Kosova dhe Agjencia e Inteligjencës së Bashkimit Evropian, EUROPOL, kanë nënshkruar të hënën një marrëveshje bashkëpunimi, me qëllim që të luftohen krimet e rënda.
Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, që nënshkroi këtë marrëveshje, tha se ajo do të avancojë dhe forcojë kapacitetet e Kosovës në luftimin e kriminalitetit.
“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje pune, kemi forcuar dhe avancuar punën në luftimin e krimit të organizuar, terrorizmit dhe formave të tjera të krimit”, tha Veliu.
Grupet kriminale nuk njohin kufi, tha ministri Veliu, duke shtuar se Kosova ka qenë e hendikepuar nga mungesa e informacioneve në kohë reale, me qëllim që të parandalojë këto dukuri.
“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Policisë së Kosovës dhe agjencive të zbatimit të ligjit, do t’u ofrohen mjetet e nevojshme dhe të domosdoshme për të goditur fuqishëm kriminalitetin transnacional”, tha ministri Veliu.
Veliu njoftoi se po ashtu do të nënshkruhen edhe dy memorandume bashkëpunimi me EUROPOL-in, të cilat do të mundësojnë zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
“Përmes kësaj marrëveshjeje, Policia e Kosovës trajtohet në mënyrë të barabartë ashtu si policitë e shteteve të rajonit. Njëkohësisht pritet që shumë shpejt të dërgohen zyrtarët e Policisë së Kosovës në selinë qendrore të EUROPOL-it në Hagë”, tha Veliu.
Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë në mesin e vendeve që nuk janë anëtare të BE-së, por që kanë oficerë ndërlidhës në EUROPOL.
Shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostolova tha se kjo marrëveshje rrit nivelin e bashkëpunimit midis bllokut evropian dhe Kosovës.
“Pas futjes në fuqi të marrëveshjes, ky nivel i ri i bashkëpunimit do të jetë i rëndësishëm për trajtimit të rasteve të krimit që ndikojnë në BE dhe Kosovë, siç është terrorizmi, krimi i organizuar, posaçarësisht përmes shkëmbimit të informacioneve ndërmjet EUROPOL-it dhe agjencive të zbatimit të ligjit në Kosovë”, tha ajo.
Ndërkaq, drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se Kosova tani do të ketë mundësinë që në kanale zyrtare të shkëmbejë informacione me EUROPOL-in si dhe të shkëmbejë analiza për situatën e përgjithshme që ndërlidhen me krimin.
“Ajo që është më e veçantë është se kjo marrëveshje hap rrugën e qasjes tonë në kanalet e sigurta të komunikimit të EUROPOL-it. Gjithashtu kjo marrëveshje na mundëson që ne të dërgojmë zyrtarë ndërlidhës në selinë e EUROPOL-it. Me këtë marrëveshje, ne plotësojmë akoma më shumë misionin tonë për të siguruar sundim të ligjit, për të parandaluar krimin, për të mbrojtur njerëzit dhe pronën, jo vetëm brenda vendeve tona përkatëse, por edhe në nivelin rajonal, por edhe për të kontribuar në sigurinë në nivelin evropian”, tha Qalaj.
Kosova ishte vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor, me të cilin EUROPOL-i nuk kishte marrëveshje bashkëpunimi dhe rrjedhimisht nuk ka pasur mundësi të shkëmbimit të informacioneve, me qëllim luftimin e krimit të rëndë dhe të organizuar.