Ballina Aktualitet Popujt e Ballkanit kanë dëshirë më të madhe se qeveritë për bashkëpunim

Popujt e Ballkanit kanë dëshirë më të madhe se qeveritë për bashkëpunim

 

Situata aktuale në terren në Ballkanin Perëndimor lejon veprime të guximshme politike, thotë në intervistë për DW Dr. Gjergj Murra, Drejtor Ekzekutiv i Western Balkan Fund.

DW: A ka ndryshuar për mirë mentaliteti i njerëzve lidhur me bashkëpunimin rajonal në sajë të nismave në kuadër të Procesit  të Berlinit për përshpejtimin e ritmeve të progresit të 6 vendeve të Ballkanit  Perëndimor (BP) në rrugën e tyre  drejt BE? Çfarë kontributi jep Western Balkan Fund , (WBF) që është një produkt i këtij procesi?

Dr. Gjergj Murra: Pa dyshim, vitet e fundit, ka një mentalitet dhe vizion të të ri për bashkëpunimin në BP. Western Balkan Fund është një tregues i qartë për këtë. Si një organizatë ndërqeveritare, gjithë-përfshirëse me seli në Tiranë , e krijuar nga qeveritë e 6 vendeve të BP, në vjeshtën e vitit 2015, në kuadër të Procesit të Berlinit WBF ajo jep kontribut në afrimin e rajonit me BE. Brenda një kohe relativisht të shkurtër WBF po shndrrohet në një aktor aktiv rajonal për forcimin e marrëdhënieve mes qeverive të 6 vendeve – Bosnjë- Herzegovina, Mali i Zi, Maqedoni, Kosovë, Serbi dhe Shqipëri – me një fokus të veҫantë  në bashkëpunimin dhe rritjen e kontakteve  mes njerëzve në rajon. WBF hapi rrugën e një përqasjeje shpresëdhënëse në BP- për herë të parë  6 vendet e rajonit u bënë bashkë – themeluese të një organizate. Nuk ishte e lehtë që Serbia  dhe Kosova të pranonin njëra –tjetrën, si palë të barabarta, në një organizatë rajonale. Tanimë është  kuptuar se njohja më e mirë mes njerëzve, popujve fqinjë  është ҫelësi që hap dyert e forcimit të bashkëpunimit rajonal. Sa më shumë të njohim njëri-tjetrin, të kuptojmë se ato që na bashkojnë si popujt fqinjë janë më të rëndësishme se ato që na ndajnë, aq  mirë do të luftojmë paragjykimet ndaj njëri tjetrit, aq më shumë do forcojmë bashkëpunimin, aq më shpejt do ecim përpara.  Këtë mundësi e krijon edhe WBF,  një produkt 100% rajonal dhe në pronësi 100% të rajonit, duke mbështetur projekte të përbashkëta rajonale.

A ka interes për të tilla projekte?

Shumë. Përtej pritshmërive tona. Na rezulton që njerëzit në BP duan të bashkëpunojnë më shumë sesa duan qeveritë, që kanë vullnet dhe gadishmëri më të madhe sesa qeveritë. Mendoj që kjo dëshirë e madhe për bashkëpunim është një mesazh, që politikanët e këtij rajoni duhet ta shikojnë me shumë seriozitet.  Në thirrjen e parë na erdhën 350 projekt-propozime rajonale me rreth 1200 partneritete mes  6 vendeve të rajonit. Kriteri është që ҫdo organizatë apo institucion që aplikon të ketë të paktën edhe 2 partnerë në rajon. Numri i partnerëve për projekt doli 3.7, madje pati edhe projekte me 10-12 partneritete. Ka energji, vullnet pozitiv tek popujt e BP për të tejkaluar kufijtë, qofshin fizikë apo  në mentalitet, që duket sikur janë të mëdha, por po dëshmohet që nuk janë të tilla.

Si e shihni situatën në rajon edhe si një diplomat me përvojë që tani drejtoni WBF? A është në favor të kësaj dëshire, vullneti?

Situata në rajon ka ulje -ngritje, por mendoj që gjithsesi trendi është pozitiv. Nayrisht, marrëdhëniet dypalëshe, acarimi apo normalizimi i tyre ndikojnë pozitivisht apo negativisht edhe në procesin e bashkëpunimit rajonal. Bashkëpunimi shumëpalësh në BP, pjesë e të cilit është edhe WBF, padyshim ndikon pozitivisht në zbutjen e mosmarrveshjeve dhe lehtësimin e marrdhënieve  dypalëshe. Nga përvoja e WBF rezulton që marrdhëniet mes qeverive, retorika e  politikanëve nuk e ul dëshirën e njerëzive për bashkëpunim. Fakti që WBF, edhe  pse është një organizatë relativisht e re, ka mobilizuar vetëm në periudhën 2017-2018 më shumë se 3000 organizata në BP, që bashkëpunojnë me njëra tjetrën flet më së miri për këtë. Politikanët  duhet t’i kenë më mirë parasysh tregues të tillë: duhet të kuptojnë që ka një terren që shtyn për më shumë bashkëpunim, më  shumë njohje ndërmjet njerëzve në rajon. Ka hapësira shumë të mëdha për bashkëpunim, që lehtësojnë edhe vendimmarrjen politike. Nëse ka një vullnet politik për të ecur përpara, është  situata në terren, që lejon edhe veprime të guximshme politike  që ҫojnë në forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Si po mbështet konkretisht WBF Procesin e Berlinit?

Fjalët kyҫ të Procesi të Berlinit janë tre: rritja e konektivitetit në BP, liberalizimi i tregtisë, rritja e mobilitetit. WBF është pjesë e Procesit të Berlinit, në mbështetje të tij në atë që njihet si „Soft Connectivcity” ose ndryshe bashkimi i njerëzve, rritja e mobilitetit.  Rajoni mund të ketë super infrastrukturë, rrugë, autostrada, hekurudha moderne, por nëse nuk janë njerëzit që t’i  përdorin, kjo nuk ka vlerë. WBF ndihet i inkurajuar nga mbështetja e Gjermanisë në Procesin e Berlinit , jo vetëm ndaj infrastrukturës fizike por edhe rritjes së kontakteve dhe lidhjeve njerëzore  në rajon. Ne mbështesim  projekte në 3 fusha : kulturë, arsim/ kërkim shkencor, zhvillim ekonomik me theks të veҫantë tek mbrojtja e mjedisit. Pjesa më e madhe e projekt-propozimeve është në fushën e kulturës, kultura nuk njeh kufi , njerëzit përmes saj njihen dhe lidhen. Kurse shkëmbimet e studentëve, institucioneve shkencore dhe shkencëtarëve në rajon janë  ende në nivele të ulta.

Cilat janë sfidat e WBF në 2019?

Të njohim edhe më mirë njeri-tjetrin, të punojmë edhe më shumë së bashku, të ecim edhe më shpejt në krijimin dhe pasurimin e identitetin rajonal si vlerë drejt të ardhmes europiane. Këtu shfaqen edhe sfidat e 2019. Në krye të tyre është ajo financiare, pa lënë mënjanë klimën politike dhe  mosmarrëveshjet dypalëshe. Kërkesat e njerëzve, shoqërive civile, institucioneve arsimore / kulturore në 6 vendet e rajonit, për të bashkëpunuar janë më të mëdha sesa mundësitë e WBF.  Kemi një fond të  vogël, në raport me këto kërkesa, që formohet nga kuota financiare të 6 qeverive të BP. Ekziston rreziku potencial që shifrat e ulta të mbështetjes nga WBF të dekurajojnë aplikimet në të ardhmen.

Në thirrjen e parë mbështetëm  vetëm 5 %  të projekt-propozimeve ose 18 syresh nga 350 në total. Sivjet do të mbështesim 24 projekte pasi 6 qeveritë vendosën dyfishimin e kuotës. Ky është një zhvillim pozitiv, që  i shërben asaj që ne e quajmë „Regional  Ownership in Action – Pronësi Rajonale në Veprim.”  Por shifra mbetet përsëri e ulët pasi ajo mbulon edhe kostot financiare të ekspertëvë rajonalë të Sekretariatit të WBF,  që duhet të shkojnë në terren, atje ku projektet zbatohen. Këtë vit po shikojme mundësi të bashkëpunojmë  me donatorë të tjerë, por pa ndryshuar në mënyrë rigoroze fizionominë, objektivat dhe misionin e WBF. Ideja është të financojmë edhe programe afatshkurtra në shkëmbimet e studentëve, të japim bursa  studimi, të mundësojmë shkëmbimet e vlerave  kulturore në kryeqytetet e 6 vendeve të  BP. /Ani Ruci / DW/