Kanë kaluar shumë vite nga përplasja ushtarake e grekëve me pushtuesit e tyre, turqit, e para që kur kishin fituar pavarësinë nga Perandoria Osmane gjysmë shekulli më parë.
Për tridhjetë ditë në 1897-n, dy rivalët në Mesdheun lindor u përleshën mbi statusin e Kretës, popullsia e së cilës me shumicë greke gjithashtu dëshironte pavarësinë. Konflikti u njoh si “lufta e panevojshme” dhe alarmoi fuqitë e mëdha perëndimore, duke kërcënuar një konflikt shumë më të gjerë në një pjesë të botës ku aspiratat nacionaliste, mosmarrëveshjet historike dhe rivaliteti i fuqive të mëdha ndezën 17 vite më vonë Luftën e Parë Botërore. Austro-Hungaria, Franca, Gjermania, Italia, Rusia dhe Britania dërguan anije luftarake në Kretë në një përpjekje për të ruajtur paqen. Megjithëse ishin kryesisht miqësore ndaj grekëve, me përjashtim të gjermanëve, ata i paralajmëruan grekët e papërgatitur që të mos përfshiheshin në luftime. Paralajmërimet e tyre ranë në vesh të shurdhër dhe grekët pësuan humbje.
Grekët dhe turqit janë përfshirë sërish në një mosmarrëveshje lidhur me sovranitetit territorial në Mesdhe si dhe të tabanit nënujor, ku më e rëndësishmja lidhet me rezervat e naftës dhe gazit. Potenciali energjetik i Mesdheut lindor e ka rritur rrezikun. Fuqitë fqinje në Evropë, Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme po tërhiqen në një ngërç ndërsa po rritet rreziku për një konflikt të hapur mes aleatëve të NATO-s.
Mundësitë për luftë
Nëse Ankaraja dhe Athina përplasen, këtë radhë, ngrenë shqetësimin analistët, konflikti mund të hyjë në histori si “lufta më e panevojshme”.
“Mos përjashtoni mundësinë për një konflikt të madh në Mesdheun Lindor, qoftë edhe rastësisht“, paralajmëron Marc Pierini, analist në institutin studimor Carnegie Europe.
Në 1897, fuqitë e mëdha ishin në gjendje të kontrollonin efektet anësore. U gjet një zgjidhje e pa peshuar mirë, sa për sy e faqe: Kreta fitoi autonominë, por nën mbikëqyrjen e Perandorisë Osmane, me Turqit që kontrollonin marrëdhëniet e jashtme të ishullit ndërsa Princi George i Greqisë u bë komisioneri i lartë i ishullit. Në vitin 1913 Greqia aneksoi zyrtarisht ishullin. Fuqitë perëndimore shpresojnë se mund të arrijnë një zgjidhje tjetër afatshkurtër për të shmangur një përplasje si ajo e 1897-s. Ata kanë dërguar anije luftarake si një paralajmërim ndaj Ankarasë, të cilën e fajësojnë për nxitjen e mosmarrëveshjeve detare gjithnjë e më të rrezikshme. SHBA-ja ka dërguar gjithashtu një luftanije.
Flota Amerikane thotë USS Hershel “Woody” Williams ndodhet në Mesdhe në një mision të planifikuar më parë kryesisht për të mbështetur operacionet e Komandës amerikane të Afrikës, por që është në dispozicion nëse do të jetë e nevojshme.
Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar biseda telefonike me udhëheqësit grekë dhe turq. Franca ka zhvilluar stërvitje të përbashkëta ushtarake me Italinë, Greqinë dhe Qipron, e cila u nda në 1974 pas një pushtimi turk të shkaktuar nga një grusht shteti i frymëzuar nga Greqia. Bashkimi Evropian po përgatitet të vendosë sanksione ndaj Turqisë.
“Ne jemi të qartë e të vendosur në mbrojtjen e interesave dhe solidaritetit të Bashkimit Evropian me Greqinë dhe Qipron“, tha të premten Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së Josep Borell.
“Një vijë e hollë na ndan mes ruajtjes së një hapësire të vërtetë për dialog dhe në të njëjtën kohë, të tregojmë forcë kolektive“, shtoi ai.
Mosmarrëveshjet mbi energjinë
Megjithatë as Athina, dhe as Ankaraja, nuk po tregojnë ndonjë shenjë tërheqjeje mbi mosmarrëveshjet e tyre lidhur me të drejtat e shpimit. Greqia dhe vendet evropiane perëndimore thonë se ligji detar është në anën e Athinës dhe akuzojnë Turqinë për shkelje dhe agresion. Greqia dhe Turqia kanë mobilizuar forcat e tyre detare dhe ajrore.
Turqia akuzoi të hënën Greqinë për “pirateri” dhe paralajmëroi se do t’i përgjigjet përpjekjeve për të cilat e akuzon Athinën se po përforcon ushtarakisht ishujt pranë bregdetit të saj. Grekët i kanë mohuar akuzat se po vendosin trupa në ishullin Kastellorizo në shkelje të traktateve. Ishulli ndodhet vetëm dy kilometra larg bregdetit turk.
Zëdhënësi i partisë turke në pushtet Omer Çelik, tha se: “të drejtosh armët drejt brigjeve të Turqisë është marrëzi”. Javën e kaluar, parlamenti i Greqisë ratifikoi një marrëveshje detare me Egjiptin, vetëm disa orë pasi Turqia njoftoi se do të zgjaste aktivitetin e një anijeje që vëzhgon aktivitetet sizmike në Mesdheun Lindor dhe turqit këtë javë do të zhvillojnë manovra me municion luftarak në ujërat pranë bregut verilindor të Qipros.
Marrëveshja Athinë-Kajro shihet si një përgjigje ndaj një marrëveshjeje turko-libiane të nënshkruar në 2019-n mbi depozitat e mëdha nënujore të hidrokarbureve. Sipas traktatit të tyre, Egjipti dhe Greqia do të kërkojnë përfitime maksimale nga burimet natyrore të disponueshme në një zonë ekskluzive detare. Një marrëveshje e ngjashme është arritur mes Italisë dhe Greqisë. Mosmarrëveshja mbi kufijtë detarë të Turqisë me Greqinë dhe Qipron si dhe të drejtat e shpimit në Mesdheun lindor, vijnë mes të tjera mosmarrëveshjesh të forta mes Turqisë dhe aleatëve të saj të NATO-s, përfshirë çëshjen e refugjatëve sirianë, inkursionet ushtarake turke në Sirinë veriore dhe Libi, si dhe mbi blerjen nga Turqia të raketave ruse tokë-ajër.
Muajin e kaluar, marinarëve në anijet luftarake turke iu bë thirrje të qëndrojnë në gadishmëri për luftë kur një fregatë franceze u përpoq të ndalojë një anije që dyshohej se po transportonte armë tek aleatët e Turqisë në Libi. Papritmas rajoni duket sikur është kthyer pas, në shekullin e nëntëmbëdhjetë, me rivalët gjeopolitikë që kundërshtojnë me vendosmëri njëri-tjetrin.
Ndërsa zgjerimi i burimeve për të dalë nga varësia aktuale e energjisë prej gazit rus dhe atij iranian do të ishte i dobishëm për Turqinë, analistët thonë se shfrytëzimi i fushave të gazit nuk është nxitësi kryesor i reagimit të Turqisë. “Në nxitjen e mosmarrëveshjeve aktuale në Mesdheun Lindor, udhëheqja po përdor një retorikë që rrotullohet rreth temave të tilla si pushtimi, duke iu referuar pushtimit osman të 1453 të Konstandinopojës, Stambollit të sotëm, betejave e luftra, një komploti të madh e të papërcaktuar të huaj dhe një kthimi tek lavdia”, sipas zotit Pierini, analist në Carnegie Europe. Ai thotë se “objektivi i brendshëm politik është mjaft i qartë: “për ta bërë udhëheqjen të shfaqet si një spirancë e domosdoshme e stabilitetit në një vend të rrethuar nga forcat armiqësore”. Disa komentatorë thonë se qëndrimi i ashpër i Turqisë është një parathënie për negociata të vërteta.
Loja me zjarrin
Zyrtarët e BE-së besojnë negociatat. Por një vizitë javën e kaluar nga ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas në Ankara, dhe një ndalesë në Athinë, rezultoi jo e frutshme. Gjermania ka bërë thirrje që të ndalen manovrat detare në Mesdheun lindor.
“Me siguri palët nuk do të ulen në tryezë ndërsa anijet luftarake qëndrojnë përballë njëra-tjetrës në Mesdheun lindor“, tha zoti Maas. Ai shtoi se situata aktuale në Mesdheun lindor ishte e ngjashme me një “lojë me zjarrin” ku “çdo shkëndijë e vogël mund të çojë në katastrofë”.
Disa pyesin nëse përzierja e diplomacisë me sinjale të forta ushtarake do të ishte e mjaftueshme për të bindur Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili javën e kaluar paralajmëroi Athinën se nëse “dëshiron ta paguajë çmimin, le të vijë të përballet me ne”, siç tha ai.
Ai shtoi se “Turqia do të marrë atë që i takon me të drejtë në Mesdhe, në Egje dhe në Detin e Zi”.
Zoti Pierini shqetësohet se një “zgjidhje kompromisi mbi kufijtë detarë do të dukej si një humbje për qeverinë turke pas retorikës ekstreme të përdorur në javët e fundit”.
Mësimet që jep historia
Nga lufta e Krimesë (1853-1856), e cila u bë famëkeqe nga aksionet donkishoteske e të dështuara luftarake të trupave britanike (njohur si Çmimi i Brigades së Dritës) dhe puna e infermieres Florence Nightingale, e cila mori famë legjendare, deri tek e shtënat në Sarajevë që vranë Arqidukën Franz Ferdinand të Austrisë, konflikti në Mesdheun lindor ka pasur një fund të pakëndshëm duke u hapur rrugën ngjarjeve shkatërruese që kanë ndryshuar hartën e Evropës dhe Lindjes së Mesme, riorganizuar aleancat dhe riformësuar vendet. Këto ngjarje kanë pasur kosto të mëdha njerëzore. Lufta greko-turke e viteve 1919–1922, zhvilluar gjatë shpërbërjes së Perandorisë Osmane pas Luftës së Parë Botërore, përfundoi me masakra dhe zhvendosje masive me forcë të popullsisë, prej dëbimit të të krishterëve ortodoksë nga Turqia në Greqi tek dëbimi i myslimanëve nga Greqia në Turqi. Më shumë se dy milionë njerëz u përfshinë në atë që u bë e njohur si “çrrënjosja e madhe” kur refugjatët kalonin para e mbrapa përgjatë detit Egje, i cili në vitet e fundit është përshkuar nga sirianët dhe irakianët, në përpjekjen e tyre për t’iu larguar konflikteve të vazhdueshme dhe krizave në rajonin e Levantit.