Udhëheqësi i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, kërcenon se do të mbyllë rrugët e transitit me Europën, nëse Brukseli vendos sanksione ndaj vendit të tij. Gjatë një vizite në një fabrikë qumështi në lindjen e vendit, Lukashenko tha se do të bllokonte transportin e fqinjëve europiane drejt Rusisë dhe do të do të devijonte eksportet e transportuara deri tani nëpërmjet porteve të Lituanisë.
“U dhjamosën dhe harruan se çfarë është Bjellorusia. Menduan se mund të frikësoheshim me raketa dhe tanke.Epo, le të shohim se kush ka frikë nga kush. Do t’u tregojmë se cilat janë sanksionet.”
Mallrat nga Bjellorusia e cila nuk ka dalje ne det përbëjnë thuajse një të tretën e trafikut hekurudhor dhe vëllimit të portit të Lituanisë. Bjellorusia është gjithashtu një rrugë e madhe tokësore për kalimin e mallrave evropiane në Rusi. Në të kalojnë gjithashtu edhe tubacionet për transportin e naftës ruse në Evropë.
Lukashenko tha ka në gatishmëri gjysmën e ushtrisë dhe se kishte rënë dakord me Presidentin rus Vladimir Putin që trupat e tyre mund të bashkoheshin në rast të një kërcënimi nga Perëndimi.
Kriza në Bjellorusi nisi pas zgjedhjeve të 9 Gushtit, ku opozita akuzon Presidentin për manipulim të tyre. Mijëra njerëz kanë dalë në rrugë duke kërkuar largimin e Lukashenkos, por ai thotë se gjithçka është e financuar nga Perëndimi.