Me mijëra vetë marshuan në Berlin të shtunën për të protestuar kundër masave të vendosura në Gjermani për të frenuar pandeminë e koronavirusit, duke thënë se ato shkelin të drejtat dhe liritë njerëzore. Mes demonstruesve, që sipas një vlerësimi të policisë ishin rreth 17 mijë vetë, kishte besnikë të kushtetutës, aktivistë kundër vaksinimit si dhe një prani e vogël përfaqësuesish të ekstremit të djathtë. Protestuesit vallëzonin e këndonin “Jemi njerëz të lirë!”. Të tjerë mbanin në duar pankarta ku shkruhej: “Po bëjmë një zhurmë sepse ju po na vidhni lirinë!” si dhe “Mendohuni! Mos vendosni maska!”
“Kërkesa jonë është t’i rikthehemi demokracisë“, tha një protestues që nuk pranoi të identifikohej. “Maskat të cilat na skllavërojnë duhet të hiqen nga përdorimi”, shtoi ai.
Protestat pasuan një thirrje për miting nga Michael Ballweg, një sipërmarrës si dhe një politikan që nuk i takon kastës aktuale politike i cili ka organizuar mitingje të ngjashme në Stutgart e po kandidon për t’u bërë kryetar i bashkisë së këtij qyteti.
Policia ngriti një padi kundër organizatorit duke thënëm se dështoi të garantojë sigurinë e marshuesve, të cilët protestuan pa maska e nuk ruajtën distancën dizike mes tyre. Politikanët kryesorë e kritikuan protestën. Bashkëudhëheqësja e Social Demokratëve Saskia Esken i quajti ata “kovidiotë”, nje term që po përdoret kundër atyre që nuk zbatojnë rregullat që lidhen me pandeminë.
“Ata jo vetëm që vënë në rrezik shëndetin tonë, por po rrezikojnë sukseset tona kundër pandemisë“, shkruante zonja Esken në një postim në tweeter, partia e të cilës është në koalicionin me Kancelaren Angela Merkel.
Pas suksesit fillestar të Gjermanisë në frenimin e pandemisë, infeksionet po rriten sërish. Më shumë se 200 mijë vetë janë prekur nga COVID-19 dhe gati 1 mijë kanë vdekur si pasojë e virusit. Shumica e gjemanëve i kanë respektuar masat që përfshijnë vendosjen e maskave në ambjente të mbyllura. Qeveria sapo ka nxjerrë që urdhër që e bën të detyrueshëm kryerjen e testeve për ata gjermanë që shkojnë të pushojnë në zona me rrezik të lartë. Por një pakicë vazhdon t’i kundërshtojë kufizimet.
“Dëgjohen vetëm disa shkencëtarë në mbarë botën që ndjekin udhëzimet e drejtuesve të qeverisë“, thotë protestuesi Peter Konz. “Atyre që kanë pikëpamje të ndryshme u mbyllet goja, censurohen ose diskreditohen si mbrojtës të teorive konspirative“.