Me pikëllim të thellë mora lajmin e hidhur për vdekjen e gazetarit dhe publicstit Sulejman Gashi, i cili nga kjo botë iki i ri, ku vdekja mizore ia ndrërpreu aktivitetin e tij si gazetar i përkushtuar për çështjen e Kosovës. Kontributi i Sulejmanit Gashit ishte i veçantë, jo vetëm në fushën e gazetarisë, por edhe si veprimtar e atdhetar i devotshëm i çështjes kombëtare.
Unë pata rastin të punojmë së bashku në hapjen e gazetës Illyria në vitin 1991. Ai ishte njëri prej gazetarëve të redaksisë që u angazhua nga dita e parë në mënyrë që kjo gazetë ta afirmonte çështjen e Kosovës dhe demokratizimin e Shqipërisë në Washington. Në këtë kohë Kosova ishte nën terrorin serb, kurse Shqipëria po sa kishte dalë nga diktatura e egër komuniste.
Sulejman Gashi në faqet e gazetës Illyria publikonte shkrimet nga OKB në New York dhe nga Administrata amerikane në Washingtoni për Kosovën dhe Shqipërinë, duke bërë thirrje që vullneti i popullit të Kosovës për liri të gjente një përkrahje më energjike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai ka dhënë kontribut të theksuar edhe në Televizionin e Prishtinës para luftës dhe pas saj në RTK, si dhe në mjetet tjera të informimit, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Vdekja e tij është një humbje e madhe në afirmimin e çështjes sonë kombëtare në botën demokratike.

Sulejman Gashi i përkiste familjes së madhe atdhetare të Ramadan Shabanit të Kijevës. Ramadani ishte një legjendë e pajtimit të gjaqeve mes familjeve, fiseve dhe individëve në Kosovë dhe përtej saj. Edhe vetë Sulejmani ishte i pasionuar pas filozofisë popullore dhe misionit paqësor të paraardhsve të tij. Fliste edhe për gjyshin e tij Rexhë Asllani, gjithashtu i njohur si veprimtar në pajtimin e gjaqeve, duke mos kursyer asgjë për pajtim kombëtar. Kështu kishin vepruar edhe Binak Alia dhe Xhemail Obria në rrethana të ndryshme politike.
Sulejman Gashi u lind në Kumanovë, në një periudhë kur babai i tij si mësues qe i detyruar ta braktiste Kosovën nga terrori i Rankoviqit dhe të kalonte në Maqedoni. I ati i tij punoi atje dhe në një klimë më të volitshme politike u kthye në Kosovë. Sulejmani ka qenë shumë i lidhur për Kosovën dhe vendlindjen e tij, Kijevën. Atje, kohëve të vona, nga malli ndërtoi një shtëpi në Kijevë që ta kishte kur shkonte në Kosovë. Në bisedat që kishim në ndeja të ndryshme, gjithherë më përmendte paraardhësit e tij, duke treguar historinë dhe dashurinë për atdheun dhe njerëzit atje. Pra, edhe Sulejmani ruante me fanatizëm trashëgiminë familjare të tij edhe këtu në New York, si pasuri e jetike.
Kështu, edhe djemtë e tij, Driloni dhe Egzoni po shkojnë hapave të babit të tyre, duke punuar për çështjen e Kosovës.
Në emrin tim personal dhe të familjes sime, në këto çaste të rënda të tronditjes, ju shprehi ngushëllimet e mia më të sinqerta për vdekjen e gazetarit dhe publicistit Sulejman Gashi: bashkëshortes së tij Tone Gashit, vajzave dhe djemeve, nënës dhe vëllezërve të tij për këtë humbje të pazëvendësueshme në familje.

Dheu i Kosoves i qoftë i lehte!

Zoti u dhashtë forcë.

New York 2020

STAFI I GAZETES ILLYRIA 1992. (Nga e Majta): Muhamet Mjeku, Sulejman Gashi, Etrit Bardhi, Charles Caruso, Jusuf Hajrizi
Petrit Bardhi, Joseph Finora (Ulur): Harry Bajraktari, Naime Lutolli, Vehbi Bajrami, Deborah Agnus