Vlerë kulturore-historike bëhet çdo vepër objekt, i cili ruan në vetvete kujtimin për të kaluarën e cila do të ishte e rëndomtë sikur të mos ndodhnin ngjarje të rëndësishme që i kanë dhënë vulë kohës. Në vendet e zhvilluara evropiane, vënia në mbrojtje dhe restaurimi i monumenteve të kulturës, e cila shfaqet qysh në fillimet e shek. XIX, është alfa dhe omega e një veprimtarie sistematike kushtuar memorimit të kulturës materiale e shpirtërore të një populli.

Nga Mehmet PRISHTINA

Janë të rralla objektet historike të cilat i mbijetojnë dhëmbit të kohës, ndaj është shumë e qenësishme ta dimë sa e kemi si shoqëri dhe si shtet të zhvilluar sensin e kujdesit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore-historike.Në vendet e zhvilluara evropiane, vënia në mbrojtje dhe restaurimi i monumenteve të kulturës, e cila shfaqet qysh në fillimet e shek. XIX, është alfa dhe omega e një veprimtarie sistematike kushtuar memorimit të kulturës materiale e shpirtërore të një populli.
Është më se e qartë se restaurimi i objekteve të trashëgimisë kulturore nuk mund të jetë barrë e iniciativave private të njerëzve vullnetmirë. Kjo veprimtari parasëgjithash bëhet kryesisht nga institucione shtetërore të specializuara dhe nga personat fizikë ose juridikë të liçensuar, të cilët kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit të restauratorit për restaurime specifike në fushën e trashëgimisë kulturore-historike.
Në aspektin e vlerave, trashëgimia jonë kulturore përbëhet nga vlera materiale dhe jomateriale, të cilat në vetvete janë pjesë e pasurisë kombëtare. Vlerat materiale të trashëgimisë kulturore , konsiderohen të paluajtshme dhe të luajtshme.
Në objekte të trashëgimisë kulturore të paluajtshme përfshihen: Qendra, zona dhe rajone, të banuara ose të pabanuara, me vlerë arkeologjike, historike, etnologjike, arkitektonike dhe inxhinierike. Si të tilla vlerësohen edhe objektet e kësaj natyre në gjendje rrënoje me vjetërsi mbi 100-vjeçare. Ansamble urbane, arkitekturore dhe historike, ndërtime ose konstruksione ndërtimore me vlera të veçanta. Të tilla janë objektet e kësaj natyre në gjendje rrënoje, me vjetërsi mbi 100-vjeçare.
Ndërkaq në objekte të trashëgimisë kulturore të luajtshme përfshihen: Objekte, pjesë ose elementë të objekteve si: mozaikë, kolana, kapitele, skulptura, piktura murale, ikona, ikonostase, tavane karakteristike, mbishkrime, gurë varresh, me vjetërsi mbi 100-vjeçare, materiali i lëvizshëm arkeologjik, krijimet artistike të të gjitha llojeve dhe gjinive. Këtu nuk përfshihen krijimet e autorëve të gjallë. Pastaj vijnë dokumentet arkivore me rëndësi historike kombëtare, dorëshkrimet dhe botimet, librat dhe periodikët me vlera të veçanta, historike dhe bibliografike ,koleksionet e ndryshme filatelike, numizmatike të artit, me vjetërsi mbi 25 vjeçare, pajisjet tradicionale pune, mjeshtërie dhe jetese, mekanizmat, makineritë ose objekte të përdorimit të përditshëm ose ceremonial, me vlera artizanale, etnografike ose historike, objektet e prodhuara në mënyrë artizanale, me vjetërsi mbi 50-vjeçare dhe objektet e fabrikuara me vjetërsi mbi 75-vjeçare, armët e ftohta dhe të zjarrit.
Kujtesa e vrarë shërohet përmes restaurimit
Vënia në mbrojtje dhe restaurimi i monumenteve të kulturës në vendet e zhvilluara evropiane është veprimtari sistematike, e cila shfaqet qysh në fillimet e shek. XIX. Kjo ka qenë e shoqëruar natyrshëm edhe me legjislacion përkatës për mbrojtjen e tyre si dhe me përkujdesjet e vazhdueshme restauruese.
Në trojet shqiptare, kjo traditë është më e vonshme dhe kryesisht fillon më vonë, pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912, ku edhe e ka zanafillën e vet me sensibilizimin që bëri shteti shqiptar në rimëkëmbjen kulturore dhe rikthimin e kujtesës së vrarë ndër shekuj. Vlerësimi profesional dhe juridik i trashëgimisë kulturore të paluajtshme në Shqipëri është dukuri e pas Luftës së Dytë Botërore, ndërkohë që edhe në Kosovë, kjo veprimtari u institucionalizua në të njëjtën periudhë kohore, por fillimisht përmes institucioneve muzeale historike në Beograd, që mbulonin edhe territorin e Kosovës.
Nga vet termi i termi restaurim që vjen vjen prej fjalës latine restaurare, nënkuptojmë se bëhet fjalë për riparim, ndreqje, risjellje në gjendje të mirë, të përdorueshme një objekt të veprimtarisë së dikurshme historike. Ndërkaq, shikuar në dioptrinë historike, monumenti si kuptim dhe nocion përfshin një krijim arkitektonik të veçuar, që bart dëshmi të një periudhe të caktuar që lidhet me ndonjë ngjarje historike, por edhe një qytetërim të veçantë.
Vlerë kulturore-historike bëhet çdo vepër objekt, i cili ruan në vetvete kujtimin për të kaluarën e cila do të ishte e rëndomtë sikur të mos ndodhnin ngjarje të rëndësishme që i kanë dhënë vulë kohës.
Në hapësirën shqiptare ka plot objekte të tilla, të cilat para se të zhvilloheshin takime e ngjarje të rëndësishme, sigurisht kanë qenë ngrehina të zakonshme, mirëpo tani kur kujtojmë, bie fjala, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, Kuvendin e Junikut, Konferencën e Bujanit, shtëpinë e Jasharajve në Prekaz, shpalljen e Kushtetutës së Kosovës në Kaçanik, shtabin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atëherë rëndësi e këtyre objekteve merr një konotacion tjetër, sepse ato shënojnë historinë dhe janë dëshmitar të gjallë të ngjarjeve që më vonë kanë bërë kthesa të mëdha në rrjedhat e kohës.
Restaurimi,sipas Kartës së Venecias, ka për qëllim të ruajë dhe të nxjerrë në pah vlerat estetike dhe historike të monumentit dhe bazohet mbi respektin e substancës së vjetër dhe të dokumentit autentik.
Tani shtrohet pyetja fundamentale: Sa po punohet që në hapësirën shqiptare të nxirren nga pluhuri i harresës ato objekte e që i kanë shërbyer kauzës kombëtare si mjete për të arritur qëllimet sublime.
Shtëpia e Vaso Pashës dhe Luigj Gurakuqit në gjendje të mjerë!
Kur jemi te kjo çështje, duhet të nënvizojmë se disa punë kanë filluar të bëhen, por ende ka shumë objekte që meritojnë vëmendjen e institucioneve.
Tash së fundmi shtëpia e Homerit shqiptar, At Gjergj Fishta, ku ai jetoi për pak kohë, në Fishtë, është drejt përfundimit. Siç merret vesh punimet restauruese po i përmbahen konfiguracionit origjinal të ndërtesës, në të gjithë elementët e saj, në dyer, dritare, dysheme, tavane druri, shkallë, parmakë, çati.Por ky është vetëm një stacion i jetës së Fishtës, pasi që institucionet shqiptare kanë premtuar se do të vijohet me punëtë tjera, që përbëjnë atë që është quajtur “Itinerari Fishtian”, një rrugëtim fizik dhe shpirtëror në jetën e një prej njerëzve më të mëdhenj të letrave shqipe.
Gjithashtu, edhe një objekt tjetër i rëndësisë së posaçme i ëshë nënshtruar restaurimit. Në prag te 100 vjetorit te Shpalljes se Pavarësisë sëShqipërisë, ne qytetin e Shkodrës kishin nisur puna për restaurimin e shtëpisë ku, në vitin 1918, u themelua dhe zhvilloi veprimtarinë e tij “Komiteti për Mbrojtjen Kombëtare te Kosovës”.

Në mesin e objekteve që meritojnë vëmendjen e institucioneve, është edhe shtëpia e Vaso Pashës, një përfaqësues i spikatur i Rinlindjes Kombëtare Shqiptare, ish-guvernator i Libanit. Kjo shtëpi ka nevojë për ndërhyrjen e shtetit dhe të restaurohet, sepse ashtu siç e pamë ditën kur e vizituam, nuk e meriton të jetë në atë gjendje. Këtë na e dëshmoi madje edhe Raimonda Nikolli Vasa , një zonje e moshuar e cila jetonte vetëm në atë shtëpi me plotë histori, cila kishte shumë ankesa rreth kujdesit institucional!

Gjithashtu edhe shtëpia e Luigj Gurakuqit ishte aq më keq pasi aty ishte ndërtuar një shtëpi e re private në pronën e tij nga disa të afërm të tij dhe kjo dëshmon se ende objektet me vlerë historike nuk janë evidentuar nga shteti në mënyrë që ato pastaj të restaurohen dhe të mbrohen me ligj.

Një punë me rëndësi jetike, që i paraprin restaurimit, është evidentimi i objekteve e vendndodhjeve të ngjarjeve të rëndësishme. Vetëm pas kompletimit të një regjistri të plotë të objekteve që do të hynin në kategorinë e rëndësisë së veçantë, mund të filloi procesi i restaurimit i cili nuk guxon t’i ikë origjinalit dhe ruajtjes së frymës autentike.
Në anën tjetër, ka shumë figura e objekte historike që ende nuk kanë hyrë nën mbrojtjen e shtetit, duke u cilësuar si aset kombëtar. Adem Jashari, bie fjala, është figura më emblematike, e cila kërkon një status të posaçëm në mënyrë që emri dhe lavdia e këtij heroi të mos keqpërdoret për nevoja të politikës së ditës, por edhe për përdorim vend e pa vend. Për rrjedhojë, gjithçka që do të emërtohej me emrin e kësaj figure do të duhej t’i nënshtrohet një gjykimi kritik nga ekspertë të arkitekturës, estetikës, urbanistikë, historisë, politologjisë e kulturologjisë.

Prishtinë, 25 shtator 2020