Ballina Aktualitet SHBA mbështet përfshirjen e Maqedonisë së Veriut në korridorin energjitik me Greqinë

SHBA mbështet përfshirjen e Maqedonisë së Veriut në korridorin energjitik me Greqinë

 

Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për çështjet e Energjisë, Francic Fannon dhe kryeministri maqedonas Zoran Zaev njoftuan të premten në Shkup për një lidhje energjitike mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë për furnizimin me gaz jo vetëm të Maqedonisë së Veriut por edhe të rajonit.

Zyrtari amerikan tha se kishte vizituar një pjesë të gazsjellësit midis Greqisë dhe Bullgarisë që përmes Bullgarisë do ta sjellë gazin në Maqedoninë e Veriut. Ai shprehu kënaqasinë për interesimin e Shkupit për t’u lidhur me rrjetin e Aleksandropolisit ku gazi vjen nga Azerbajxhani.

Sa herë që shikojmë alternativa për energji – kjo ka efekt për ujen e çmimeve dhe ndihmën ndaj konsumatorëve”, tha ai. Zoti Fannon theksoi kapacitetin e Maqedonisë së Veriut për integrimin e energjisë së ripërtëritshme dhe zhvillimin e saj me gazin.

Ai tha se në rajon ka një furnizues të vetëm të energjisë dhe se Shtetet e Bashkuara duan që të krijohet një treg energjitik në rajon. Por ai shtoi se që kjo të bëhet realitet, duhet vullnet politik.

“Lidhje të tilla të vendeve më të vogla me kërkesë më të ulët në një treg më të madh që mund t’u japin hov mundësive të investimeve, do të bëjnë të mundur një përparim transformues ekonomik për vendin dhe për të gjithë rajonin”, tha zyrtari i lartë amerikan.

Kryeministri Zoran Zaev tha se me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara si partner strategjik dhe aleat në NATO, Maqedonia e Veriut do të bëjë hapa të shpejtë dhe do të ndërmarrë projekte me rëndësi të veçantë për vendin dhe për rajonin.

Zoti Zaev shtoi se vizita e ndihmës-Sekretarin amerikan Fannon është rezultat i vizitës së tij para dy javësh në Athinë dhe i pjesëmarrjes së zyrtarëve qeveritarë maqedonas në konferencën për siguri energjetike në Selanik, në të cilën foli Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Zaev tha se Maqedonia e Veriut nga një shtet që ishte i izoluar, sot po integrohet në projekte energjitike që hapin perspektiva për zhvillim të shpejtë ekonomik. Zaev bëri të ditur se vendi i tij do të investojë mbi 54 milion euro për interkonjektorin me Greqinë.

Qeveria në Shkup shpreson për rivënien në funksion të naftësjellësit Selanik-Shkup të ndërtuar në vitin 2000. Në atë rast, do të bëhej furnizimi me naftë dhe përpunimet e saj edhe për vendet tjera të rajonit. Kompania greke Helenic Petroleum, siç la të kuptohet z. Zaev, është e interesuar për rivendosjen në funksion të këtij kapaciteti. Kompania ndërpreu aktivitetin në vendin fqinj në vitin 2013 pas shkallëzimit të retorikave ndërqeveritare lidhur me problemin rreth emrit të Maqedonisë.

Një lidhje e Maqedonisë së Veriut me burimet energjetike nga Greqia fqinje do ta bënte vendin e vogël ballkanik një korridor energjitik për Evropën Juglindore.