dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha të premten mbrëma se “për shkak të masave të kujdesit përballë situatës me COVID19”, takimi i shefave të ekipeve negociuese të Kosovës dhe Serbisë i përcaktuar për të hënën në Bruksel, është shtyrë.
Një ditë më parë ai tha se më 28 shtator palët do të vazhdojnë diskutimet për çështjen e pronave dhe ato financiare, ndërsa theksoi se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “nuk do të jetë në rendin e ditës meqë njëra palë nuk është ende e gatshme për të diskutuar. Por kjo duhet të trajtohet si pjesë e Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse siç është rënë dakord në takimet e udhëheqësve”, shkroi ai.
Mospajtimet për rendin e ditës kishin bërë që të anulohen planet për një takim të hënën në nivelin më të lartë politik.
Serbia kërkon që në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian të diskutohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Por, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, hodhi poshtë çdo mundësi për të diskutuar për këtë çështje.
Bisedimet Kosovë – Serbi, të hënën në nivel ekspertësh
“Kjo temë nuk diskutohet sepse është e mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013 dhe pastaj marrëveshja tjetër e parimeve e 2015 që në fakt e përmirëson marrëveshjen e vitit 2013. Pra, kjo nuk është temë që hapet në procesin e dialogut”, tha ai të enjten.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha ndërkaq se se Serbia është e gatshme për bisedime, por sipas tij Asociacioni i komunave serbe është temë e pashmangshme dhe se Beogradi do të ngulë këmbë për këtë çështje.
Serbia kërkon që ky mekanizëm të krijohet sipas marrëveshjes së arritur në vitin 2015, që parasheh përgjegjësi të gjera në disa fusha, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur shkelje të shumta në marrëveshje dhe sipas opinionit të saj, asociacioni mund të krijohet vetëm sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Serbia kërkon ndryshime në Kushtetutën e Kosovës për të mundësuar kalimin e më shumë përgjegjësive ekzekutive tek asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Por, Kosova kundërshton çdo ndryshim që do t’i jepte përgjegjësi ekzekutive një asociacioni të tillë.
Në fillim të këtij muaji, Kosova e Serbia nënshkruan një dakordim në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, ndërsa çështjet politike kanë mbetur në duart e Brukselit, zyrtarë të të cilit thanë se presin vazhdimin e bisedimeve por pa saktësuar se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.