Ballina Histori 2020 VITI I AT GJERGJ FISHTËS

2020 VITI I AT GJERGJ FISHTËS

 

    8o VJET

1940 – 2020

AT GJERGJ FISHTA O.F.M.

ASHT MENDJA, ZEMRA E

SHPIRTI I

POPULLIT SHQIPTAR !

                                                             PLLAKAT NGA FRITZ RADOVANI (2019)

Vllazen e Motra Shqiptarë!

 

Me daten 22 Nandor asht Dita e Alfabetit Shqip, që u punue në Shoqninë “Bashkimi” të Shkodres në vitin 1908, nga Poeti Kombtar At Gjergj Fishta, dhe u aprovue në Kongresin e Manastirit.

Ai Alfabet na mësoi me shkrue fjalët Nanë, Babë e Shqipni…

Veprat tjera të Atdhetarit At Gjergj Fishta i sherbyen gjithmonë Bashkimit Shqiptarve nen tingujt e Hymnit Flamurit Kombtar, Flamurit të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!

Në këte 80 vjetor që i madhi At Fishta mbylli sytë pergjithmonë, mendoj se, Shqiptarët duhet të kujtojnë Veprat e Tij të Perjetëshme tue i kushtue:

 

“VITIN  2020  VITI  I  AT  GJERGJ  FISHTES”

Melbourne, 20 Nandor 2019.                              Me respekt, Fritz RADOVANI

Kujtoj…Sot, mbas sa vjetësh:

“At FISHTA asht shkambi ndriçues i dijes, arsimit dhe i kultures atdhetare Shqiptare.”

                                                               F.RADOVANI

Disa porosi të At Fishtës per shkollat tona:

“Gjithshka per gjuhen dhe shkollen Shqipe”

SHOQNIA “BASHKIMI” SHKODER 1899

Profesor Norbert Jokli ka thanë:

“Me At Gjergj Fishten gjuha shqipe u rrit, u madhnue u ba zonjë. Me At Gjergjin kryetar në Kongresin e Manastirit u caktue njiher’ e pergjithmonë nji alfabet per mbarë Shqipninë, vendim ky me shumë dobi. Me At Gjergjin xuni fill shkolla me shqipen gjuhë mësimi.”

Kur At Fishta mori drejtimin e shkollës Françeskane në vitin 1902 në Shkoder, ajo ishte shkolla e parë ku mësimet u dhane në gjuhen Shqipe. Ai shprehu gëzimin e madh tue cilsue se “aty gjuha Shqipe mësohet e rrin, jo si fëmijë i gjetun, po si nji zojë shpijet.”

At Fishta gjithnji mendonte se “pa gjuhë nuk ka shkollë dhe pa shkollë nuk ka gjuhë letrare.” Kamngulja e Tij ishte detyra parsore që me u dishmue Shqipja si nji gjuhë e stilit naltë.”

Ai gjithnjë thekson rrezikun e madh të Shqipnisë nga mungesa e kujdesit të studentave që shkojnë jashtë me studjue dhe, nuk perfitojnë sa ma shumë nga përvoja e vendeve të zhvillueme në Europë, per me e vue atë në sherbim të zhvillimit Shqiptar.

At Fishta mbetët emblemë letrare e Shqiptarve se, simbas Tij, akti i mirfilltë letrar asht piksëpari akt i mirfilltë gjuhësor.

Në 1907 At Fishta hapi kurset e natës per të rritun dhe, afer shkollës hapi Theatrin, ku shfaqjet jepeshin në gjuhen Shqipe.

Në muej Shkurt, hapi Biblioteken e parë shkollore Shqiptare.

Kamngulja e At Fishtës ishte që gjuha Shqipe duhet të jetë në të gjithë Shqipninë e detyrueme nder shkollat fillore, sepse një pakujdesi per gjuhen asht me pasoja të mëdha dhe të randa, se prej saj rrjedh jeta ose vdekja e kombit.

Gjuha e At Fishtës asht shumë e pasun me njësi frazeologjike e me larmi figurash stilistike e retorike në përputhje të plotë me parimet klasiçiste të gjuhës poetike. Një fakt që na e vërteton qëndrimin e Tij të njohun për me dishmue gjuhën Shqipe si një gjuhë të stilit të naltë po edhe të persosun.

Kenja mësues per At Gjergj Fishten asht:“Zeje e Shejtnueme”. Familja vlersohet si: “Ma i fuqishmi faktor kulture”.

Shkollen e cilson: “Tempulli i dijes” dhe “Truell i Bekuem”.

Roli i Mësuesit per zhvillim shoqnor barazohet me qeveritarë.

Nxanësit i vlerson si: “Shpnesa e njomë e Atdheut”!

Profesor Kol Prela (ish deputet, pushkatue në 1947) ka thanë: “At Fishta, bir’ i popullit, ka naltue gjuhen Shqipe në dinjitetin e artit, si dikur Homeri nder grekë e Lukreci nder romakë.

Shenim FR: Mendimet e At Fishtës per shkollat Shqipe sot, duhen studjue nga të gjitha organet drejtuese të arsimit e të kulturës mbrenda dhe jashta Atdheut. Deri kur kështu?!

Melbourne, 6 Gusht 2020.