Nga Dr. Murteza OSDAUTAJ

(Dhjetë mospajtimet e mia me Islamin fundamentalist ekstrem që po instalohet në Kosovë)

Islami, Bagdadi dhe Andaluzia

Nga shekulli i tetë dhe deri në fundin e shekullit të X bota islame shënoi një lulëzim të paparë kulturor dhe shkencor saqë Bagdadi u bë qendër botërore e dijes dhe e zhvillimit. Po kështu Andaluzia në Spanjë (shekulli VIII – XV) krijoi një kulturë të jashtëzakonshme e cila ishte mbizotëruese në Evropën  e ngulfatur nga errësira e krishterë dhe inkuizicioni evropian. Derisa në Bagdad dhe Andaluzi lexoheshin, komentoheshin dhe zhvilloheshin më tutje të arriturat shkencore dhe filozofike të antikës se lashtë greke, egjiptiane e kineze, bota e krishterë e mbytur nga filozofia kishtare po i shënonte ditët më të errëta në tërë historinë e saj. Kalifët e Bagdadit dhe të Andaluzisë dërgonin emisarët e tyre nëpër botë për të mbledhur të gjitha librat që ishin shkruar deri në atë kohë dhe të njëjtat i përkthenin arabisht dhe t’i shpërndanin nëpër komunitetin shkencor. Por ndodhi një ndalje e çuditshme dhe e pashpjegueshme. Pushtimi mongol dhe otoman i Bagdadit ishte i tillë saqë as qyteti dhe as kultura e tij nuk arriti të këndellej e të rimëkëmbej më deri në ditët tona.

Derisa Bagdadi i pushtuar nga turqit selxhukë të ardhur nga Azia e mesme u shua në fund të shekullit të XII dhe në fillim të shekullit të XIII, civilizimi islam i ndërtuar në Andaluzi mbijetoi deri në shekullin e XV, duke u shndërruar në një bazë dhe model të fortë të lëvizjes së humanizmit dhe të renesancës që kishte filluar si lëvizje kulturore dhe politike thuaja në tërë Evropën. Ky civilizim u bë bazë dhe burim i shkencës dhe filozofisë për zhvillimet  e ardhshme në Evropë por, për fat të keq, gjithë ajo kulturë, e tërë ajo e arritur dhe zhvillim, u shua sikur të mos ekzistonte kurrë menjëherë pas pushtimit spanjoll në vitin 1492. Islami nuk arrit t’i mbijetojë historisë në aspektin kulturor dhe atë shkencor. Stërkeqja e tij e vazhdueshme u e shndërroj këtë kulturë në një grup subkulturash dekadente dhe primitive minore të cilat u përhapen në botën arabe dhe islame dhe ndikuan që, nga shkëlqimi botëror që kishte dikur, të mbulohej nga errësira mistike dhe nga fundamentalizmat sektare të cilat kontaminuan tërë një epokë disa shekullore të shkëlqimit.

Viti 1492 është viti i fundit i cili mund të diskutohet si fund i tërë civilizimit Islam i ndërtuar për afro tetë shekuj. Pas këtij viti, në botën islame fillon ajo që do ta quaja mesjeta dekadente islame e cila po zgjatë edhe sot dhe e cila ka bërë që të gjitha shtetet arabe të mos arrijnë më kurrë as nivelin më të ulet zhvillimor me vendet e tjera të botës dhe sidomos me vendet perëndimore të cilat bazë te zhvillimit të tyre kishin kalifatin E Bagdadit dhe Andaluzinë.

Moskonsistenca historike është mospajtimi im i parë me islamin.

Perandoria Osmane dhe thellimi i prapambetjes kulturore

Turqit vinin nga Azia e mesme. Me vete nuk sollën asnjë kulture përveç fuqisë së tyre ushtarake rrenimtare. Ata arritën ta pushtojnë tërë lindjen e mesme dhe të konsolidohen në territorin e sotëm të Turqisë. Në aspektin kulturor dhe zhvillimor ata vetëm sa i penguan popujt të cilët i pushtuan dhe nga të cilët morën fenë, shkrimin dhe ajo që kishte mbetur nga kultura dhe shkenca. Megjithatë Osmanët nuk arritën të ecin tutje ne krahasim me atë që gjetën në botën arabe. Ata vetëm sa i ndaluan proceset të cilat, tashme, vetëm sa kishin filluar shthurjen.

Një nga momentet më të rëndësishme të këtij stagnimi dhe shthurjeje kulturore që mund të shënohet dhe është me rendësi fundamentale për prapambetjen disashekullore të shtetit  është fermani i Sulltanit mbi ndalimin e shtypshkronjave në tërë perandorinë Osmane.

Sulltan Bajaziti i dytë, në vitin 1485 nxjerr fermanin e njohur mbin ndalimin e hapjes se shtypshkronjave me çka, derisa në Evropë libri, e sidomos Bibla, po bëhej pjesë e çdo familjeje, ‘miletet’ e Perandorisë Osmane, po e përjetonin terrin më të madh kulturor e arsimor të shënuar ndonjëherë gjatë historisë në të gjitha  këto vende të botës islame. Për më keq, të njëjtin ferman të Bajazitit të II, do ta vazhdojë edhe i biri, Sulltan Selimi I. Duhet të dihet, për informacionin e të gjithë fanatikëve islamë, se shtypja e librave në Perandorinë Osmane është lejuar vetëm në fund të shekullit të XVII-të nga Sulltan Ahmeti i III. Ndalimi i shtypit dhe i përhapjes së librit për afro tre shekuj nga Perandoria Osmane bëri që hendeku kulturor dhe zhvillimor në mes të vendeve të lindjes dhe të perëndimit të jetë aq i madh dhe aq i paarritshëm saqë, edhe sot, ky hendek vetëm sa thellohet edhe më shumë. Në këtë hendek, pjesë ishin dhe po duan të mbeten edhe shqiptarët me vrapin e tyre pas ekstremizmave dhe fundamentalizmave islamë të cilët tendencë e kanë kthimin në gjendjen fillestare të islamit i cili të vetmin qëllim kishte që grupet nomade arabe t’i shndërronte në një grup te identifikueshëm etnik. Të identifikohesh me këto lëvizje ‘islame’ të shkretëtirave arabe dhe të mundohesh që të njëjtat t’i sjellësh dhe t’i instalosh në kulturën e një populli evropian me traditë dhe ekzistencë mijëravjeçare është krim kulturor dhe i patolerueshëm.

Fundamentalizmi dhe prapambetja kulturore është mospajtimi im i dytë me islamin.

Perandoria Osmane dhe Gjuha Shqipe

Islamistët fanatikë nuk e dinë edhe një fakt tjetër të cilin duhet tua përmendim ngase ka të bëjë shumë me zhvillimin tonë dhe prapambetjen tonë por edhe mos zhvillimin e përkatësisë kombëtare te shqiptarët deri në fillim të shekullit XX. Perandoria Osmane, në mënyrë sistematike ka ndërmarr masa për ndalimin e përdorimit të gjuhës shqipe, sidomos në shkolla. çdo përpjekje e bërë për hapjen e ndonjë shkolle, bile edhe të nivelit fetar, është ndaluar në mënyrë sistematike. Ndalimi i parë është bërë në vitin 1480 me rastin e okupimit të Shqipërisë, në vitin 1680, në vitin 1730, në vitin 1820 dhe as në vitin 1844 kur u bë reforma më e madhe arsimore në Perandorinë e atëhershme. Përgjithësisht deri në vitin 1880 në të gjitha viset e banuara me shqiptarë gjuha dhe shkolla shqipe ka qene e ndaluar. Dëshmi është shkrimi i Edit Durhamit e cila derisa udhëtonte nëpër Shqipëri  dhe nga një postbllok turk afër Beratit asaj i konfiskohen te gjitha librat shqip që kishte derisa i lejohen te gjitha librat që  i kishte në gjuhët tjera.

Fakt tjetër është se, sipas të dhënave historike, në Shqipërinë etnike (katër Vilajetet) deri në vitin 1912 ekzistonin 1.187 shkolla myslimane në gjuhën turke (1125 fillore , 57 shkolla të mesme, 5 shkolla të larta), mbi 1000 shkolla ortodokse në gjuhën Greke dhe mbi 300 shkolla Ortodokse (në gjuhën serbe + gjuhë vllehe + gjuhë Rumune), si dhe shumë shkolla katolike në gjuhën italiane të cilat menaxhoheshin nga Austro-Hungaria dhe Italia për shkak të marrëdhënieve të tyre diplomatike me Turqinë. Në Shqipërinë a atëhershme në të cilën shqiptarët ishin shumicë absolute e vetmja gjuhë që nuk lejohej të mësohej ishte shqipja.

Ndalimi i gjuhës tonë dhe ndalimi i hapjes së  shkollave në gjuhën tonë ka bërë që populli shqiptar të vonohej në një varg procesesh integruese dhe shtet formuese që po ndodhnin në Evropë në shekullin e nëntëmbëdhjetë.

Dëmtimi i madh kulturor, kombëtar e shtet formues që i është bërë popullit tim nga Perandoria Osmane është kundërshtimi im i tretë me islamin.

Perandoria Osmane dhe territoret shqiptare

Është fakt i njohur se tokat shqiptare në të gjitha periudhat e mëdha të historisë, ishin përdorur për kusuritjet territoriale të Turqisë e cila në shekullin 19 dhe në fillim të shekullit njëzet po i humbte të gjitha luftërat me radhë. Ajo që nga traktati i Shën Stefanit i përdori tokat shqiptare për t’i larë humbjet e veta politike dhe ushtarake. Për ta mbrojtur territorin kontinental turk, pas luftës ruso-turke (1877-1878), Turqia ose Perandoria Osmane i dha, për asgjë, tokat shqiptare. Copëtimi i parë i trojeve shqiptare u realizua pas vendimeve të Kongresit të Berlinit për ta shpërblyer Malin e Zi me Plavën e Gucinë. Gjatë kësaj kohe, iu kaluan Serbisë zonat e Toplicës, Prokuples, Kurshumlisë, Nishit, Vrajës dhe Leskocit. Popullsia shqiptare në këto zona u përzu me dhunë, dhe e gjitha u spastrua etnikisht nga shqiptarët, duke krijuar 70 000 refugjatë shqiptarë nga këto zona që u vendosën në Kosovë e 60 000 të tjerë që u vendosëm në zonën që sot është në Maqedoni. Kongresi i Berlinit i dha Malit të Zi dhe qytetin e Tivarit dhe Podgoricën e me vone edhe Ulqinin, Hotin e Grudën.

Turqia, me bisht nën shalë, iku edhe në vitin 1912 duke e braktisur përfundimisht popullin e paorganizuar e te paarmatosur dhe duke e lënë në mëshirën e mos mëshirën e Serbëve, bullgarëve, grekëve dhe malazezëve. Shqipërinë e shpëtoi vetëm Austro Hungaria që kishte interesa gjeostrategjike sepse populli dhe udhëheqësit e tij të indoktrinuar nga ideologjia turko madhe me bazë islamin dhe nga bajraktarizmat primitivë nuk ishin në gjendje të krijonin forcë ushtarake mbrojtëse dhe ta shpallin pavarësinë ndërsa që, për gati tre muaj, e mbajtën Shkupin të Çliruar duke mos arritur te vendosin a ta shpallin pavarësinë apo ta lirojnë sulltan Hamitin e burgosur në Selanik.

Pasojë e kësaj vonese historike ishte konferenca e Londrës ku Shqipërisë iu shkëputen përgjithmonë Kosova dhe Çameria.

Pazari me territoret shqiptare është mospajtimi im i katërt me islamin të përfaqësuar nga Perandoria Osmane.

Marrëveshjet Turqi-Mbretëria SKS dhe Turqi-Greqi për shkëmbimin shpërnguljen e popullsive të feve përkatëse dhe roli i klerit mysliman gjatë pushtimeve greko-serbe në vitet 1912-1939

Janë tri marrëveshje që Turqia, si përfaqësuese e denjë e islamit në Ballkan dhe në Kosovë i ka bërë në dëm të shqiptarëve me fqinjët armiqësore të tyre. Dy janë bërë paraluftës së dytë botërore në mes të mbretërisë SKS dhe Turqisë dhe tjetra në mes të Greqisë dhe Turqisë që kishte qëllim primar ‘shkëmbimin’ e popullsive te rasti Greqi Turqi dhe shpërnguljen e popullsisë ‘myslimane’ për Turqi në mes të mbretërisë SKS dh Turqisë. Marrëveshja e tretë është ajo mes Turqisë dhe RSF të Jugosllavisë. Nga të tria këto marrëveshje në dëm të shqiptarëve që Turqia bëri me shtete armiqësore ndaj popullit tonë, shqiptarëve iu shkaktua dëm i pariparueshëm në numër të banorëve por edhe në territore.

Derisa nga Kosova dhe Maqedonia u shpërngulën rreth 400 000 shqiptarë, vetëm nga veriu i Greqisë së sotme u ‘shkëmbyen rreth 600000 ‘myslimanë‘ nga të cilët rreth 500 000 shqiptarë. Dëmi më i madh  u shkaktua në Greqi ngase atje u bë pastrim total i popullsisë, derisa e njëjta, për arsye të ndryshme nuk arriti të bëhet në viset e ish Jugosllavisë të banuara me shqiptarë.

Gjatë tërë kësaj kohe për të cilën po flasim, pjesa më e madhe e klerit mysliman shqiptar ishin në funksion të pastrimit etnik të territoreve shqiptare të ish-Jugosllavisë (rolin e klerit mysliman në Veri të Greqisë nuk e njoh ngase për këtë pastrim etnik nuk janë bërë studime të hollësishme). Nuk dua këtu t’iu hy në hak hoxhallarëve patriotë të cilët nuk u vunë në shërbim të armikut por nuk mund të flas asnjë fjalë miradije për pjesën më të madhe të klerit myslimanë të cilët përveçse u vunë në funksion të Serbisë dhe të Turqisë, rol tejet negativ luajtën edhe në pengimin e shkollimit të popullatës shqiptare e cila ishte gati 99% analfabete.

Se roli i klerit ishte armiqësor, mund të dëshmojnë shumë e shumë persona të gjallë të cilët dëshmojnë se jo vetëm para luftës së sytë botërore por edhe pas luftës së dytë ndikonin të popullsia shqiptare myslimane që të njëjtën mos t’i dërgonin fëmijët në shkollë sepse ‘do të bëhen shkie’.

Se kleri myslimanë ka ushtruar ndikim të jashtëzakonshëm në mbajtjen në errësirë të popullatës myslimane të Kosovës, dëshmon edhe fakti se edhe pse një numër i madh i objekteve fetare myslimane kanë histori qindravjeçare, në asnjërën prej tyre nuk janë mbajtur shënime mbi punën dhe ngjarjet dhe veprimtarinë. Kjo më ka ndodhur mua në fund vitet 90-të kur në afro 20 xhami të Dukagjinit nuk kam arritur ta gjejë asnjë shënim mbi veprimtarinë e tyre nëpër periudhë.

Nëse ky është islami dhe ideologjia islame, ky është mospajtimi i pestë i imi me islamin.

Vendet islame dhe të drejtat e shqiptarëve brenda tyre

Nga të gjitha të dhënat që kemi, mund të konstatojmë se në Turqi jetojnë më se 5 milionë shqiptarë, në Siri rreth 100 000 – 200 000, në Egjipt rreth 1 milionë dhe një numër jo i vogël i shqiptarëve në vendet e tjera si L:ibani, Iraku etj.

Edhe pse në vendet islame jetojnë rreth 8 milionë shqiptarë të cilët kanë pasur rol shtet formues në së paku dy prej tyre, në asnjërin vend, sidomos në Turqi ku ka më së shumti, shqiptarëve nuk iu njihet asnjë e drejte kombëtare.

Nëse në vendet islame, pjesëtarët e popullit tim nuk e gëzojnë asnjë të drejtë kombëtare, atëherë ky fakt shënon mospajtimin tim të gjashtë me islamin.

Lufta e UÇK-së, Shpallja e pavarësisë dhe qëndrimi i vendeve islame ndaj Kosovës

Lëvizja paqësore dhe lufta e UÇK-së për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës ishin ndër ngjarjet më të rëndësishme të tërë historisë së re të shqiptarëve. Gjatë tërë këtyre proceseve që ishin dramatike dhe vendimtare për fatin e popullit shqiptar në Kosovë, vendet islame ishin ose në anën a Serbisë, ose në rastin më të mirë, ishin neutrale. Këtu, sigurisht, dua të veçoj Turqinë e cila ishte pjesë e veprimeve të NATO-s në vitin 1999.

Une pranoj se gjatë viti 1999 kishte ndihma humanitare edhe nga vendet islame, por nevojat e Kosovës nuk kishin të bënin me to. Kosova kishte nevoje që duke qenë një vend me popullsi shumicë myslimane ta kishte mbështetjen e vendëse islame në të gjitha mekanizmat ndërkombëtar.

Unë dhe shumë të tjerë e kishim një frikë që doli e rreme. Mendonim që, posa të shpallet pavarësia e vendit, vendet islamike, gati në bllok, do ta njihnin pavarësinë e Kosovës dhe kjo mund të sillte probleme në perceptim tek vendet jo islame. Frika doli e rreme. Vendet islamike, shumica e tyre, ende nuk e kanë njohur Kosovën dhe një pjesë e madhe e tyre kanë votuar kundër Kosovës në shumë mekanizma ndërkombëtarë dhe sidomos për anëtarësimin në Interpol dhe në UNESCO. Në anën tjetër, që është gërditëse, vendet islamike  edhe pse e dinë që Serbia ka masakruar popullsinë e dy vendeve me shumicë myslimane, Bosnjën dhe Kosovën, ende me një fanatizëm të pakuptueshëm shprehen dhe veprojnë në mbështetje të shtetit serb. Edhe Turqia, pas së cilës gati sa nuk vdesin disa islamistë, në mënyrë fine është në krah të Serbisë,. Derisa në Bosnje dhe në Kosovë ka investuar kryesisht në ndërtimin e xhamive të cilat janë ndërtuar me shumicë pas luftës, në Serbi ka bërë investime shumë miliardëshe ekonomike.

Duk e marr parasysh e se në nëntëdhjetëpërqind të vendeve islamike rregullimi shtetëror është ndërtuar bazuar në islam, kjo është edhe një mospajtim im shtesë me islamin!

Pantollshkurtët, mjekrroshët dhe femrat e mbuluara

Një nga manifestimet kulturore më interesante që ndodhi pas lufte në Kosovë është edhe manifestimi i përkatësisë islame me anë të veshjeve arabe. Qindra e mijëra të rinj e të reja e qindra hoxhallarë, anëtarë të BIK-ut, bënë propragandë të jashtëzakonshme për një paraqitje të tille kontrakulturore dhe në kundërshtim me traditat më të mira kombëtare shqiptare të ndërtuara nëpër shekuj.

Manifestimet fizike në veshje të shëmtuara islame të papërdorura kurrë në kulturën tonë dhe në paraqitjet publike me diskurs antishqiptar dhe antikombëtar, u bënë të mundura edhe me anë të partive politike me ideologji islame të cilat ishin ngritur mbi bazën e ndërtimin të sistemit politik vendor bazuar në islamin politik dhe në sheria-në, një ligj kuranor, që u aplikua në Arabinë e shekullit VII-të e tutje.

Për të mos qenë mjaftë dhe për ta mbushur kupën, janë paraqitjet e islamistëve ekstremë duke fyer, përdhosur e sharë figurat dhe vlerat kombëtare. Shumë hoxhallarë dhe shumë predikues islamë, sikur të ishin të porositur nga shërbime të huaja armiqësore, sulmuan, dhe përdhosen përmendoret dhe statujat e Skënderbeut dhe të Nënë Terezës ndërsa që në të njëjtën kohë bënin propagandë kundër pjesëtarëve të besimeve të tjera dhe kundër vlerave historike shqiptare.

Indoktrinimi islam politik është aq i përhapur saqë edhe klasat a shkollave të mesme dhe të fakulteteve, por edhe të bibliotekave, po përdoren si faltore në kohën që vendi radhitej e fundit në testet ndërkombëtare të matjes së dijes nëpër shkolla.

Ky është edhe një mospajtimi tjetër i imi me islamin.

Xhamia qendrore dhe 30 xhamitë tjera të Prishtinës

Nëse do të hynte në një garë me qytetet e botës, Prishtina do të dilte ndër qytete e para në botë për nga numri i xhamive. Kur një numër kaq i madh i xhamive ‘nuk ishte majft’, ‘xhemati’ i indoktrinuar me disa pseudo besimtarë dhe politikanë të dështuar, filloi me manifestimet publike të faljes në rrugët e qytetit derisa thuaja të tridhjetë xhamitë e Prishtinës ishin të zbrazëta. Për një moment qyteti nga një qytet laik evropian dukej i ngulfatur sikur të ishte diku në Arabinë e largët dhe në Jemen. Gazetat e jashtme filluan ët shkruajnë për islamizimin dhe arabizmin e shoqërisë shqiptare të Kosovës dhe tërhiqnin vërejtjen nga rreziku i rritjes së ekstremizmit fetar i cili, siç dihet, shpërtheu me shkuarjen e xhihadistëve në luftën civile në Siri në anën e organizatës terroriste ISIS. E tërë kjo atmosferë bëri që Kosova, në proporcion me popullsinë, të bëhet një nga vendet e para në botë që e furnizojë me luftëtarë terroristë organizatën ISIS. Është kjo koha kur vendet e civilizuara filluan ta largojnë vëmendjen nga Kosova ndërsa që imazhi i vendit ishte shkatërruar totalisht nga pamjet makabre të terroristëve shqiptarë që bënin vrasje te tmerrshme ndaj popullsisë civile të pafajshëm në Siri.

Në ndërkohë u dha vendimi për ndërtimin e Xhamisë qendrore. BIK-u, në vend që të interesohej për ndërtimin e një xhamie unikale me vlera arkitektonike origjinale dhe të veçanta, në vend që ta ndërtonte një objekt identifikues që do ta veçonte Prishtinën ndër kryeqytet botërore, vendosë që ta ndërtoj kopjen e një objekti gllomaz të një xhamie me arkitekturë osmane  pa asnjë vlerë origjinale arkitektonike dhe pa asnjë vlerë dalluese dhe simbolike.

Unë do të doja që BIK-u të tregohej më largpamëse dhe të vendoste për një objekt që do ta dallonte Prishtinën, që do ta dallonte Kosovën m një xhami që do të bëhej një atraksion fetar, kulturor dhe arkitektonik.

Meqenëse BIK-u nuk e ka këtë ide, por vazhdon me primitivizmat e papranueshme te instalimeve të altoparlantëve nëpër minaret e xhamive kudo në Kosovë duke krijuar ndotje akustike, unë nuk mund të jem në krah të atyre që e kanë përzgjedhur modelin e kopjuar të xhamisë me arkitekturë osmane.

Unë nga dijet dhe leximet që kam bërë e di qe minaret janë pjesë e xhamive që janë ndërtuar që i pari i xhamisë, pra hoxha apo imami,  të hipën lartë dhe ta thërret ‘zanin’. Unë askund s’kam lexuar se në xhami duhet vënë altoparlantë dhe askund s’kam lexuar që ‘zani’ konsiderohet i thirrur nëse hoxha nuk e bën atë duke hipur në minare.

Unë jam në kundërshtim me një qasje të tillë të islamit!

 

Përfundimi

Për shumë shekuj familja ime dhe komuniteti ku jetoj e kanë ushtruar dhe e kanë kultivuar besimin islam. Unë jam rritur me këtë kulturë islame e cila në rend të parë vlerësonte vlerat kombëtare kulturore të cilat i konsideronte vlera identifikuese kombëtare dhe, në rend të dytë, e vlerësonte besimin në zot ët cilin e konsideronte vlerë universale njerëzore.

Bazuar në këtë lloj besimi me të cilin jam rritur dhe krijuar, unë s’mund të jem një mysliman i mirë apo s’mund ta pranoj si të mirë formën politike të islamit të sotëm i cili përmban në vete moskulturë, primitivizëm arab, ekstremizëm, fundamentalizëm dhe antishqiptarizëm.

Unë do ta pranoj islamin si fe, pra si besim në zot, e të shkëputur nga politika dhe kombi. Përndryshe islami, ashtu siç e konceptojnë disa islamistë tash, nuk mund të jetë feja dhe ideologjia ime!

Nëse ky është islami për të cilin fola më lartë në paragrafët e mëhershëm, ky është mospajtimi tjetër i papajtueshëm mes meje dhe islamit.