Nga Jusuf BUXHOVI
Në takimin e Uashingtonit të katër shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, të kryetarit amerikan Tramf me presidentin e Serbisë A. Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës A. Hoti, një letër zotimesh, e diktuar nga Uashingtoni, e nënshkruar veç e veç, u shpall “marrëveshje”. Madje u quajt edhe historike. Dhe, mbi këtë diskurs, u ndërtuan deklarata qeveritare , analiza dhe komente diplomatike dhe mediale, që u përhapen me të madhe nga të katër anët deri te nivelet më të larta qeveritare dhe akademike, mbi të cilat pastaj u ndërtuan rrëfime të ndryshme, ndër më kontradiktorët, që nuk i përshtaten realiteti as diplomatik e as politik.
Por, po qe se e gjitha i nënshtrohet një përqasje sado të lehtë nga këndvështrimi i një analize qoftë edhe publicistike të mbështetur mbi dokumentet e këtij takimi, del se në Uashington kishte një ngjarje të rëndësishme politike e përcjellë me marketing të madh, por nuk kishte marrëveshje bilaterale, as trelaterale dhe kurrëfare. Nënshkrimet e presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës, ishin të natyrës së zotimeve qeveritare,gjë që, nuk u nënshtrohen ratifikimeve parlamentare, dhe si të tilla, mbesin formale dhe nën vullnetin e rrethanave politike.
Natyrisht se letra zotuese e nënshkruar nga Vuçiqi dhe Hoti përballë letrës së presidentit Amerikan, së paku formalisht, ka një rëndësi të madhe për Kosovën, ngaqë e gjitha ndodhi në Shtëpinë e Bardhë dhe në praninë e presidentit amerikan, me ç’rast, ata nën firmen shtetërore (formalisht) u trajtuan të barabartë. Kjo përmirëson dukshëm imazhin e rrënuar të Kosovës kohëve të fundit në botë të shkaktuar nga sjellja e papërgjegjshme e asaj klase politike, e cila, siç u pa, nga tuxharë të shantazhuar shumanshëm, ishin të gatshëm që për hesape të pista të hynin edhe në marrëveshje që mund ta rrënonin subjektivitetin e saj shtetëror, paçka se kjo, si u pa, nuk do të lejohej nga SHBA-të, që konsiderohen sponsoruesit kryesor të shtetit të Kosovës.
Po ashtu, edhe zotimet e marra në këtë letër,sado formale, (ndonëse disa prej tyre tejkalojnë fare raportet midis dy vendeve), kanë një peshë të veçantë, ngaqë vinë nga një qendër e fuqishme, ku sot përcaktohet gjeostrategjia dhe gjeopolitika botërore me çka të dy shtetet (Serbia dhe Kosova) shfaqen të rëndësishme njësoj, e ku përfshirja e tyre në integrimet veri-atlantike luan një rol të veçantë.
Pa hy te aspektet tjera që sjell ky takim si dhe sinjalet që prej andej ka marrë Serbia dhe Kosova, po edhe BE dhe Rusia, megjithatë, është mirë që opinionit t’i shpjegohet e vërteta e këtij takimi, në mënyrë që gjuha e marketingut të caktuar politik, që po shfrytëzohet me të madhe në të gjitha nivelet, të zëvendësohet me atë të fakticitetit, në mënyrë që pragmatizmi politik ta zëvendësojë gjuhën spekulative dhe atë të manipulimeve ndër më të ndryshmet. Kjo vlen, veçmas për mediumet dhe faktorët tjetër të pranishëm në atë spektakët, që angazhimi i Uashingtonit të vlerësohet drejt, ndërsa zotimet e marra atje, të trajtohen në përputhje me realitetet që nuk mund të fshihen.