Në vendkalimin kufitar të Morinës gjatë dy ditëve të fundit kanë kaluar mbi 31 mijë persona dhe mbi 11 mijë automjete. Pavarësisht pandemisë COVID-19, pushuesit nga Kosova kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacion turistik.

Pavarësisht pandemisë së Covid-19, shqiptarët e Kosovës vazhdojnë të vizitojnë Shqipërinë gjatë fundjavës.

Vetëm në dy ditët e fundit, më shumë se 31 mijë persona me mbi 11 mijë mjete kanë hynë në Shqipëri nga pika kufitare e Morinës.

Sipas të dhënave të bëra publike javë pas jave, kjo duket si fundjava me më shumë udhëtarë nga pika kufitare e Morinës e kësaj vere.

Pjesa më e madhe e tyre janë shqiptarë të Kosovës që kalojnë fundjavën në qytetet bregdetare.

Të premten, radha e makinave që kërkonin të kalonin kufirin e Morinës ishte disa kilometra e gjatë, por për shkak se nuk kërkohet testim apo vërtetim se udhëtarët nuk janë të infektuar me Covid-19, procedurat në doganën shqiptare zgjasin pak.

Sipas të dhënave vetëm ditën e diel kanë hyrë në Shqipëri  16.880 shtetas të huaj, 2.917 shtetas shqiptarë, 4.411 mjete të huaja dhe 1.367 mjete shqiptare.

Pika kufitare e Morinës është një pikë shumë e rëndësishme duke qenë se përpunon numrin më të madh të vizitorëve gjatë vitit. Shqiptarët e Kosovës, vijojnë të kryesojnë me fluksin më të madh të vizitorëve që kanë hyrë në Shqipëri përmes kësaj pike doganore./ Fatos Shala