Ambasada gjermane në Tiranë ka bërë të ditur përmes një njoftimi në “Facebook” se shqiptarët me rezidencë apo punë leje në Gjermani duhet të bëjnë 14 ditë karantinë dhe testin e Covid-19.
Në këtë njoftim thuhet se të gjithë qytetarët mund të kryejnë testin e Covid-19 falas brenda 72 orëve nga mbërritja.
Njoftimi i plotë
“Meqenëse Shqipëria vazhdon të kosiderohet një zonë rreziku nga Instituti Robert Koch, të gjithë ata që hyjnë në Gjermani janë të detyruar që menjëherë pas mbërritjes të nisen direkt drejt vendbanimit të tyre ose një strehimi tjetër të përshtatshëm (p.sh. hotel) dhe të qëndrojnë atje për një periudhë prej 14 ditësh pas hyrjes së tyre (karantinë).
Udhëtarët që hyjnë në Gjermani janë gjithashtu të detyruar të informojnë autoritetin shëndetësor përgjegjës për ta mbi adresën e tyre të qëndrimit në Gjermani. Ata janë gjithashtu të detyruar që me kërkesë të autoriteteve të paraqesin rezultatet e testimit për koronavirusin e ri. Ju mund të testoheni falas brenda 72 orëve nga mbërritja juaj, edhe nëse nuk keni marrë ende një kërkesë të tillë. Kjo është e mundur në shumë aeroporte në Gjermani”. /tvklan.al