Përshtypje nga Alpet tona: BUKURITË QË FRYMËZOJNË, ZYRTARËT QË TË IRITOJNË……- Nga: Tahir Bezhani

 

Klisura- ujvara e Rugovës ,perlë e bukurisë kombëtare.

Këtë verë pata rastin të bëj pushim në bjeshkët e Rugovëssë bukur, më shumë se asnjëherë më parë. Qëndrova gjithsejtë pesë javë. Nuk e ndërroj bjeshkën me detin, jam i  pasionuar në natyrën e bukur bjeshkore.Më tërheqin ato bukuri. Banoja në Bogë,në shtëpinë e dhëndrit tim,ndërsa shëtitja gjithë bjeshkën në orët e paradites, ose të pasdites. Shkoja me makinë deri aty ku shkohej, pastaj ecja lartësive për të thithur ajrin e pastër, për t’u ngopur me ato bukuri të rralla, për ta shijuar fishkëllimën e pishave kur i përkundte era ,ajri i të cilave medoemos, futej thellë në mushkëritë e mia. Më relaksonte e frymëzonte shpirtërisht….

Kapur për Bogën është fshati më i bukur i asaj ane të Rugovës, Shkreli, një hapësirë  e pa sosur, një  bukuri e rrallë që mahnit çdo kalimtarë ,adhurues i natyrës bjeshkore.Këtë e dëshmon ndërtimi i bukur i shtëpive dhe staneve të bukura. Këtë vend të bukur e bënë edhe më madhështorë mbiemri i shkrimtarit të madh, Azem Shkreli,i cili lindi e u rrit me ato bukuri përrallore, të cilat ia falen  vargun e pasur poetik dhe qëndresën shkëmbore deri në vdekje.

Pamje nga Shkreli i Rugovës.

Duke kaluar rrugëve leqore të Shkrelit, më bëhej se po ecja  gjurmëve të poetit të madh. Ndihesha i gëzuar ,perceptoja imazhin e tij madhor si shpat mali. Më bëhej se e vërejatë veshur me shallin e bardhë të Rugovës dhe zërin e tij burrërorë;  “mirë se keni ardhur o vëllezër gjakovarë!….” Pastaj më ushtonin  mendimeve vargjet e tij brilante……Emri i poetit Azem Shkreli, dhënë rrugës kryesore të fshatit Shkrel ,ishte dashuria e shprehur me arsye për ruajtjen ekujtesës dhe  emrit të poetit rugovas. Nuk ndala ecjen deri te qafa e Koshutanit piktoreskë.

Çdo pëllëmbë të këtij fshati e kishte përfshi vala e transferimit turistik, si një ndër vendet më të bukura alpine. Hotele e shtëpia të bukura, ndërtim nga druri i cili është më  preferuesi për syrin turistik. Asfaltimi i atyre rrugë gjarpërore etj. Vërejtëmshpallje e numra telefonash kudo si reklamë e shitjes së trojeve për ndërtim.

Shkreli do kujdes të veçantë të mbikëqyrjes  së infrastrukturës ndërtimore…

BOGA MREKULLI DHE  BRENGË !…..

Fshati Bogë i Rugovës,tani ka disa vite që bënë bujë në aspektin e turizmit malorë, jo vetëm në Komunën e Pejës, por në  gjithë rrafshin kombëtarë e jo vetë. I ndërtuar me një infrastrukturë të egër, pa mbikëqyrje të askujt, tani e sa kohë ,ka filluar të deformohet fort aspekti i shijes turistike. Ka hotele të ndërtuara e të bukura, banesa private me standarde banimi ,por jo edhe me ato ushqimi. Shërbimet e personelit në ato lokale janë jashtë çdo kriteri ,pa profesionalizëm.

Duke pasur parasysh autoktoninë rugoviane, është e udhës që ato hotele të kenë doemos ushqime vendore për turistë, me ato cilësi që i kërkon turizmi malorë.

Një shitore në qendër të Bogës ,punon sipas tekeve të pronarit ,pa asnjë orar dhe pa siguri të artikujve ushqimorë. Çmimet e artikujve nuk figurojnë ,janë sipas tekeve të shitësit ,dhe dyfishi  me ato në qytet.

Një shëmti që vret në veçanti është moskujdesi ndaj ambientit i cili ndotet për ditë e më shumë nga moskujdesi dhe kultura qytetare, por edhe nga moskujdesi total i institucioneve zyrtare të Pejës ,si përgjegjëse për mirëvajtjen e hapësirave turistike. Në asnjë këndë të Bogës nuk gjendet asnjë kontejner i mbeturinave. Janë të detyruar qytetaret t’i bartin me vete në shtëpia ose t’i lënë aty, të shëmtojnë inatosshëm bukurinë e natyrës…..

Plaga që brengosë së tepërmi turizmin në Bogë është rryma. Qytetarëtpothuaj se gjysmën e ditës, e as në orë e mbrëmjes, nuk kanë rrymë të mjaftueshme për funksionimin e jetës normale,siç është përgatitja e ushqimit,pastrimi etj. Janë të tejkaluara arsyetimet e zyrtarëve të Pejës “se nuk po kemi çka me ba!….” Nuk durohet era e fekaleve në një vend turistik ku njeriu shkon të kërkoi shëndet e  ajri të pastër….

Bukuritë e Bogës tani janë të njohura për shumëkënd, andaj nuk desha të merrem këtë herë me të mirat që dihen. Ato që ceka, nuk e kanë vendin të fusin rrënjët në sytë e turizmit tonë… Hapni sytë zyrtarë!….

FSHATI STANKAJ  NJË BUKURI QË VRET…..

Në vitin 1973 kam qenë për herë të parë në fshatin Stankaj të Rugovës. E kisha një mik atje. E kam edhe sot. Verës jeton në Stankaj, vjeshtë e dimër në Pejë. Është rapsodi Hysen Kurtaj, ai miku im i vjetër.Shkova sërish këto ditë për ta vizituar.  Një ditë qëndrova në Stankaj,në Kullën Alpine dykatëshe, me guri. Ishte bukuria e gjithë atyre bjeshkëve. Përfaqëson arkitekturën e kullave të rëndomta të traditës infrastrukturore, me frënxhi dhe çdo pamje tjetër. Ishte një kullë magjepsëse në ato maje të larta, si simbol, ku rezistenca ndaj armikut ka qenë e fortë denbabaden në trojet e Rugovës. Rugova ka një histori të veçantë. Shumë gjak është derdhur në mbrojtje të atij kufiri me Malin e Zi. Rugovasit e plavianët ende nuk i dinë varret e familjarëve të vrarë për atë copë tokë,megjë. Edhe në ditët e sotme këndohen këngë me lahutë për ato lufta të tmerrshme me malazezët.

Ky fshat i Rugovës së Pejës ,ka pamje shumë të bukur ,i ndërtuar në dy shpate(maja) të larta, në mes një përrua i cili gërgëllon këngë ninullash  të lashtësisë, ndërsa pishat e larta freskojnë jetën e banorëve shtatë hedhur. Rruga e asfaltuar i ngjan një shirit të filmi që nuk ngopesh së shikuari….

Pamje e fshatit Stankaj të Rugovës,një bukuri e rrallë. Larte,lagja Lulaj,pika e kufinit me Malin e Zi. Atje e derdha shikimin dhimbshëm edhe unë…..

Sa ishim në kullën e mikut tim,rapsodit Hysen Kurtaj,kaluam çaste të këndshme,duke pirë kafe e bërë llafe. Dreken e shijuam me nga një mazë të zier ,përgatitur allarugovçe,të cilën do e mbaj mend shumë gjatë. Pastaj kërkova që rapsodi të interpretoi dy këngë ,një me lahutë e tjetrën me çifteli. Asgjë nuk kursente që të ma plotësonte dëshirën si mik,  por edhe si traditë në pritje të mikut.

Pas dreke dolëm të shikojmë bukuritë rreth e rreth Stankajve.  Sapo e pyeta për “kofinin e ri”, ai disi, u mërrol në fytyrë,iu kërleshen vetullat e trasha e të zbardhura, si me pritëse më tha: “ i shikon ato dy shtëpi afër njëra tjetrës në atë shpat?- drejtoi gishtin kah lagja Lulaj?- Po i them! Eh ,aty kanë sjellë kufirin e ri, më tha Hyseni, dhe vari shikimin drejt tokës, i mllefosur….Ishte në Çakorr ,përtej Shekuracit ,tani na “erdhi” në oborr të shtëpive…Është derdhë gjak betejave për megja, për vatan, e po i humbim në tavolina bisedash…Kështu kishte pas qenë kjo histori e jona mikë-më tha Hyseni me tërë mllefin e mbledhur mushkërive. Nuk u ndal pa më treguar vargun e një kënge që e këndonte Dervish Shaqa:” na u ka rrasë hasmi te dera…..”

Në mbarim të vizitës së mikut tim,z.Hysen Kurtaj, evokuam edhe kujtimet që na lidhin që nga mosha e re, peripecitë e gjitha atyre viteve që kishim përjetuar pa u takuar,të cilat ishin një jetë e tanë kujtimesh të  këndshme por edhe të vështira.

Në fund, para se të përshëndetemi, miku im më tha: “ mos e le me  këtë vizitë, eja përsëri, se po mos të kishim kaluar aq bukur së bashku, kurrë nuk do ishim takuar…..”

Bujaria e mikut, bukuritë e fshatit, flladi i pishave të asaj lugine, u nguliten në kujtesën time. Një përjetim i tillë mbetët kujtim i paharruar.

 

Gjakovë,

17.gusht,2020