Ballina Kryesore Banka Botërore 15 milionë Euro Shqipërisë për Covid-19

Banka Botërore 15 milionë Euro Shqipërisë për Covid-19

 

Banka Botërore miratoi financimin e 15 milionë eurove për Shqipërinë për të forcuar kapacitetet shëndetësore për t’iu përgjigjur nevojave të pandemisë së Covid-19.

Financimi vjen si përgjigje ndaj kërkesës së qeverisë shqiptare dhe do të japë mbështetje të menjëhershme për të forcuar shërbimet e shëndetit publik dhe rritur kapacitetet në zbulimin dhe parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Më konkretisht projekti do të mbështes kryerjen e testimeve masive të popullsisë; sigurimin e pajisjeve për të fuqizuar zbulimin dhe gjurmimin e kontakteve, investime për pajisje për kujdesin shëndetësor dhe për laboratorët publikë, pajisje mbrojtëse për personelin mjekësor, rritjen e numrit të shtretërve në kujdesin intensiv si dhe fuqizimin e kapaciteteve për vlerësimin dhe modifikimin e kërkesave për distancimin fizik. Gjithashtu nëpërmjet këtij financimi do të trajnohet stafi mjekësor për kujdesin që duhet treguar për rastet me Covid-19 dhe për parandalimin e infeksionit.

“Banka Botërore qëndron në krah të popullit shqiptar në këtë krizë të paprecedentë. Do të doja të vlerësoja përkushtimin e jashtëzakonshëm të punonjësve të shëndetësisë në Shqipëri për të shpëtuar jetët e njerëzve dhe inkurajoj fuqishëm qytetarët të zbatojnë distancimin social dhe masa të tjera kufizuese që synojnë të minimizojnë ndikimin e pandemisë”, tha Maryam Salim, Menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë.

Gjithashtu ajo bëri të ditur se duke pasur parasysh pasigurinë e ecurisë së pandemisë, projekti është hartuar në mënyrë që të jetë fleksibël dhe të plotësojë nevojat që do të shfaqen në vijim.

Zyra e Bankës Botërore në Shqipëri bëri të ditur se përfituesi të këtij projekti do të jenë njerëzit tashmë të infektuar me Covid-19, qytetarët e rrezikuar, e në veçanti të moshuarit, njerëzit me sëmundje kronike, personeli mjekësor dhe i emergjencave.