Ballina Bota Brexit: Britania e Madhe zbulon projektligjin që ‘thyen ligjin ndërkombëtar’

Brexit: Britania e Madhe zbulon projektligjin që ‘thyen ligjin ndërkombëtar’

 

Qeveria e Britanisë së Madhe ka pranuar që ndryshimi i marrëveshjes së divorcit me BE “shkel ligjin ndërkombëtar në mënyrë shumë specifike dhe të kufizuar”. BE ka paralajmëruar se ky hap mund të ketë pasoja serioze.

Qeveria nritanike zbuloi të martën një projektligj për Brexitin, për të rishkruar pjesë të marrëveshjes së saj të daljes nga BE, duke bërë që BE të kërkojë bisedime urgjente.

BE ka shprehur shqetësim se legjislacioni i propozuar do të shkelë marrëveshjen e detyrueshme të divorcit, të cilën deputetët britanikë e miratuan me shumicë prej 358 votash kundër dhe 234 votave në dhjetor.

Downing Street tha se ligji i ri i Tregut të Brendshëm në Britaninë e Madhe mund të ndryshojë rregullat doganore dhe tregtare pas Brexitit në Irlandën e Veriut. Projektligji do t’i japë qeverisë së Britanisë së Madhe të drejtën për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme disa nga rregullimet e bëra për kufirin e vetëm tokësor të Britanisë së Madhe me BE.

Britania ra dakord të takohej me BE mbi zbatimin e marrëveshjes së rishikuar, konfirmoi një zëdhënës i qeverisë britanike, pasi Brukseli thirri urgjentisht një takim të tillë për të sqaruar “shqetësimet e forta” mbi ndryshimet e fundit.

Zëdhënësi fajësoi gjithashtu shpejtësinë me të cilën u ra dakord për marrëveshjen fillestare, duke përmendur “paqartësitë” me versionin origjinal.

Një çështje besimi?

Njoftimi i ka zemëruar 27 qeveritë e BE. Ata besojnë se ai shkel angazhimet e marra për të mbrojtur procesin e paqes dhe për të shmangur një kufi të fortë në ishullin e Irlandës.

“E qartë, çdo largim i njëanshëm nga kushtet e Marrëveshjes së Daljes do të ishte një çështje shqetësuese e konsiderueshme dhe një hap shumë serioz,” tha Ministri i Jashtëm irlandez Simon Coveney.

“Një largim i tillë mund të shkatërrojë seriozisht dhe të dëmtojë besimin politik, jo vetëm në negociatat e Brexit.”

Gjermania tha se “pret plotësisht” që Britania e Madhe të respektojë të drejtën ndërkombëtare.

“Ne do të vazhdojmë t’i besojmë qeverisë britanike për të zbatuar plotësisht marrëveshjen e daljes,” u tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme gjermane Maria Adebahr gazetarëve në Berlin. Gjermania aktualisht kryeson Këshillin e Bashkimit Evropian.

Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian,e  paralajmëroi Britaninë e Madhe se zbatimi i marrëveshjes së daljes ishte “një detyrim sipas ligjit ndërkombëtar dhe parakusht për çdo partneritet në të ardhmen”.

Ajo shtoi se çdo devijim nga marrëveshja e daljes, sado i vogël, do të “thyente ligjin ndërkombëtar dhe minonte besimin”.

Bashkimi Evropian e paralajmëroi Britaninë se edhe shkelja më e vogël e marrëveshjes do të minonte atë pak besim që ka mbetur midis të dyja palëve në bisedimet tashmë të brishta tregtare.

“Shkelja e së drejtës ndërkombëtare nuk është e pranueshme dhe nuk krijon besimin që na duhet për të ndërtuar marrëdhëniet tona të ardhshme,” tha Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Brandon Lewis, ministri i qeverisë britanike për Irlandën e Veriut, i tha parlamentit të martën se legjislacioni i propozuar do të “thyejë ligjin ndërkombëtar në një mënyrë shumë specifike dhe të kufizuar”.

Çfarë propozohet?

Vitin e kaluar, qeveria britanike ra dakord që Irlanda e Veriut të respektojë rregullat e BE mbi mallrat.

BE argumentoi që vendosja e çdo infrastrukture kufitare në kufirin midis Irlandës së Veriut dhe Irlandës do të shkelte Marrëveshjen e së Premtes së Mirë që u dha fund dekadave të konfliktit në rajon.

Kjo do të thoshte që Downing Street pranoi që do të kishte një kufi doganor poshtë Detit Irlandez.

Sipas marrëveshjes së divorcit, bizneset e Irlandës së Veriut duhet të plotësojnë formularët doganorë kur dërgojnë mallra në Britaninë e Madhe. Kontrollet do të kryheshin për mallra në drejtim tjetër.

Ministrat thonë se ligji i ri do të përcaktojë rrethanat specifike kur Britania e Madhe mund të anashkalojë pjesë të marrëveshjes së daljes, që ratifikoi vitin e kaluar.

Qeveria thotë se do të jetë në gjendje të vendosë në mënyrë të njëanshme se cilat mallra janë “në rrezik” për të hyrë në BE.

Çështjet e mëdha

Bisedimet e kësaj jave janë raundi i tetë i negociatave midis Britanisë dhe BE që synojnë të sigurojnë një marrëdhënie pa tarifa dhe kontrolle doganore.

Kryenegociatori i BE-së për Brexit-in, Michel Barnier i tha radios franceze të hënën se ai ishte “i shqetësuar” për shanset e nënshkrimit të një marrëveshjeje tregtare sepse Britania e Madhe ende dëshiron “më të mirën e të dyja botëve”.

Homologu i tij britanik, David Frost, tha të martën se BE duhet të tregojë “më shumë realizëm” dhe të pranojë dëshirën e Britanisë së Madhe për të qenë një shtet sovran.

Ende ka mosmarrëveshje për qasjen në ujërat britanike për flotat e peshkimit evropian dhe ndihmën shtetërore.

Britania u largua nga BE në janar dhe përballet me një garë me kohën për të rënë dakord për një marrëveshje të tregtisë së lirë përpara fundit të fazës së tranzicionit më 31 dhjetor.

Britanikët duhet t’u përmbahen rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë nëse nuk arrihet një marrëveshje, e cila do të nënkuptojë tarifa të reja, kontrolle kufitare dhe pengesa të tjera për tregtinë.

aud (rtr, afp)