Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dekoroi të hënën mbrëma me Medaljen Presidenciale të Meritave, ambasadorin Richard Grenell, në nderim të kontributit të jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara për dakordimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë do sjellë paqe, stabiliteti ekonomik dhe jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe rajonit”, tha presidenti Thaçi.
Ai falënderoi presidentin amerikan, Donald Trump, për angazhimin në arritjen e marrëveshjes ndërsa nënvizoi se “kjo marrëveshje u bë e mundshme në Shtëpinë e Bardhë dhe ne besojmë fuqishëm se përsëri SHBA-të mund të arrijë marrëveshjen finale politike për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”.
Zoti Grenell mbërriti të hënën në mbrëmje në Prishtinë si pjesë e një delegacioni, që drejtohet nga shefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar, Adam Boehler dhe shefja e Bankës për Eksport-Import, Kimberly Reed, pas ditë pas dakordimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin ekonomik.
Zoti Boehler dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila, siç thuhet, garanton zbatimin e projekteve që dalin nga dakordimi i 4 shtatorit.
Më pas ambasadori Grenell tha se kjo vizitë është dëshmi e përkushtimit amerikan për marrëveshjen e nënshkruar në Washington.
“Erdhëm ta dëshmojmë përkushtimin rreth marrëveshjes për normalizimin ekonomik. E dimë se Kosovës i janë bërë premtime në të kaluarën dhe duam të zotohemi se do të vazhdojmë me zbatimin e marrëveshjes”, tha ai.
“Ne nuk duam fjalë boshe, ne duam t’u tregojmë qytetarëve të Kosovës se cilët janë aleatët më të mëdhenj, se ne qëndrojmë me ju dhe mund të ecim përpara me zhvillimin ekonomik”, tha ambasadori Grenell, duke theksuar se zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës për të rinjtë do të ndryshojnë peizazhin politik të rajonit.
“Presidenti Trump që nga fillimi më ka thënë që të vijë të gjejë një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që mbështetet ne krijimin e vendeve të punës dhe jo diskutime politike. Simbolizmat janë të rëndësishëm, por nuk mund ta paguajnë qiranë tuaj, nuk mund ta ushqejnë familjen tuaj dhe nuk japin shumë shpresë”, tha zoti Grenell, duke nënvizuar se presidenti Trump “është vërtet krenar për këtë marrëveshje historike dhe të mos gabohemi ne nuk do të ishim këtu pa presidentin Trump…nëse nuk do të thoshte presidenti Trump që të bëjmë diçka ndryshe për rajonin, të shkojmë të bëjmë diçka ndryshe për qytetarët. Pasi që marrëveshja u nënshkrua, përsëri presidenti Trump na tha në Zyrën Ovale që të vijmë ta zbatojmë. Nuk janë vetëm fjalë, ai është president i veprimeve”, tha ambasadori Grenell.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se prania e delegacionit amerikan “tregon vendosmërinë edhe seriozitetin e presidentit Trump, të administratës së tij, të ambasadorit, të gjithëve bashkëpunëtorëve të tij për zbatimin e një marrëveshje që po cilësohet me plotë të drejtë, marrëveshje historike, hap tepër i madh drejt finalizimit të marrëveshjes finale në mes dy vendeve. Kishim një bisedë të gjerë, të detajizuar për të gjitha pikat e marrëveshjes, e them me kënaqësi dhe e kam për nder ta them se do të lëvizim shpejt në zbatimin e kësaj marrëveshje, pra është krijuar një momentum i ri ekonomik në Kosovë dhe rajon edhe bashkë me këtë momentum të ri ekonomik besoj që do të lëvizim përpara edhe në pjesën e normalizimit të marrëdhënieve politike”.
Ai tha se marrëveshja do të krijojë mijëra vende të reja pune dhe do ta shndërrojë Kosovën dhe rajonin në një regjion më të integruar në aspektin të infrastrukturës dhe zhvillimit ekonomik.
Zoti Boehler, tha ndërkaq se deklarata e nënshkruar sonte është zotim për të përshpejtuar investimet në Kosovë. “Ne kemi qenë duke punuar në përgatitjet për mundësitë e asaj që ndodhi disa javë më parë, kemi punuar me ambasadën tonë, me ambasadorin tonë dhe kemi projekte në vlerë deri në 1 miliard dollarë dhe këtu përfshihet, autostrada e Paqes, hekurudha, gazi natyror. Po ashtu kemi biseduar edhe për mundësinë e investimit në një resort të skijimit dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për bizneset e vogla dhe të mesme”, tha ai.
Analisti Ilir Ibrahimi thotë për Zërin e Amerikës se vizita e zyrtarëve amerikanë tregon përkushtimin e administratës së presidentit Trump për të jetësuar atë dakordim.
“Kjo duhet përshëndetur, ende ka pakënaqësi se çfarë marrëveshje do të nënshkruhet sot mirëpo nëse i shohim ato që janë marrë përsipër nga pala kosovare në Washington shihet se do të ketë investime në infrastrukturë kryesisht, të cilat do të mundësojnë një zhvillim më të madh ekonomik e cila do ta afronte rajonin më tepër dhe që do të çonte edhe deri te ulja e mosmarrëveshjeve ndërmjet popujve në rajon e sidomos në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.
Zoti Ibrahimi thotë se synimi përfundimtar i administratës amerikane mbetet një marrëveshje politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ne e dime që presidenti Trump ka dërguar dy letra ku si rezultat i marrëveshjes finale në mes të Kosovës dhe Serbisë ai e sheh njohjen e ndërsjellë, kjo është edhe kërkesa që e ka pala kosovare në çdo takim publikisht po besoj edhe privatisht në takime. Unë besoj që kjo qasje që ka marr administrata do të çojë atje. Nëse rajoni ka një prosperitet ekonomik, nëse ka infrastrukturë që do të bëj të mundshme lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave dhe ku do të shihet një prosperitet për të ardhmen e dy popujve atëherë nuk e shoh të pamundur që edhe këto mosmarrëveshje politike të tejkalohen”, tha zoti Ibrahimi.
Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, thotë se çdo investim në infrastrukturë është i mirëseardhur sepse e lehtëson lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave. Mirëpo ai thotë se problemet kryesore mbeten ato të barrierave jotarifore.
“Paralelisht me ndërtimin e rrugës duhet të zgjidhen edhe këto probleme sepse nuk ka logjikë ne të investojmë miliarda në një rrugë ku qytetarët apo bizneset hezitojnë me shfrytëzu atë rrugë për shkak të politikës së shtetit serb është e paparashikueshme ndaj Kosovës”, tha ai.
Zoti Panxha thotë se një mundësi e mirë për qasje në financa për prodhuesit e Kosovës do të jetë edhe përfshirja e Korporatës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar në rajon.
“Kompanitë prodhuese kanë nevojë për qasje në financa. Kushtet se si do t’i financojnë kompanitë tona ende janë në fazën fillestare dhe nuk e dimë saktësisht se cila do të jetë qasja e tyre por ardhja e DFC në Kosovë është lajm i mirë, unë besoj që do të rritet investimi i kësaj organizate amerikane si në energji, në prodhim dhe në sektorë të cilat ata i kanë definu. Sa shpejt do të ndodh kjo nuk e kemi ende të qartë se kur do të operacionalizohet besoj që pas takimit të sodit shumë përgjigje do t’i kuptojmë”, tha zoti Panxha.
Korporata Ndërkombëtare e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar dhe Banka për Eksport-Import, nënshkruan javën e kaluar letrat e interesit me Kosovën dhe Serbinë, për të ndihmuar financimin e Autostradës së Paqes, ndërmjet të dyja vendeve.