Në Bjellorusi, agjentë të maskuar të sigurisë tërhoqën zvarrë studentët nga rrugët dhe i futën nëpër furgonë, ndërkohë që protestat kundër Presidentit Alexander Lukashenko nuk ndalen.
Disa e sotme shënon fundjavën e katërt të protestave që nga rizgjedhja e tij e diskutueshme.
Deri në 30 veta u ndaluan me arsyen e pjesëmarrjes në protesta pa leje, sipas agjencisë ruse së lajmeve TASS, që citonte policinë e kryeqytetit bjellorus Minsk.
Të mbështjellë me flamuj kuq e bardhë të opozitës, studentët organizuan protesta në disa pika të kryeqytetit, përfshirë Institutin Gjuhësor Shtetëror të Minskut, ku policia kishte arrestuar pesë persona të premten, siç tregonin pamjet e transmetuara në mediat e vendit.
Në pika të tjera, persona të maskuar tërhoqën zvarrë studentët që ishin mbledhur në një restorant të rrugës Karl Marks në qendër të Minskut, ndërsa disa nga protestuesit thërrisnin “Në gjyq!”, sipas pamjeve të publikuara në TUT.BY.
Pasdite, mijëra gra organizuan një marshim përmes kryeqytetit, duke thirrur “duart larg fëmijëve!”.
Lukashenko, ish-drejtor fermash kolektive sovjetike, po përpiqet të frenojë një valë protestash dhe grevash masive, që nisën kur ai fitoi një mandat të gjashtë në zgjedhjet e muajit të kaluar, për të cilat kundërshtarët e tij thonë se ishin të manipuluara. Ai mohon se ka patur mashtrim me votat.
Presidenti Lukashenko më parë ka minimizuar rëndësinë e pandemisë së koronavirusit, duke e quajtur një “psikozë” që mund të trajtohet duke pirë vodka dhe duke bërë sauna.
Por të shtunën ai la të kuptohet se protestuesit po përhapnin sëmundjen.
“Ne ecim nëpër rrugë, duke u fërkuar me njëri-tjetrin,” tha ai në një mbledhje të qeverisë të transmetuar në televizion. “Ku është distancimi fizik kështu me radhë? Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për ta vonuar momentin kur do t’i themi lamtumirë kësaj sëmundjeje. Kjo është e papranueshme,” u shpreh ai.
Të martën, mijëra njerëz morën pjesë në protestat që përkuan me fillimin e vitit shkollor. Në Institutin Gjuhësor Shtetëror të Minskut, studentët këndonin “A e dëgjoni këngën e popullit?”, një himn proteste nga muzikali “Të mjerët”.