Kandidati demokrat për president Joe Biden po propozon të shpenzojë 2 trilion dollarë për të luftuar ndryshimet e klimës dhe për ta ulur në zero emetimin e karbonit deri në mes të dekadës së ardhshme.
Zoti Biden, i cili pritet të marrë emërimin e partisë demokrate, tha se projekti i tij për klimën i shpallur të martën do të ishte gjithashtu një plan për krijimin e vendeve të punës, i përqendruar te rinovimi i infrastrukturës së vendit përmes ndërtesave me efikasitet të lartë energjitik dhe makinave elektrike.
“Nuk ka sfidë më të rëndësishme me të cilën duhet të përballemi gjatë dekadës së ardhshme sesa kriza klimatike. Nëse nuk kontrollohet, ajo është një kërcënim ekzistencial për shëndetin e planetit dhe mbijetesën tonë,” tha zoti Biden.
Plani i tij përfshin stimuj për industrinë amerikane të makinave për të ndërtuar automjete me energji elektrike që janë më të pastra sesa ato me benzinë.
Instituti Amerikan i Naftës shpreh shqetësime
Instituti Amerikan i Naftës (API) tha në reagimin e tij se plani i zotit Biden mund të detyrojë SHBA të kërkojnë burime nafte dhe energjie jashtë vendit, duke theksuar se shumë prej atyre vendeve kanë standarde më të ulëta mjedisore sesa SHBA.
Instituti Amerikan i Naftës thotë se plani i klimës së Biden mund të detyrojë Sh.B.A të kërkojnë burime të huaja për naftë dhe energji, duke theksuar se shumë prej atyre vendeve kanë standarde më të ulëta mjedisore sesa SH.B.A.
“Nuk mund të trajtosh rreziqet e ndryshimit të klimës pa industrinë amerikane të gazit dhe naftës,” tha shefi ekzekutiv i Institutit, Mike Sommers.
Plani i zotit Biden parashikon gjithashtu ta orientojë pjesën më të madhe të vendeve të reja të punës dhe shpenzimet e infrastrukturës me energji të pastër drejt komuniteteve më pak të privilegjuara.
“Kur Donald Trump mendon për ndryshimet klimatike, e vetmja fjalë që ai di të thotë është se ky është një mashtrim. Kur unë mendoj për ndryshimin e klimës, fjala që më vjen ndër mend është vende pune,” tha ish-nënpresidenti.
Shumë demokratë liberalë kanë shprehur zhgënjim për atë që ata besojnë se është mungesë urgjence zotit Biden për të folur mbi ndryshimet klimatike.
Nënshtrim ndaj liberalëve?
Dy mbështetës të Presidentit Trump, kongresmenët republikanë Steve Scalise dhe Mike Kelly, thonë se zoti Biden po u nënshtrohet dëshirave të liberalëve dhe se klasa e mesme do të mbajë barrën e planit të ish-nënpresidentit përmes faturave më të larta të energjisë.
Fushata e zotit Biden tha të martën se plani i tij për të luftuar ndryshimin e klimës është pjesë e asaj që ai e quan paketë e tij e përgjithshme për të rigjallëruar ekonominë e vendit, e cila po vuan pasojat e koronavirusit.
Zyrtarët e fushatës thonë se zoti Biden ka premtuar të rrisë taksat ndaj korporatave dhe të eliminojë uljet e taksave për amerikanët e pasur të ndërmarra nga Presidenti Trump.