Ballina Shëndet Kremi mbrojtës apo nxirës? Si të kujdeseni për lëkurën në plazh?

Kremi mbrojtës apo nxirës? Si të kujdeseni për lëkurën në plazh?

 

Të gjithë prej nesh kërkojmë dhe synojmë që të nxihemi sa më parë dhe që lëkura jonë të marrë një nuancë të bukur verore. Pikërisht kjo nevojë për të marrë ledhat më të bukura të diellit në lëkurë, i shtyn njerëzit drejt alternativave më të shpejta por edhe më të dëmshme për lëkurën.

Po të kërkosh në internet, zbulon shumë legjenda urbane e produkte që premtojnë nxirje të shpejtë të lëkurës duke nisur nga 15 minutëshi deri tek 5 orë.

E vërteta është se nëse ju merrni hapa të tillë, qoftë edhe duke qëndruar në diell me kohë të zgjatur, do të dëmtoni më shumë lëkurën tuaj.

Dëmtimi i qelizave të trupit

Ajo që njerëzit nuk e kuptojnë është se nxirja e trupit s’është asgjë më tepër se dëmtim i qelizave të lëkurës, pra ky proces është i dëmshëm në tërësi.

Dëmtimi i qelizave të lëkurës jo vetëm që rrit rrezikun e kancerit të lëkurës por edhe përshpejton rrudhjen dhe humbjen e fleksibilitetit të saj.

Sipas ekspertëve, 90 përqind e dëmtimeve në lëkurë të lidhura me moshën shkaktohen nga rrezet ultravjollcë të diellit.

Njerëzit shpesh përdorin vitaminën D si justifikim për të qëndruar gjatë në diell, por kjo sakrificë është shumë e dëmshme.

Për një nxirje sa më të shëndetshme, ndonëse vetëm e shëndetshme nuk është, ekspertët sugjerojnë që të mos neglizhoni kremin mbrojtës me një faktor mbi 30.

Studimet tregojnë se kremi apo solucioni me një faktor mbrojtës të paktën mbi 15 (më shumë, më mirë,) pakëson rrezikun e melanomës me deri në 30 përqind dhe qelizave kancerogjene me 40 përqind.

Dermatologët thonë se nëse lëkura juaj është shumë e bardhë të përdorni krem me faktor mbrojtës 50..

Sipas tyre, nëse njeriu gjatë jetës së tij pëson mbi 5 djegie të lëkurës nga dielli, gjasat e shfaqjes së kancerit më të rrezikshëm të lëkurës dyfishohen.

Nga ana tjetër, është e rëndësishme të kuptohet se faktori më i lartë mbrojtës sërish nuk arrin të bllokojë 100 përqind të rrezeve të diellit ndaj mbrojtja më e mirë është që të mos qëndroni në diell.

Përdorimi i kremit mbrojtës

Ekspertët thonë se për çdo zonë të trupit duhet të përdorni ekuivalentin e një luge çaji me krem mbrojtës.

Kremi mbrojtës duhet aplikuar në lëkurë 20 minuta para se të dilni jashtë.

Ai duhet riaplikuar me fanatizëm çdo dy orë dhe nëse vendosni alarm në celular do ju ndihmonte shumë.

Mos shkoni në sallone për nxirjen e lëkurës

Këto sallone nuk ofrojnë alternativa më të shëndetshme se rrezja e diellit.

Një seancë nxirjeje para moshës 35 vjeçare nxit rrezikun e kancerit të lëkurës me 75 përqind.

Këto pajisje funksionojnë njësoj si dielli dhe stimulojnë prodhimin e melaninës por ndikimi i tyre është shumëherë më i fortë.

Nëse kryeni një seancë 20 minutëshe është njësoj sikur të keni shpenzuar disa orë duke qëndruar të pambrojtur në pikun e diellit.

Vajrat nxirës janë një opsion gjithashtu jo i shëndetshëm sepse ato nuk ofrojnë mbrojtje nga dielli .

Cilado të jetë alternativa juaj më e preferuar, mos harroni që kujdesi për lëkurën të nisë me aplikimin e kremit kundër diellit me faktor të lartë mbrojtës.