Nëse uniforma e xhandarmërisë serbe ishte e maskuar, nuk do të duhej të ishin aq të maskuara përpjekjet e institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës (MPB) në relativizmin e këtyre ngjarjeve, sidomos të efekteve që ato mund të sjellin në procesin e dialogut me Serbinë, që assesi të përfundojë.
Nga Mehmet PRISHTINA
Jo gjithmonë partnerët qeverisës në qeveritë demokratike të botës kanë qëndrime identike për çështje e tema të ndryshme, por për një zhvillim kaq problematik, siç ishte shkelja e sovranitetit territorial të Kosovës nga uniforma dhe çizmja serbe, nuk mund të trajtohet me dy kuti nga ana e dy partnerëve qeverisës (LDK-AAK), siç po ndodhë tani me deklaratat kontradiktore të Agim Veliut, ministër i Brendshëm dhe Meliza Haradinaj –Stublla, ministre e Jashtme .
Ja si tingëllojnë paradoksalisht kontradiktore dy deklaratat e dy ministrave të të njëjtes qeveri.
Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka thënë se hyrja e xhandarmërisë serbe në Karaçevë ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët rutinor i KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë.
“Nga Gjenerali Risi u njoftova se KFOR-i ishte alarmuar për këtë incident nga raportimet e mediave, pasi që një veprim i tillë ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët rutinor dhe i sinkronizuar i KFOR-it dhe i Forcave të Armatosura të Republikës së Serbisë, me të cilat që nga viti 2008, KFOR-i zhvillon patrullime të përbashkëta përgjatë vijës kufitare. Pra, ky ka qenë vetëm një patrullim i përbashkët”, ka shkruar Veliu. Sipas Veliut, aktivitete të tilla të sinkronizuara mbahen si me forcat serbe ashtu edhe ato të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të evitohet çfarëdo përplasje ndërmjet pjesëtareve të dy forcave.
Por, MelizaHaradinaj-Stublla përmes një postimi në llogarinë e saj “Facebook” del me një qëndrim krejt tjetër, jo vetëm duke kundërshtuar kolegun e tij Veliu, por edhe duke sqaruar se çka nënkupton patrullimi i sinkronizuar.
“Patrullimi i sinkronizuar nënkupton që secila forcë ushtarake vepron brenda territorit të vet dhe nuk e kalon kufirin. Palët dakordohen të lëvizin përgjatë vijës kufitare, dhe në kohë të caktuar e njoftojnë njëra tjetrën për atë se çka kanë hasë në terrenin e tyre gjatë patrullimit të sinkronizuar”, ka shkruar ajo, duke theksuar se ngjarja e 7 gushtit në Karaçevë nuk rezulton të jetë patrullim i sinkronizuar, por siç thotë patrullim i përbashkët me Serbinë, për të cilin nuk ka askush mandat e as autorizim.
Jogatishmëria për të demonstruar një kapacitet më efikas shtetndërtues në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, duke u fshehur gjithmonë pas Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës dhe Rezolutën 1244, flet me tepër për neglizhencë institucionale, se sa për respektim të marrëveshjeve ndërkombëtare. Sepse as në Marrëveshjen e Kumanovës as në Rezolutën 1244 nuk shkruan askund se patrullimet serbe duhet të ndodhin në brendi të territorit të Kosovës (por jashtë saj, përgjatë vijës kufitare). Gjithashtu askund nuk thuhet se mbi këto patrullime institucionet qendrore të Kosovës duhet të njoftohen vetëm përmes mediave, siç edhe po ndodhë, ndonëse do të duhej të kishte një njoftim paraprak zyrtar, me ç’rast jo vetëm institucionet lokale dhe qendrore, por edhe popullata vendore do të njoftohej mbi këto fiskultura të trupave serbe, sikur të ndodheshin në ndonjë palestër sporti, të braktisur që moti nga pronari.
Nga raportimi i mediave kuptuam se banorët me lokalë me ankth e kishin pranuar këtë paraqitje të xhandarëve serbë afër pronave dhe shtëpive të tyre. Këta mysafirë të paftuar me uniformë të maskuar në pikë të sabahut, banorëve lokalë ua kujton kohën e keqe të okupimit.
Nëse futja e xhandarmerisë serbe në territorin e Kosovës paska qenë, sipas Agim Veliut “vetëm një patrullim i përbashkët rutinor i KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë”, atëherë shtrohet një pyetje e logjikshme: Pse ndodhi reagimi zyrtar i Kosovës vetëm pas raportimit të mediave dhe pse kjo nuk u bë në një formë dhe në një kanal tjetër, duke ushtruar autoritetin dhe kompetencat institucionale kundrejt partnerëve tanë ndërkombëtarë, përfshi edhe NATO-n (KFOR-in). Sepse nëse vazhdohet kështu që ministrat tanë të njoftohen përmes mediave dhe rrjeteve sociale, atëherë i bie që Qeveria jonë po shndërrohet në një Qendër mediale, përmes së cilës njoftohen post festum qytetarët e saj mbi zhvillimet që ndërlidhen me Serbinë brenda territorit të Kosovës.
Një qasje e tillë, jo vetëm që është e papranueshme, por edhe skandaloze për faktin se mandati i një qeverie nuk është të ushtrojë vetëm kompetenca të kufizuara institucionale (si në rastin e menaxhimit të zonës kufitare), por edhe të amortizojë pasojat që mund të cenojnë sigurinë nacionale të vendit.
Nëse uniforma e xhandarmërisë serbe ishte e maskuar, nuk do të duhej të ishin aq të maskuara përpjekjet e institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës (MPB) në relativizmin e këtyre ngjarjeve, sidomos të efekteve që ato mund të sjellin në procesin e dialogut me Serbinë, që assesi të përfundojë.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës obligon çdo zyrtar dhe çdo segment institucional që të mbrojë pacenueshmërinë e territorit të Kosovës. Në Karaçevë para kamerave të sigurisë së një restoranti, ndodhi ky cenim territorial, por ende nuk kemi përgjigje nëse dikush nga autoritetet në Prishtinë e ka shkelur me të dy këmbët Kushtetutën dhe për rrjedhojë duhet t’iu nënshtrohet përgjegjësive ligjore e politike.
Prishtinë, 10 gusht 2020