Çmimi Nobel për Mjekësi i vitit 2020 iu dha shkencëtarëve Harvey J. Alter dhe Charles M. Rice nga Shtetet e Bashkuara dhe Michael Houghton të Britanisë për “zbulimet e tyre thelbësore” në identifikimin e virusit të Hepatitit C.

Të tre shkencëtarët “kanë dhënë një kontribut themelor në luftën kundër hepatitit të transmetuar nga gjaku, një problem i madh global shëndetësor që shkakton cerozën dhe kancerin e mëlçisë”, u shpreh komisioni Nobel në një deklaratë.

Përparimet shkencore në sajë të tyre, kanë ndihmuar për gjetjen e mënyrave të reja të trajtimit dhe shërimit të Hepatitit C.

“Zbulimi i virusit që shkakton Hepatin C bëri të mundur identifikimin e rasteve të mbetura të hepatitit kronik” pas zbulimit të viruseve të Hepatitit A dhe B, “çka solli si rezultat analizat e gjakut dhe ilaçe të reja që kanë shpëtuar miliona jetë”, thuhet në deklaratë.

I lindur në vitin 1935 në New York, Harvey Alter u diplomua në fakultetin e mjekësisë të Universitetit Rochester. Dr. Alter punoi për një kohë të gjatë në Institutet Kombëtare të Shëndetit në Shtetet e Bashkuara.

Michael Houghton lindi në Britani në vitet 1950. Ai mori doktoraturën në virologji në Kolegjin King të Londrës. Dr. Houghton aktualisht është Kreu i Virologjisë në Universitetin e Albertës, midis titujve dhe vlerësimeve të tjera.

Lindur në 1952 në Sakramento të Kalifornisë, Charles Rice mori doktoraturën në 1981 nga Instituti i Teknologjisë në Kaliforni. Ai gjithashtu ka punuar në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Uashingtonit si studiues dhe profesor. Ai u bë profesor në Universitetin Rockefeller në Nju Jork dhe nga 2001 në 2018 ishte drejtori shkencor dhe ekzekutiv i Qendrës për Studimin e Hepatitit C. Dr. Rajs vazhdon të kontribuojë në këtë universitet.

Çmimi Nobel i këtij viti në Mjekësi është i 111-ti në këtë kategori, që është dhënë që nga viti 1901.

Fituesit do të ndajnë në mënyrë të barabartë shpërblimin prej 1,1 milionë dollarësh.

Çmimet Nobel për fizikën, kiminë, letërsinë dhe për paqen do të shpallen gjithashtu këtë javë. Çmimi për shkencat ekonomike do të shpallet të hënën e ardhshme.