Qendra Amerikane e Hapësirës dhe Raketave në Hantsvill të Alabamës – ku ndodhet “Kampi i Hapësirës” – u kërcënua me mbyllje të përhershme, pasi COVID-19 detyroi qendrën e shkencës dhe teknologjisë me popullaritet ndërkombëtar, të mbyllë dyert për studentët dhe vizitorët. Por siç shpjegon korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh, një fushatë në internet për të shpëtuar kampin, po ofron një rrugë shpëtimi për të kapërcyer pasojat e pandemisë.
2019-a shënoi përvjetorin e 50-të të zbritjes së njeriut në Hënë – ishte një vit feste për Qendrën Amerikane të Hapësirës dhe Raketat në Hantsvill të Alabamës.
Vizitorë nga e gjithë bota shkuan për të festuar në qytetin ku u prodhua raketa Saturn V që çoi astronautët në hapësirë.
“Kemi pasur numër rekord vizitorësh, kemi pasur pothuajse 45,000 studentë në Kampin e Hapësirës në vitin 2019. Ishte një vit i jashtëzakonshëm. E filluam 2020-ën fuqishëm, pjesëmarrja ishte më e lartë madje edhe në muze. // Kampi i Hapësirës ishte plotësisht I shitur”.
Pat Ammons me Qendrën Amerikane të Hapësirës dhe Raketave thotë se kur COVID-19 u shfaq në Sh.B.A, programi u pezullua.
Kampi i Hapësirës, programi popullor i kësaj qendre ku të rinjtë mësojnë se si të bëhen astronautë, u mbyll plotësisht në mars. Dy muaj të ardhura nga kampi dhe vizitorët në muze, avulluan menjëherë.
Megjithëse është një agjenci shtetërore, Ammons thotë se qendra nuk merr fonde shtetërore ose federale dhe nuk kualifikohet për përfitime nga paketa e ndihmës prej disa-triliona dollarësh për koronavirusin, miratuar nga Kongresi në fillim të këtij viti.
“Ne i fitojmë të ardhurat nga vizitorët dhe studentët që ndjekin programin tonë në Kampin Hapësinor”, thotë Pat ammons.
Këtu përfshihen shumë vizitorë ndërkombëtarë.
“Rreth njëzet për qind e studentëve tanë vijnë nga jashtë vendit. “Në vjeshtë ne kemi shumë studentë që vijnë nga Australia, Britania e Madhe, Kina dhe India dhe shumë studentë që vijnë si pjesë e grupeve shkollore. Shumë nga ata studentë nuk do të vijnë këtë vit”, thotë Pat Ammons.
Si rezultat i pezullimit të programeve, qendra po humbiste shumë shpejt rezervat monetare.
“Deri në fund të tetorit do të kishim shpenzuar të gjitha fondet që kemi.”
“Nëse deri në fund të tetorit nuk sigurojmë minimumin prej 1.5 milionë dollarësh, nuk do të jemi në gjendje të mbajmë hapur muzeun dhe nuk do të ishim në gjendje të ofrojmë Kampin e Hapësirës në vitin 2021.”
Ben Chandler, një i diplomuar në Kampin e Hapësirës dhe tani Kryetar i Fondacionit jo-fitimprurës të Qendrës për Hapësirë dhe Raketat që ndihmon në financimin e Qendrës dhe Kampit Hapësinor, thotë se kjo situatë i bëri të kërkojnë ndihmë përmes një fushate “Go Fund Me” në internet.
“Brenda 7 ditësh, grumbulluam mbi 1.5 milionë dollarë, dhe herën e fundit që pashë, 8,000 individë kishin dhuruar në fushatë.”
Korporata Boeing dhe SAIC ishin dy nga donatorët më të mëdhenj, që kontribuan së bashku 750,000 dollarë.
Chandler thotë se ndërsa organizata po kalon disi nga situata e “mbijetesës” në atë të “lulëzimit”, përpjekja për grumbullimin e fondeve nuk ka përfunduar.
“Tani po mundohemi të riparojmë disa nga dëmet financiare, prandaj do ta mbajmë fushatën aktive dhe do të përpiqemi të bëjmë sa më shumë të mundemi”, thotë Ben Chandler.
Sot, ndërsa Kampi i Hapësirës është i hapur, operacionet janë ulur ndjeshëm.
“Do të ishim me mbi një mijë fëmijë në javë në këtë periudhë. Jemi duke operuar me 40 a 50 për qind të kapacitetit tonë normal në muze. Kemi vetëm njëzet për qind të studentëve tanë në Kampin e Hapësirës”, thotë Pat Ammons.
Ammons thotë se Kampi i Hapësirës nuk do të qëndrojë i hapur gjatë gjithë këtij viti për shkak të kufizimeve shëndetësore.
“Sezoni ynë i vjeshtës dhe i dimrit është me studentë dhe grupe shkollore ndërkombëtare. Padyshim që studentët ndërkombëtarë dhe grupet shkollore nuk do të vijnë”, thotë Pat Ammons.
Por shpresa është se me rënien e përhapjes së COVID-19, Qendra e Hapësirës dhe Raketave do të mirëpresë më shumë vizitorë dhe më shumë kampistë, kur të fillojë një sezon të ri, më normal në vitin 2021./Voa/