Sanksione kundër Bjellorusisë, kërcënime kundër Turqisë, sovranitet digjital: Me vendimet mbi këto çështje të rëndësishme aktuale, BE kërkon që të luajë rolin e vet në botë dhe të forcojë politikën e saj të jashtme.

Reagimet e të prekurve nga sanksionet e BE të premten ishin të menjëhershme; Presidenti bjellorus, Aleksander Lukashenko deklaroi, se ai do të vendosë menjëherë kundërsanksione. Krerët e qeverive dhe shteteve të BE në samitin e BE në Bruksel ranë dakord, që të vendosin sanksione për më shumë se 40 mbështetës të presidentit bjellorus si ndalime udhëtimi e sanksione ekonomike. Me këtë synohet të mbështetet opozita për të përsëritur zgjedhjet që duket qartë, se janë manipuluar. Qeveria ruse që e mbështet pushtetmbajtësin bjellorus, deklaroi në Moskë, se nuk i mbështet sanksionet. “Kjo është më shumë një shenjë dobësie se force”, tha një zëdhënës i Kremlinit.

Në të njëjtë kohë BE vendosi të kërcënojë Turqinë me sanksione, në rast se në grindjen për rezervat e gazit në pjesën lindore të Detit Mesdhe nuk ndërron qëndrim. Qiproja dhe Greqia që ngrenë pretendime për rezervat e gazit në Mesdhe e akuzojnë Turqinë për shkelje të ligjit dhe kishin këmbëngulur për një paketë sanksionesh si kundër Bjellorusisë edhe Turqisë. Për shkak se në çështje të tilla kërkohet vendim unanim, Qiproja arriti t’i shtyjë vendimet për Bjellorusinë. Në fund presidentja e radhës së BE, kancelarja Merkel ia doli të bëjë një ekuilibrim interesash brenda BE. Ajo ndërmjetësoi një procedurë sheshimi të grindjes mes Greqisë, Qipros dhe Turqisë, në mënyrë që të dyja vendet anëtare të BE të ishin dakord me kërcënimin për sanksione.

“Marrëdhënie të arsyeshme me Turqinë”

Në samitin tjetër të BE në dhjetor do të duhet të verifikohet, nëse ky ekuilibër me Turqinë është arritur dhe nëse duhen vendosur vërtet masa ndëshkuese. Kancelarja e lëvdoi kompromisin si „progres të madh”. Ajo pranoi, se bisedimet mes krerëve të qeverive dhe shteteve të BE kishin qenë shumë të vështira. « Por në fund arritëm të përmblidheshin dhe të tregonim rezultate ». Përveç kësaj është e rëndësishme një marrëdhënie e arsyshme me Turqinë, ajo mbetet një partner i rëndësishëm, tha ajo. Ministria e Jashtme e Turqisë i cilësoi vendimet e Brukselit “si jo konstruktive” dhe të “shkëputura nga realiteti”. Por nga Ankaraja thuhet, se gjuha e vendimeve të Brukselit ka edhe „elemente positive”. ” Lidhur me kritikën që erdhi nga Ankaraja, Merkel tha në fund të takimit se “nuk bëj pjesë tek njerëzit, që çdo fjalë e vendosin në peshore”.

Belgien Brüssel | EU-Gipfeltreffen - Angela Merkel (Johanna Geron/Reuters)

Vështrimi drejt Kinës

Vendimet për sanksione ishin vetëm një pjesë e debatit për “pavarësi strategjike” të BE, të cilin krerët e BE e kanë zhvilluar që në samitin e verës. Presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron kërkojnë prej kohësh “një rol më të madh të BE në skenën botërore”, sidomos edhe për shkak të mungesës apo largimit të aleatit të deritanishëm transatlantik, SHBA nga ujditë ndërkombëtare.

SHBA nuk përmendet në vendimet e samitit, por Kina. Me diktaturën komuniste, BE dëshiron nga njëra anë të bashkëpunojë më shumë, për të luftuar kriza globale si pandemia e Coronës apo ngrohjen globale. Nga ana tjetër BE kërkon të ndikojë më fort që Kina të respektojë të drejtat e njeriut. BE e quan “shumë shqetësuese” gjendjen në Hong Kong, ku shtypen protestat nga qeveria e komanduar nga Kina. BE kërkon po ashtu një marrëveshje të drejtë strategjike, që firmave europiane u lejon të njëjtën qasje në tregun kinez, si firmat kineze në BE. Një video konferencë e presidenti kinez, Xi Jinping, presidentit të Këshillit të BE, Charles Michel, presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe kancelares Merkel solli shumë pak progres.

“Sovranitet digjital”

Në pavarësinë strategjike BE nënkupton edhe më shumë autonomi ekonomike, veçanërisht nga Kina dhe SHBA. Kështu krerët e shteteve dhe qeverive të BE mbështesin propozimin e Komisionit Europian që në të ardhmen të dhënat europiane të memorizohen dhe përpunohen në “cloud”e europianë dhe të jenë të pavarur nga serverat në SHBA apo Kinë. Teknologjitë kyçe si rrjeti 5G do duhet të prodhohen më shumë në shtetet europiane.

Brüssel EU Sondergipfel (Dursun Aydemir/AA/picture-alliance)

“Ne duam të jemi sovranë në aspektin digjital”, tha kancelarja Merkel në fund të samitit. Edhe bateritë për elektromotorët e automjeteve do duhet në të ardhmen të prodhohen në Europë. Ilaçe të rëndësishme do të prodhohen gjithashtu me shumicë ne BE. Për këtë vendet e BE miratuan deklarata përkatëse. Në të njëjtën kohë synohet të forcohet tregu europian që ka pësuar lëkundje përmes mbylljeve kufitare nga vende të caktuara. Sipas kryenegociatorit Michel Barnier britanikët përpiqen të dëmtojnë tregun e brendshëm europian në negociatat e marrëveshjes post-Brexit. Ata duan avantazhe, por jo të pranojnë rregullat. Prandaj negociatat me Britaninë e Madhe për marrëdhëniet pas largimit të Britanisë së Madhe nga BE janë në vendnumëro. Me pasojat e Brexitit, BE do të marret në samitin e ardhshëm pas dy javësh./DW