Qeveria turke mbetet e vendosur në qëndrimin ndaj Greqisë në lidhje me konfliktit në ishullin Kastelorizo. Kjo edhe pas tërheqjes së anijeve në bazë. Përmes një postimi në Twitter, këshilltari i Presidentit Erdogan, Ibrahim Kalin theksoi se Greqia dhe BE nuk duhet të humbin shansin e negociatave me Turqinë. Kalin me tone të ashpra ka deklaruar se Turqia është në pozicionin që të kushtëzojë palët përmes forcës dhe diplomacisë dhe Greqia apo BE duhet ta dinë këtë.

Kalin shkroi në Twitter:

Turqia me Presidentin Erdogan është në pozicionin që të mbrojë interesat e saj si me forcë ashtu edhe me diplomaci. As BE dhe as Greqia nuk duhet të humbasin shansin e negociatave. Greqia dhe vendet e BE nuk duhet të humbin mundësinë e dhënë për diplomaci dhe të ndërmarrin hapat përkatës. Zgjidhjet paqësore të problemeve janë të mundshme në Mesdheun Lindor. Qasjet e bazuara në barazi, përfshirëse dhe racionale do të japin një kontribut konstruktiv.

Turqia tërhoqi anijen “Oruç Reis” në bazë një ditë më parë duke theksuar se ajo do t’i nënshtrohet një verifikimi teknik. Ndërkohë kjo u pa si një lloj shprese nga ana e Greqisë në zbutjen e konfliktit në Mesdhe.