Koronavirusi po përshpejton sërish ritmet e përhapjes nëpër Europë, duke rrezikuar të përsëritjen e situatës së periudhës Prill–Maj.
Numër të lartë infektimesh ditore kanë shënuar gjatë 24 orët e fundit, vende si Greqia, Franca dhe Spanja.
Rekordin e infektimeve ditore në gjithë kontinentin e ka Spanja me 1772 të infektuar të tjerë, që i shtohen bilancit që prej nisjes së pandemisë, që arrin në total afro 306 mijë.
Rekord ditor shënoi edhe Franca me 1695 raste të reja, gati dyfishi i një dite më parë. Bëhet fjalë për shifrën më të lartë në më shumë se dy muaj.
Edhe Italia ka shënuar 385 raste të reja, po ashtu një shifër rekord që pas kalimit të valës së parë të infektimeve, dyfishi i një dite më parë.
Mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, rekordin e infektimeve ditore vijon ta mbajë Bosnja me 526 raste të reja. Greqia shënoi 124 të infektuar të rinj, shifra më e lartë që pas heqjes së masave bllokuese.
Rastet e infektimeve me koronavirus po rriten më shpejtësi në gjithë globin, që pas heqjes së masave bllokues kundër përhapjes së COVID-19. Qeveritë duket se po dështojnë me detyrimin e popullsisë të mbajë maska dhe të ruajë distancën sociale, si masa për frenimin e përhapjes. Në gjithë globin numri i të prekurve është pranë 19 milionëshit, mes të cilëve mbi 700 mijë kanë humbur jetën.