Sa vret pendimi, të kam pasë e s’dita me të dashtë, tash hesht çuditshëm
Skaj qytetit shkoj i vetëm, si një shurdhmemec i trishtuar, nën re’,pa frymë
Dikush më pa, tej supeve mbledhur, me gishta të prajtë më preku, më tundi
Dridhesha si një fletëz e vetme, shkëputur prej lisi, vonë, kur bie brymë

Sa vret pendimi, të kam pasë e s’dita me të dashtë,kurrëgja më s’ka kthim
Zoti nuk i merr të gjitha njëherësh, la hijen tënde, pas së cilës ngadhnjehem
Dhe luaj si dikur me shtatin tënd, krijesë prej qelqi, e hollë dhe gati në krisje
Diku bie diçka dhe ëndrra ime e lagësht braktis rrufeshëm qënien, ngrihem
Kush ishe ti që fanepsësh syve të mi të malltë , si mjegull e frikshme ikën
Dhe me kristale të butë prej loti, ma mbulon ditën…

2020