Vendimi i Turqisë për të kthyer përsëri në xhami monumentin e lashtë të Hagia Sofias, është bërë shkak për kritika të ashpra midis Athinës dhe Ankarasë. Sidoqoftë, ndërsa Greqia intensifikon përpjekjet e saj diplomatike për sanksione ndaj Turqisë, bizneset greke kanë filluar tashmë një fushatë bojkotimi për mallrat dhe shërbimet nga vendi fqinj.
Vassilis Korkidis, një ndër përfaqësuesit kryesorë të tregtisë në Greqi, shprehet hapur për nevojën, siç e quan ai, për t’iu kundërpërgjigjur Turqisë me masa konkrete.
Ne jemi në dijeni të përpjekjeve që po bën qeveria (greke) në kundërpërgjigje të konvertimit të Hagia Sofias, tha ai. Por, derisa kjo të finalizohet në diçka konkrete, tha Korkidis, bizneset greke nuk duhet të humbin kohë për të bojkotuar tregtinë me partnerët e tyre turq.
Edhe në nivel personal, thotë ai, konsumatorët duhet të bëjnë të njëjtën gjë. Ata, tha Korkidis, mund ta bëjnë këtë menjëherë, duke bojkotuar mallrat turke që mbajnë numrat 868 dhe 869 në barkodin e produkteve të importuara.
Megjithë armiqësinë e vjetër midis dy vendeve, marrëdhëniet tregtare janë rritur ndjeshëm vitet e fundit. Eksportet vjetore të Greqisë në Turqi arrijnë në rreth 1.6 miliardë dollarë, shumë më tepër sesa 1.2 miliardë dollarët importe nga Turqia.
Nëse grekët do t’u kushtojnë vemendje thirrjeve për bojkot tregtar, kjo mbetet e paqartë, veçanërisht në kushtet kur ekonomia e Greqisë është në kaos për shkak të pandemisë COVID-19.
Sidoqoftë, zemërimi, trishtimi dhe pakënaqësia ndaj shndërrimit në xhami të Hagia Sofia po ndihen mjaft në këtë vend kryesisht ortodoks dhe ekspertët thonë se çdo përfitim afatshkurtër tregtar është i pakrahasueshëm me humbjet që priten të jenë akoma më të mëdha.
Korkidis shpjegon se, “Ne vërtet mund t’i gëzohemi një sufiçiti të madh tregtar, por kur llogarit fondet që i duhet të përdorë Greqia për të penguar flukset e vazhdueshme të migracionit të paligjshëm nga Turqia dhe kostot e mëdha ushtarake për t’u mbojtur nga provokimet turke, e gjithë kjo e bën pa kuptim sufiçitin”.
Çështja e Hagia Sofia i shtohet një serie krizash me të cilat Greqia po përballet dhe që i vijnë nga partneri i saj i NATO-s, Turqia. Marrëdhëniet janë rënduar prej vitesh me radhë për të drejtat territoriale dhe detare në Egje, si dhe për shkak të mijëra migrantëve të paligjshëm që vazhdojnë të shkojnë në Greqi nga Turqia.
Gjithashtu, javët e fundit tensionet janë rritur pas deklaratave të Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan për të filluar shpimet për naftë dhe gaz në ujërat që Greqia i konsideron të vetat. Shoqatat greke të biznesit thonë se ato po u drejtohen organizatave partnere në të gjithë Evropën për një bojkot edhe më të gjerë kundër Turqisë.
Është e qartë se Perëndimi po nervozohet gjithnjë e më shumë nga veprimet e Turqisë, tha Korkidis. Është koha, tha ai, që qeveria e zotit Erdogan të ndalë përdorimin e çështjeve kulturore për të avancuar axhendën e saj politike.
Bojkoti tregtar është vetëm një nga shumë prej protestave që po zgjerohen në Greqi.
Të dielën, këmbanat e kishave ranë përsëri në të gjithë vendin ndërsa dhjetëra mijëra njerëz kënduan himne për nder të Hagia Sofias, selisë së Krishterimit Lindor për një mijë vjet me radhë, para se turqit osmanë të pushtonin qytetin e njohur atëherë si Kostandinopojë.
Një tjetër shenjë shqetësuese ishin lëvizjet e grupeve nacionaliste të ekstremit të djathtë, të cilat dogjën një flamur turk. Qeveria Greke e dënoi veprimin. Prapëseprapë, qeveria inkurajoi pasionet nacionaliste me një kritikë të ashpër ndaj Turqisë nga Kryeministri Kyriakos Mitsotakis.
Ai tha se Turqia është një problem që kërcënon paqen dhe sigurinë në rajon, por shtoi se Greqia ka treguar se mund t’i mbrojë kufijtë e saj, kufijtë e Bashkimit Evropian.
Greqia beson se konvertimi Hagia Sofias në xhami është pjesë e një plani më të madh të Turqisë për të riafirmuar veten si një superfuqi rajonale dhe energjitike.
Turqia thotë se Greqia po reagon shumë më tepër se sa është e nevojshme. Megjithatë, Greqia këmbëngul se nuk do t’ia lërë agjë rastësisë, por po i mban forcat e saj ushtarake në gatishmëri të lartë, e gatshme për të bërë luftë nëse provokohet më tej në ndonjë front.