Qyteti holandez i Utrechtit është qyteti më miqësor për biçikleta në botë. Ky është përfundimi i Bicycle Cities Index 2019, një studim i kryer nga kompania e sigurimeve dixhitale Coya.
Në kërkim u analizuan kushtet për përdorimin e biçikletës në 90 qytete të botës, duke u mbështetur në 16 tregues, të ndarë në 6 kategori kryesore: moti, përdorimi i biçikletës, kriminaliteti dhe siguria, infrastruktura, ndarja (sharing) dhe evente. Utrecht ka pranë tetë qytete europiane në top 10, së bashku me Hangzhou (Kinë), i vetmi qytet jo europian në fillim të klasifikimit.
Qytetet amerikane mungojnë në top 10. San Francisko është qyteti i parë që shfaqet në renditje në vendin e 39. Në 50 vendet e para gjenden edhe Portland e Seattle, por duhet thënë se në përgjithësi, metropolet amerikane nuk janë miqësore ndaj biçikletave.
Nuk mund të thuhet nëse kjo ka të bëjë me faktin që pjesa më e madhe e amerikanëve shkojnë në punë me makinë apo se infrastruktura për biçikletat nuk është nga më të mirat. Megjithatë, është e sigurt të thuhet se përdorimi i biçikletës për të lëvizur çdo ditë është më i përhapur në Europë sesa në SHBA dhe për këtë arsye, nuk të habit fakti që qytetet europiane mbizotërojnë në klasifikim.
Burimi: World Economic Forum & Statista