Prej totalit botëror me të infektuar si pasojë e koronavirusit 3.6 milionë raste janë konfirmuar në SHBA, ndjekur nga Brazili me dy milionë raste dhe India në vendin e tretë me një milion infeksione, sipas të dhënave të universitetit “Johns Hopkins”.

Vetëm të premten në SHBA u shënuan më shumë se 70,000 raste të reja me COVID-19, bazuar në të dhëna që ka bërë të ditura gazeta “New York Times”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi të premten rreth një çerek milioni raste të reja infeksionesh në të gjithë botën brenda një ditë të vetme. Edhe pse SHBA ka numrin më të lartë në botë të infeksioneve, Presidenti Donald Trump ka thënë se ai nuk do të marrë vendim për të udhëruar vendosjen me detyrim të maskave në nivel kombëtar duke thënë në një intervistë për “Fox News” që do të transmetohet të dielën ai “do që njerëzit të kenë një farë lirie”.

Në Brazil ekspertët e shëndetësisë kanë fajësuar qeverinë federale për numrin e madh të rasteve.

Virusi do të ishte i vështirë të ndalohej. Por ky vivel prej dy milionë rastesh, që është shumë i nënvlerësuar, tregon se situata mund të kishte qenë ndryshe“, thotë doktor Adriano Massuda, profesor i kujdesit shëndetësor në universitetin Getulio Vargas në San Paulo.

Nuk ka strategji kombëtare për testimin, asnjë masë që të jetë marrë nga lart … shumë pak përpjekje për të përmirësuar kujdesin bazik, ndaj dhe përballemi me raste serioze para se ato të bëhen shumë serioze”, shtoi ai. Megjithëse numri i rasteve duket se po bie në disa prej qyteteve më të mëdha të Brazilit, infeksioni ka nisur të godasë vendet që kishte kursyer deri më tani.

Të premten OBSH tha Brazili është “ende në mesin e betejës” kundër virusit.

Në Evropë, udhëheqësit evropianë u mblodhën në Bruksel të premten për një takim dy-ditor për të negociuar kushtet e një plani shpëtimi prej 855 miliardë dollarësh. Ishte takimi i tyre i parë në prani të njëri-tjetrit në Bruksel, pas pesë muaj. Kryeministri çek Andrej Babis tha se pikëpamjet e udhëheqësve të BE-së mbi planin e stimulimit mbetën “terësisht të ndryshme” pas bisedimeve të së premtes.

Në Spanjë, zyrtarët u kërkuan banorëve në qytetin e Barcelonës të qëndrojnë në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur për të ndaluar përhapjen e virusit.

Izraeli vendosi për një mbyllje të re gjatë fundjavës në një përpjekje për të ulur nivelin e infeksioneve.

Ndërkohë shkolla e Mjekësisë e universitetit të Minesotës njoftoi se një tjetër provë me ilaçin kundër malarajes atë hidroksiklorokinës tregoi se nuk kishte efekt për t’u përdor si trajtim i hershëm për raste të lehta infeksionesh me COVID-19.

Nuk ka prova bindëse që hidroksiklorokina mund ta parandalojë COVID-19 pas ekspozimit ndaj virusit ose të zvogëlojë ashpërsinë e sëmundjes pas zhvillimit të simptomave të hershme“, tha Caleb Skipper, autori kryesor i studimit.

Më herët gjatë pandemisë zoti Trump e kishte reklamuar hidroksiklorokinën si një trajtim efektiv ndaj virusit dhe pati thënë që e kishte marrë edhe vetë doza të ilaçit. Presidenti ka rezultuar negativ pas disa testesh për koronavirus. Fillimish Administrata e Ushqimit dhe e Barnave e kishte miratuar ilaçin si një trajtim urgjent për pacientët me COVID-19, por më pas ishte tërhequr pasi mjekët paralajmëruan për efekte anësore të mundshme e vdekjeprurëse.