Nga Idriz ZEQIRAJ

Kohëve të fundit u përgojuan, në kontekstin negativ, dy nga mjeshtërit e letrave shqipe në Mërgatë: Prof. Dr. Ernest Koliqi dhe Prof. Dr. Martin Camaj, nga këlyshërit e komunizmit Auron Tare dhe Ardian Ndreca. Ata akuzuan Koliqin dhe Camaj se kishin bashkëpunuar me shërbimet e huaja informative, agjenturore. Qëllimi është për ta rehabilituar, sado pak, diktatorin filosllav Enver Hoxha dhe epokën e tij kriminale kundra-kommbëtare.

Në mbamendjen shqiptare, të përcjellur ndër breza, kujtohen tre ministrat e shquar të Arsimit, që kanë shërbyer në vitët `20-a, `30-a, e `40-a, përkatësisht, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi dhe Ernest Koliqi. Koha kur Koliqi drejtonte Ministrinë e Arsimit, ishte e veçantë, sepse ishte kohë lufte, pushtimi italo-gjerman. Koliqi ishte figurë shumëdimensionale: mësues, gazetar, përkthyes, shkrimtar, politikan e deri ministër.

Atdhetarët shqiptarë, të cilët Enveri me shokë i anatemoi dhe ke e zuri, i sakatoi, me plumb e burg, bindën pushtuesit se Shqipëria ka kufinj etnik dhe se aspirata e popullit shqiptar, është bashkimi i tyre. Mirëkuptimi nuk mungoi dhe Shqipëria Etnike u bë. Ishte kohë e artë për shqiptarët. Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, i mbështetur fort nga kombëtarët pushtetarë të trojeve shqiptare, e shfrytëzoi, në mënyrën më të mirë të mundshme, kohën e shqiptarëve të bashkuar, siç njihet, krenarisht, Shqipëria Etnike. Ai hapi shkollat shqipe në të gjitha trojet shqiptare, pra, edhe atje ku nuk kishin ekzistuar kurrë.

Përzgjodhi kuadrin më të mirë, më profesional arsimor, që nga Gjirokastra, deri në Shkodër dhe i dërgoi në trevat shqiptare, që nga Tetova, anekënd Kosovës e deri në Pazarin e Ri (Sanxhak). Ata u pritën si heronj, shenjtorë dhe u shquan në misionin e tyre arsimor dhe atdhetar. Punuan devotshmërisht deri në vitin 1948, kur Shqipëria si bisht i Rusisë të Stalinit, i prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë e Titos. Ata që u kthyen në Shqipëri, u përplasën internimeve  dhe burgjeve. Personalisht, me disa syrësh, kam qenë bashkëvuajtës edhe në vitet `70-a e `80-a, në burgjet e Shqipërisë staliniste.

Për misionarët e arsimit në Kosovë, rëndonin dy akuza politike:

1) Mbështetës të nacionalizmit shqiptar në Kosovë;

2) Antijugosllavizmi, rrjedhimisht, kundër komunizmi i tyre

Disa nga mësuesit, misionarët e arsimit të ministrit Koliqi, mbetën përjetësisht në Kosovë. Ndër ta Mehmet Gjevori, mësues dhe hartues i teksteve shkollore; Tajar Hatibi, mësues dhe drejtues shumëvjeçarë i revistave për fëmijë dhe nxënës shkollarë; gjirokastritët: Malo Gami kuadër arsimi dhe artist; Apostol Tanefi, profesor i matemarikës, i cili bëri vetëvrasje në Prishtinë, i provokuar nga UDB-a, dhe të tjerë, përfshi edhe vajza, të cilat krijuan familje në Kosovë dhe Iliridë – Maqedoni.

Organizimi i arsimit shqiptar, jashtë Shqipërisë londineze, pra, në Shqipërinë e Bashkuar, në Shqipërinë Etnike, si nismë, i takon, pikërisht, Ernest Koliqit, ministër i Arësimit në atë kohë.

Në gjysmën e dytë të viteve `60-a, më ra në dorë Revista “Shejzat”, me botues vëllezërit Ernest dhe Viktor Koliqi. Aty mësuam edhe adresat e Koliqit dhe Martin Camaj, kryeredaktor i revistës “Shejzat”. Bashkënxënës, pastaj bashkëmësues me Ibrahim Rugovën, vendosëm t`iu shkruajmë, për t`u abonuar, pajtuar në revisën “Shejzat”. Unë i shkrova Ernest Koliqit në Romë, ndërsa Ibrahim Rugova i shkruajti Martin Camaj në Mynih, Gjermani.

Përgjigja ishte pozitive, dashamirëse dhe vëllazërore. Fillimisht letra falenderimi, për interesimin tonë, pastaj na dërguan revistën “Shejzat”, botim periodik. Koliqi më dërgoi kompletin e veprave të tij, mes tyre edhe romanin  më të ri “Shija e bukës mbrume”. Kompletin ia dhashë Ibrahimit për lexim dhe ka mbetur në bibliotekën e Tij.

Ali Rugova, xhaxhai i Ibrahim Rugovës, ishte me arsim të lartë, kishte qenë edhe pjesë e Luftës së Dytë Botërore, por ishte vetëm nëpunës në komuë, për arsye biografike, ngaqë i kishin ekzekutar babain Rrustë dhe vëllain Ukë Rugova, nuk gëzoi asnjëherë pozitë meritore. Bacës Ali ia dhashë revistën “Shejzat” për lexim, pastaj më foli, me shumë simpati e admiratë, për rolin e ministrit Koliqi, në hapjen e shkollave shqipe, në ish-trevat e pushtuara nga Mbretëria serbo-kroato-sllovene, përgjatë kohës të Shqipërisë së Bashkuar.

Unë ika në Shqipëri. Në çantën e dorës më kishte mbetur një letër e Ernest Koliqit, ku veç tjerash, më ofronte përkrahje për studime në Romë. Kalimi filtërues, hetues, izolim në burg, zgjati disa muaj. Letra e Koliqit ishte befasi për hetuesit shqiptarë. Pyetjet rreth letrës dhe vet Koliqit, ishin ngulmuese, edhe pse unë shpjegova se lidhja me Dr. Koliqin, është, thjesht, kulturore. Njëri nga hetuesit, anatemoi jo vetëm Koliqin, por, edhe konfesionin, besimin katolik, me fjalë jashtë çdo etike! U tmerrova nga urrejtja e Tiranës zyrtare, për intelektualin elitë, ish-ministrin e Arsimit, Prof. Dr. Ernest Koliqin!

Hija e letrës së Koliqit, do të më ndiqte përgjatë dekadave të jetës sime në Shqipërinë komuniste. Letra ishte edhe pjesë e akuzës edhe në gjyqin e mëvonshëm, dënimin tim dhe vuajtjen në burgjet shqiptare, përfshi edhe Burgun e Burrelit. Akt-akuzës time iu shtuan edhe Fishta, Camaj, Et`hem Haxhiademi dhe shkrimtarë të tjerë të anatemuar.

Martin Camaj ishte mësues në Malësi. Terrori komunist në Shkodrën e kulturës, ishte në krye të listës ndëshkuese. “Ndërsa në Cetinje pashë njerëz duke ndjeur kafeneve dhe bredhur rrugëve të pa cak, në Shkodër gjeta art, kulturë dhe jetë”, – shkruan studjuesja dhe kronikania angleze, Edith Duchan, në librin e saj “20 vjet ngatërresa ballkanike”.

Camaj nuhati survejimin, përgjimin e Sigurimit dhe iku në Jugosllavi, Kosovë. Atje botoi dy vëllime me poezi: “Nji fyell ndër male” dhe “Kanga e Vërrinit”. Njerëzit e letrave në Kosovë, flasin në supërlativë për sjelljen korrekte, si njeri i dashur dhe shumë xhentil. Prej andaj, përmes Zyrës të Emigracionit, emigroi në Itali, ku gjeti mirëpritjen e vëllezërve Koliqi. Në vitin 1960 zhvendoset në Bavarinë gjermane, në Mynih. Aty themeloi Katedrën Albanalogjike, të cilën e drejtoi deri në amëshimin e tij.

Martin Camaj përgaditi kuadrin përkatës të Katedrës Albanologjike, përfshi edhe studjues të huaj. Më vonë, më 2001, Katedrën e drejton Bardhyl Demiraj, i biri i Profesor Shaban Demiraj, ish-pedagog në Universitetin e Tiranës. Krenohem se isha student i tij. Profesor Bardhylit më së miri i shkon ajo shprehja: “Më bëj baba të të ngjaj”. I përgaditur shkencërisht, intelektual i kompletuar, i përkushtuar për Katedrën, kopja më e mirë e Profesor Camaj, duke e lënë Katedrën në duar të sigurta.

Universiteti i Mynihut, pranë të cilit funksionon Katedra Albanologjike, kohë më parë, organizoi një Mbremje Përkujtimore, për të tre letrarët e anatemuar dhe të përsekutuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës në Shqipëri: Martin Camaj, Frederik Repshja, Jamarbër Marko, djali i vetëm i shkrimtarit Petro Markos. Një sallë, me pagesë-hyrëse, si në teatër, me auditor domëthënës, që dominohej nga pedagogë Universiteti, por, edhe shqiptarë. Kolegët folën me admirim për Camaj dhe bashkatdhetarët e tij Repshja e Marko.

Në drejtim të Akademisë Përkujtimore, veç tjerëve, ishte edhe përkthyesi i mirënjohur Hans-Joachim Lanksch. Një artist, aktor i zëshëm, deklamonte, në gjuhën gjermane, vargjet e të anatemuarëve, që u kishin kushtuar me humbje të lirisë autorëve poetë. Një nxënës kolegji, me prindër shqiptar e gjerman, shoqëronte në piano me muzikë klasike. Nuk mbeti sy pa u përlotur, të moshuar e të moshuara qanin me ngashërim. Ne përjetuam dy ndjenja njëherësh: dhimbjen dhe krenarinë, kur të huajtë lotonin për bashkëkombasit tanë. Camaj, Repshja e Marko, të cilët ikën kësaj bote, pas një vuajtje persekutuese, duke mos lënë as trashëgimtarë, fëmijë.

Çuditërisht, ajo natë dimri në Mynih, ishte me dëborë e fërfllazë të veçantë, si simbolikë e jetës furtunë të tre letrarëve të persekutuar!

Dalja nga salla e Akademisë Përkujtimore, ngjasonte me largimin nga një varrim mortor. Një dëborë e dendur, në orët e vona të natës, e shoqëruar me temperaturë të ulët, kishte ngrirë nga avullimi i një pusete të zgavëruar, në trotuarin e rrugës, sapo kisha dalë nga metroja. I shkujdesur, deri në përhumbje të vëmendjes, nga lajmi se shoku im i studimeve, më vonë, edhe i burgut, Jamarbër Marko, ishte amëshuar e shuar kësaj bote, papritmas, rrëshqita, duke u plandosur për tokë, në krah. Dhe, me urgjencë përfundova në spital. Operimi rezultoi i pasuksesshëm, duke mbetur plagë që kufizon funksionimin normal të krahut, madje, përjetësisht.

Martin Camaj u inkuadrua natyrshëm në shoqërinë gjermane. Krahas studimeve albanologjike, njëherësh, edhe pedagog aktiv, ai vazhdoi me sukses krijimtarinë letrare, e cila u botua në shqip, gjermanisht dhe gjuhë të tjera. Krijimtaria e tij është begati artistike e dy popujve miq, e dy vendeve, njëri atdhe lindak dhe tjetri atdhe i dytë, ku kaloi shumësinë e viteve të jetës.

Ndonse nuk pati fatin të rriste fëmijë, Camaj e përmbushi këtë boshllëk me shoqen e tij gjermane, Erika, në Lenggries, periferi e Mynihut, një bashkëjetësi ideale, me një mirëkuptim për lakmi. Ajo priti dhe përcolli shokët dhe miqtë e shumtë të Camaj, sipas traditës shqiptare. Dhe, në nderim të tij, do ta vizitonte edhe Familjen Camaj, në fshatin e tij të lindjes. Sikur plotësoi pengun e madh të Martinit të saj, të Martinit tonë, për ta parë Temalin e tij, Dukagjinin me reliefin e përthyer e piktoresk, Shkodrën nammadhe dhe Shqipërinë shenjtërore, tashmë, demokratike. Atëherë kur pengesa politike u hoq, shëndeti i Camajt u përkeqësua dhe nuk mund të udhëtonte. Biblioteka e pasur e Martin Camaj, ka qenë një tjetër ngushëllim dhe plotësim i asaj zbraztësie, që të krijon mërgimi i përjetshëm.

Profesorët Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, shumë të nderuar dhe të dashur, deri në adhurim, nga shqiptarët e kudondodhur, përgjatë jetës së tyre të gjatë dhe gjithë përmallje, larg Shqipërisë së tyre, përkushtimin e parë e kanë pasur Atdheun, Shqipërinë Etnike. Shërbimi i tyre karshi Atdheut, ka qenë i qartë, i pastër si loti: kundër diktaturës së egër të ideologjisë sllavo-ruse të bandës të Enver Hoxhës si dhe kundër ripushtimit të Kosovës dhe trevave tjera shqiptare në vitin 1945.

Ata u strehuan në vendet demokratike dhe nuk janë vënë para kushtit: “Ose me ne, ose kundër nesh”, siç ka ndodhur, në shumë raste, me emigrantët politiktë, të cilët ikën në vendet me regjime të egra komuniste. Andaj, lufta politike e Koliqit, Camaj dhe bashkëmendimtarëve të tyre, ka qenë publike dhe aspak konspirative, siç shpifin e manipulojnë sot nostalgjikët e komunizmit.

Veprimtaria politike, atdhetare, edukative, studimet historike dhe gjuhësore si dhe krijimtaria gjysmë-shekullore letrare e Prof. Dr. Ernest Koliqi dhe Prof.Dr. Martin Camaj, e lënë si trashëgimi brezave shqiptarë, i bëjnë ata të pavdekshëm dhe lavdiplotë.

Shpifjet monstrume të këlyshërve të ideologjisë së kuqe sllavo-ruse, si Ardian Ndreca, Auron Tare dhe të tartarëve të tjerë, kundër Profesorëve me personalitet dhe integritet të veçantë, janë lehje në hënë. Ata janë në linien e etërëve të tyre ideologjikë, të cilët përfunduan karrierën kriminale turpshëm e rrugaçshëm. Në kohët e mugëta të ideologjisë satanike komuniste, Tare e Ndreca mund të kafshonin tërbueshëm. Fatlumërisht, mbetje të tilla i përkasin një kohe të perënduar, edhe pse tendeca për rikthim nuk mungon, siç dëshmon përçapja e zhbërjes të pluralizmit partiak, pas tri dekadave, në Shqipëri, viteve të fundit!