Ballina Bota Austria fuqizon masat kundër pandemisë

Austria fuqizon masat kundër pandemisë

 

Austria ka fuqizuar masat kundër pandemisë, pas rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirusin e ri që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, tha se duke nisur nga data 14 shtator, mbajtja e maskave do të jetë e detyrueshme në të gjitha dyqanet dhe ndërtesat publike. Sipas rregullave të reja, maskat e fytyrës do të jenë të detyrueshme në korridoret e shkollës, por jo në klasa.

Mbajtja e maskave deri më tash ka qenë e detyrueshme në transportin publik dhe në dyqanet “thelbësore”, të tilla si supermarketet dhe zyra postare.

Kurz gjithashtu njoftoi rregulla të reja për tubimet publike.

Ngjarjet pa ulëse të caktuara, përfshirë tubimet private, tani do të kufizohen në 50 persona brenda dhe 100 jashtë.

Për organizimet me spektatorë do të lejohet tubimi i 1.500 personave brenda dhe 3.000 jashtë.

“Situata po bëhet sërish serioze. Shifrat kanë vazhduar të rriten javët e fundit”, tha kancelari Kurz, në një konference për media.

Deri më tani, Austria ka raportuar pothuajse 32.000 raste me koronavirus dhe 750 vdekje, raporton BBC.