Ballina Histori MACUKLLANI I DRITËSIMIT DHE VLERAVE NJERËZORE

MACUKLLANI I DRITËSIMIT DHE VLERAVE NJERËZORE

 

Nga Mevlud BUCI

Dritësimi dhe vlerat njerëzore janë dy shina, dy rrezatime që pasqyrojnë zotësinë, çiltërsinë, shpirtin e shenjtëruar dhe rrezatimin e vërtetë të provave demokratike. Koha e re dhe brezat, cilido nesh ka nevojë për dritësim e fisnikëri, brenda të cilave është atdhetaria, mirësia, humanizmi, e drejta, e vërteta, mbi të gjitha bleron thjeshtësia njerëzore, kultura intelektuale demokratike dhe vlerat, të cilat nuk vyshken kurrë. Është sa e lehtë, aq dhe e vështirë, sa e bukur aq dhe e madhërishme të shkruash për intelektualë si Skënder Gjuci i Matit. Pse? Te ky bir i Macukullit shpërfaqet dritësimi i vlerave dhe provat e fisnikërisë intelektuale, kurdoherë në sherbim të popullit, në mbrojtje dhe lartësimin e traditave, në ecjet mbi gjurmët e të parëve në vendlindje e më gjërë.

Krenari për gjurmët

Ska si gjurmët e jetës, si provat e djersës e të të vërtetës. Gjurmët janë lajtmotivi i krenarisë. Ata të japin krahë e zemër, dritëbardhësi e mirënjohje. Skënder Abaz Gjuci krenohet me gjurmët, ndonëse për vete nuk flet, kurrë nuk di të thotë çka bërë. Por për të flet tradita e kullave, flasin provat e qëndresës e të bujarisë, dritësimi i gjysh-stërgjyshërve.
Në Macukull sa herë kam shkuar në kullat e Isuf Koliqit, të Zirë Mucekut, të fisit Nelit e Gjiçi, jam befasuar me bujarinë, thjeshtësinë dhe krenarinë legjitime për brezat. Kam dëgjuar shumë për fisin Gjuci në Çurkaj, të këtij fshati madhështor, për Demë Gjucin e Sufë Demën, për Abaz Sufë Gjucin. Ajo që më la mbresa herën e fundit, ishte prejardhja e fisit Gjuci, të cilët rreth viteve 1800 u larguan nga fshati Hotesh i Luznisë së Dibrës dhe u vendosën në Çurkaj, rrezë malit të Dejës në Mat. E vërteta do dëshmitarë, se ajo flet dhe dritëson. Skënderi është krenar për gjurmët e të parëve, për traditat, për besën dhe sofrën e gjyshërve. Edhe në Hotesh, fshat i Luznisë së Dibrës (Hotesh do të thotë zjarr M. B.) janë edhe sot e kësaj dite toponimet Ara e Gjucit, Kodra e Gjucit, Përroi i Gjucit, ndonëse në këtë fis nuk ka më banorë. Fisi dhe kulla, traditat e të parëve, që nga Hoteshi i Luznisë së Dibrës e veçanërisht në Çurkaj të Macukullit janë dritësimi dhe fisnikëria që e bëjnë intelektualin Skënder Gjuci të krenohet për gjurmët e brezave. Jeta dhe puna, pushka dhe sofra, penda dhe shpirti human janë dëshmi për gjurmët e jetës, dëshmi e krenarisë njerëzore.

Kur geni dritëson genin

Te çdo kullë e fis në Macukull, cilido publicist e shkrimtar gjen mineralin e jetës, fisnikërinë dhe vlerat e rralla të kulturës popullore. Ajo që të le mbresa të thella është se më të rinjtë demonstrojnë ato tradita të etërve të të parëve, çmojnë dhe dritësojnë vlera, të cilat nuk vyshken kurrë.
Në kujtesën popullore matjane ende rron fakti se si Gjuci kishte deshët më në zë. Ndaj dhe toponimi Shkalla e Deshëve (vend historik, atdhetar e qëndrestar) ka mbetur nga deshët e Gjucit. Te ky vend, më 1913, luftuan e qëndruan matjanët kundër serbëve, si Cen Milloshi, Ahmet Koka etj. Plagët e luftëtarëve të lirisë u mjekuan në kullën e Demë Gjucit, kullë bese e qëndrese, kullë e pushkës dhe e sofrës bujare. Në këtë kullë me tre poda (kate) u lindën dhe u rritën dhjetë fëmijë të Abaz e Lihe Gjucit (Lleshit të Gërshajzës, Rremull M. B.) Ato ecën në udhët e jetës me përkushtim e krenari, me përpjekje për dituri, duke rrezatuar punë e shembëllim të traditave të kullës e të fisit, të vendlindjes, Macukullit të atdhetarisë. Ska se si të ndodhë ndryshe, se trëndafili çel trëndafilin, geni pason genin, mirësinë, diturinë e mbi të gjitha vlerat e fisnikërisë. Edhe sot në Macukull thonë: Si fëmijtë e Abaz Gjucit! Lum prindërit e lum kulla që i rriti!
Fëmijët e Abaz Gjucit secili më i mirë se tjetri, të urtë, të ditur, njerëz me virtyte e gjurmë jete. Milja, fëmija e parë, është e reja e Liman Cekës 106-vjeçar, nënë me pesë djem e një vajzë; Hazizi, i dyti, topograf, inxhinier ndërtimi e jurist. Edhe djalin e ka inxhinier elektronik, ndërsa vajzën, inxhiniere ndërtimi. Neziri është i treti, punëtor në Thumanë, me katër fëmijë si drita. E katërta ëshë vajza Drita, e martuar te Përleka. Ka tre djem. Shahini, i pesti, është punëtor, emigrant, me dy djem e një vajzë. Ndërsa Skënderi, i gjashti, ka tre fëmijë: Abelin, Ambrën dhe Deborën. Emra fëmijësh që kanë simbolikë të genit: Abeli (Abazi, Beharja dhe Lihja) emër që ka në përmbajtje babë Abazin, bashkëshorten e Skënderit, Beharen dhe Lihen, nënë e Skënderit. Kurse Dëbora do të thotë dëbora e Dejës… Emra që dritësojnë genin, dritësojnë prindërit… Naimi, i shtati, është emigrant në Itali dhe ka dy djem. Tefta është e teta, martuar te Sinani në Prell, ka djalë dhe vajzë. Ndërsa Shqipja, e nënta, martuar te Sena po në Prell, emigrante në Greqi, ka vajzë e djalë. Dhe më i vogli, Ylberi, është i dhjeti, 36-vjeçar, emigrant në Itali. Dhjetë fëmijë të Abaz e Lihe Gjucit, si dhjetë yje, me plot dritë urtie e djerse, me rrezatim mirësie e tradite të kullës së Gjucit. Lum kush rrit e kush ka fëmijë si Abaz Gjuci i Macukullit të Matit! Jeta dhe brezat blerojnë kur geni dritëson genin.

Gjurmë jete, gjurmë fisnikërie

Sa herë flasim e shkruajmë për gjurmët e një intelektuali apo të një fisi, na duket sikur jemi në një galeri me plot thesare. Të shkruash për Skënder Abaz Gjucin sështë e lehtë, sepse udhët e dijes, provat e punës, shembëllimi demokratik, hobet dhe përkushtimi i tij janë modeli i intelektualit të thjeshtë të kohës.
* * *
Skënder Abaz Gjuci u lind më 8 shkurt të vitit 1971 në Çurkaj të Macukullit. Së bashku me nëntë vëllezërit e motrën u edukua me kulturën e urtësisë dhe të kullës, me thjeshtësinë dhe bujarinë e prindërve, të të parëve të shquar për qëndresë e bujari. Babai Abazi dhe nëna Lihe edukuan te Skënderi virtytet e çmuara njerëzore dhe nxitën tek ai dëshirën për dije, respektin për traditat, për fisin e vendlindjen. Skënderi përfundoi arsimin 8-vjeçar në Macukull dhe më pas gjimnazin Hakik Fejza, sot Pjetër Budi në Burrel me rezultate shumë të mira. Pas studimit 2-vjeçar për farmacist përfundoi fakultetin për farmaci e më pas dhe fakultetin e dytë për ekologji-mjedis. Shërbeu farmacist në Macukull në vitin 1992-1994, farmacist në Derjan 1994-2007 dhe në vitet 2007-2015 drejtoi ish-komunën e Macukullit. Si kryetar i saj shpërfaqi vlerat dhe shpirtin krijues prej intelektuali demokrat dhe i përkushtuar. Nga viti 2015 e deri më sot shërben farmacist në qytetin Burrel. Së bashku me bashkëshorten Behare shëmbëllen me shpirt human e kulturë në sherbim të popullit. Edukojnë tre fëmijët: Abelin, Ambrën dhe Dëborën. Si burrë i kullës së Gjucit dhe nip i Lleshit të atdhetarisë së Gërshajzës së Rremullit, rrezaton fisnikëri e thjeshtësi prej intelektuali virtuoz e të palodhur në ballë të punëve.
Provat e Skënder Gjucit dëshmojnë se dhe në detyrën e kryetarit të komunës ai piketoi me zotësi planin e zhvillimit strategjik të komunës Macukull. Revista Komuna Macukull, Plani strategjik i zhvillimit është pasqyrë e një organizatori krijues, i lidhur me popullin, me jetën, hallet, perspektivën dhe sherbimet në komunë. Rubrikat Pozita gjeografike, Pak histori, Popullsia, Arsimi, shëndetësia, Ekonomia lokale: burimet, natyra, bujqësia, blegtoria, infrastruktura dhe shërbimet publike, rrugë, energji, kanalizime, ujësjellës, posta telekomunikacion, Qeverisja vendore, Analiza e situatës, Vizioni dhe strategjitë sektoriale, Procesi i vendosjes së prioriteteve, Realizueshmëria, dëshmi e vizionit dhe misionit intelektual”, janë gjurmë që flasin, që dritësojnë. Pra, drejtimi, votëvlerësimi tregon se është përgjegjësi shpirtkrijues, drejtuesi e mbi të gjitha përkushtimi. Këto janë gjurmë jete, gjurmë fisnikërie…

Pse krenohet Skënder Gjuci?

Një urtësi e popullit rus thotë: Ska më lumturi për njeriun që kur kthen kokën pas, nuk i skuqet fytyra nga e kaluara e tij. Skënder Gjuci kurrë nuk flet për veten, për punët. Por për të flasin provat, flet thjeshtësia e mbi të gjitha kultura e lartë dhe vizioni prej intelektuali të shquar. Ai krenohet me paraardhësit e tij, me brezat e mësuesëve që e kanë mësuar dhe edukuar, si ish-drejtorin e palodhur Hamdi Hysuka, organizator i shkollës së Macukullit (metodist, mjeshtër i drejtimit, poet i talentuar i Matit M. B.), me ish-mësuesit e palodhur Han Pasha, Sabri Leka, Adem Kasmi, Nazif Gjoka, Adem Vata, Jashar Muceku, Ramiz Doçi, Ibrahim Sela, Bajram Bukaçi… Krenohet me dajat, burra të atdhetarisë, të cilët pritën në trojet e tyre dy mijë luftëtarë me në krye Ahmet Begun (Zogun), por më vonë diktatura moniste i bëri kulakë. Gjithashtu krenohet me dajën e babës, Met Rraman Toçin, me miqtë Sulë Kurtajt, me nipat e kullës dhe të fisit Gjuci: Sulë Kurt Doda, nip i Sufë Gjucit të parë; Ali Osman Neli, nip i Demë Gjucit; Nezir Dali Hysa e Xhemal Cani: nipat e Sufës; Hysni Xhetani, nip i Ali Gjucit; Isuf Doda, nip i Met Gjucit; Arianit Bukaçi, kirurg i njohur, nip i Ymer Gjucit; Ismail Gjoka nga Shëlliu, nip i Abaz Gjucit; Nevruz Kurti nga Prelli, inxhinier pyjesh, nip i Haxhi Gjucit etj. Nipat janë drita e kullës, drita e fisit. Krenari legjitime, gjurmë që dritësojnë jetën, dijen, traditat dhe fisnikërinë.
Dija dhe puna, përkushtimi intelektual dhe shembëllimi demokratik ndaj detyrave kanë bërë që Skënder Abaz Gjuci të shpërfaqë provat dhe dashurinë për vendlindjen, për traditat, për toponimet rrëzë Dejës e më gjërë. Hobet e tij janë historia, kultura dhe arkeologjia. Me gjurmët e punës dhe të traditave, me atdhetarinë e brezave të kullës së Gjucit e të trevës së Matit e më gjërë, me udhët e dijes e të shpirtit krijues, krenohet Skënder Gjuci i Macukullit, që dritëson mirënjohje, humanizëm dhe fisnikëri, mbi të gjitha dritëson vlerat njerëzore.
Mevlud BUCI,
studiues, publicist

KULLË ME SOFËR E BESË MATJANI

Kullës Gjuci në Çurkaj të Macukllit dhe
intelektualit demokrat Skënder A. Gjuci

Ai Demë Gjuci e Suf Dema
bash si kullat me bedena,
rrit në Macukull, kullë tre poda
sofër bese, burra për oda.

Ai Sufë Gjuci me vllazni,
në Macukull me za e burrni,
Abaz Sufa derë prej ari,
bir i Matit, ballë krenari.

Me dhjetë fëmijë si plluma Deje,
bij të punës ballë çdo beteje,
burrë punëtor s’e tund rrebeshi,
kullë qëndrese e mik te Lleshi.

Çfarë thonë vitet me prova bese,
kulla e Gjucit, kala qëndrese
fol, o Mat, Mat i barutit
ka rrit trima shpia e Gjucit.

Me bijë levena si shqipe n’shkrep
burra të urtë, trima me fletë
n’Shkallë të Deshëve, n’front të luftimit
ai Dem Gjuci, trim i trimit.

Me Ce Milloshin e Ahmet Kokën
nderoi Matin e tan’ epokën,
flasin provat dhe sofra e burrnisë,
mjekoi t’plagosurit kundër Serbisë.

Ahmet Zogun me matjanë luftëtarë
strehoi Lleshi, derë e parë
në Gërshajzë me rremullakë
kulla e Lleshit, kullë bajrak.

Me bukë zemre e besë vatani,
s’tundet Lleshi gen matjani,
ndaj monizmit në zjarr e n’flakë,
nuk u tut se e banë kulak…

Ahmet e Haziz Lleshi
burra Mati e trima sheshi,
me pasardhës Nur, Kapllan e Haqifin
nderojnë, kombin, traditën, fisin.

Nat Gërshajzë, sofër e trimnisë
priti luftarët e nanë Arbnisë,
me shpirt bese dhe burrni,
lum o Mat, lum moj Arbni!

S’ka si fjala, buka e besa
kulla e Lleshit bash si fortesa,
Lleshi i Gërshajzës kullë e matjanit,
krahu i mbretit e i Salë Llanit.

Skënder Gjuci, bir macukllani
nip i Lleshit e gen luani,
je human, dritë e t’vërtetës
kurdoherë në roje t’jetës.

Gjysh pas gjyshi derë bujarie,
sofër bese, vatër trimnie
me bashkëshorten në ballë të punës,
bijë Sulkurti dhe mbesë e Runjës.

Bijë krenare te Sulkurt matjani,
mbesa e trimit Halil Bajrami,
Halil Dervishi, kullë e trimnisë
miku i Matit, dritë e Arbnisë.

Skënder Gjuci o shpirt thesar,
farmacist i klasit të parë,
kulla e Gjucit, qëndresë furtune
n’at Macukull, kryetar komune.

Bash si Deja, si Linazi
fis bujar Skënder Abazi,
nip ke LLeshi, mik ke Sulkurti
za lirie e kullë baruti.

Ndrit në kohëra ky Skënderi,
i thonë Gjuc, emër nderi
i Matit tbarotit, beden tabani
kullë me sofër e besë matjani.

Mevlud BUCI

Skender A. GJUCI
Isuf GJUCI
Adem GJUCI
Abaz e Lihe GJUCI (Lleshi)