit, Shtëpia e Bardhë po përballet me përhapje të virusit që ka infektuar gati dhjetëra zyrtarë dhe ndihmës, të cilët janë detyruar t’i nënshtrohen karantinës.

Si shembull sesi vetë administrata ka shkelur udhëzimet e veta, burimi i përhapjes së virusit dyshohet se ka qenë një ngjarje e zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë për të nominuar gjyqtaren, Amy Coney Barrett për Gjykatën Supreme.

Shumë mysafirë nuk kanë vendosur maska atë ditë dhe nuk kanë respektuar distancën fizike.

Pence ka qenë me Trumpin dhe të tjerët javën e kaluar kur ata janë infektuar me virus.

Nënpresidenti amerikan ka rezultuar vazhdimisht negativ në virus, por megjithatë ende qarkullojnë pyetje nëse ai duhet të jetë pjesë e debatit.

Pence pritet të largojë vëmendjen nga pandemia dhe të fokusohet në ekonomi dhe çështje shoqërore, dhe atë që Partia Republikane i referohet si “e majta radikale”.

Për senatoren Harris, debati është mundësi për të sqaruar se si i nominuari i demokratëve për president, Joe Biden do të stabilizojë Shtetet e Bashkuara, sidomos kur është fjala për pandeminë, padrejtësisë sociale dhe zbatimin e ligjit.

Të dy kandidatët do të duhet t’iu tregojnë votuesve se ata do të mund të marrin përsipër detyrën e presidentit në rast se të zgjedhurit për këtë pozitë nuk janë të aftë më ose vdesin.

Ndërkohë që pandemia godet kryesisht popullatën më të moshuar, ka dilema se kjo gjë do të mbetet në mendjen e votuesve.

Trump, që aktualisht po lufton virusin është 74-vjeçar, derisa Biden 77-vjeçar, do të kthehej në presidentin më të vjetër të zgjedhur në SHBA.

Pas debatit të parë të zhvilluar ditë më parë, Trump dhe Biden është planifikuar të zhvillojnë debatin e dytë më 15 tetor në Florida.

Mirëpo meqë Trump mund të jetë ende i infektuar me këtë virus, është e paqartë nëse debati do të anulohet apo shtyhet.

Sondazhet tregojnë se Trump është mbrapa Bidenit për 9 për qind, ndërkohë që ish-nënpresidenti amerikan ka fituar 2 për qind më shumë përkrahje prej debatit të 29 shtatorit.