E mrekullueshmja dhe e papërsëritshmja “Shën Sofia”, e ndërtuar me urdhër të perandorit ilir të Bizantit, Justiniani I, midis viteve 532 – 537 mbi themelet e dy kishave më të hershme dhe e projektuar nga Isidori i Miletit dhe Antemiusi i Tralesit, katedrale që nga vetë emri Sancta Sophia(lat.) ose Αγία Σοφία(gre.), do të thotë “Urtësia e Shenjtë” dhe që i kushtohet Jezu Krishtit, që nga ajo ditë do të njihej si xhamia turke Ayasofya. Më 27 dhjetor të vitit 537, gjatë ceremonisë solemne të inaugurimit të Shën Sofisë, Justiniani i Madh i ngriti sytë e duart lart nga qielli, duke thirrur: “Solomon, ta kam kaluar!” Këtë thirrje të mbushur me krenari të merituar para Zotit dhe para njerëzve, ai ia drejtoi djalit të Davidit, Solomonit, mbreti i tretë i Izraelit dhe njëri ndër 48 profetët, sipas Talmudit hebraik, i cili gjatë mbretërimit të vet në vitet 970 – 931 p.k. ndërtoi Tempullin e Parë ose Shtëpinë e Parë të Zotit mbi tokë, në qytetin e shenjtë të Jeruzalemit. Por a mundej ta imagjinonte Justiniani i Madh i Ilirisë nga Tauresium i Dardanisë, që pikërisht në këtë Katedrale përrallore të ndërtuar prej tij për të rivalizuar mbretin Solomon të Izraelit, 916 vite më vonë, një pushtues barbar me origjinë nga malet Altai të Mongolisë, me hordhitë e tij, do ta përdhoste këtë vend të shenjtë, duke e kthyer në një vend orgjie dhe që në vijim këtu do të praktikoheshin ritualet e një besim të ri, doktrinë, e cila në kohën e tij akoma s’kishte lindur?!… Sidoqoftë, sulltan Mehmeti II, i mahnitur nga bukuria e kësaj kishe, urdhëroi transformimin e saj në xhaminë kryesore të kryeqytetit të ri dhe të të gjithë Perandorisë Osmane e pasi u hoqën kryqet së bashku me statujat dhe ikonat, por nuk u dëmtuan afresket, të cilët u mbuluan me suvá dhe u planifikua t’i shtohej një minare e parë në pjesën juglindore. Burimet arkivore veneciane me titull “Acta Albaniae Veneta, XXII, No.5989” (“Archivio di Stato di Venezia”) na njoftojnë se kur të dërguarit e Senatit Venecian e përcollën në Romë lajmin e hidhur për rënien e Kostandinopojës, më 8 korrik 1453, Papa Nikolla V thirri me zë të lartë, duke u shprehur me fjalët: “Turpi i Krishtërimit…!” dhe më pas uli kokën duke u shkrehur në vaj⁷.
I magjepsur nga bukuria e saj gjatë vizitës së zhvilluar më 20 tetor të vitit 1931, At Gjergj Fishta i shkruan provincialit françeskan, At Vinçens Prenushit (1885-1949), se: “Sh. Sofija âsht nji mrekullí arti e madhníje. Jam bindë kúr e kam pá⁸”. E tillë ajo vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite, ndërkohë që R. T. Erdogan kërkon të ndjekë shembullin e sulltan Mehmetit II Fatih, për ta kthyer këtë aset kaq të çmuar të Trashëgimisë Kulturore Botërore, në xhami!…
_________________
Bibliografia:
1) F.Babinger, Mehmet Pushtuesi, I, f.146-147,
2) S. C. Tucker, Battles that Changed History, An Encyclopedia of World Conflict, f.150,
3) Tursun Beu, vep. cit. f.44,
4) R.Mantran, Historia e P.Osmane, f. 92,
5) F.Babinger, Mehmet Pushtuesi, I, f.148,
6) E.Jacques, Shqiptarët: Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri ne ditët e sotme, f.209; Shih edhe S. C. Tucker, Battles that Changed History, An Encyclopedia of World Conflict, f.150,
7) A. Plasari, Skënderbeu, Një histori politike, f.456,
8) At Gjergj Fishta në Konferencën Nderbalkanike të Stamollës, në: At Gjergj Fishta O.F.M. 1871-1940, Botuar nën kujdesin e Át Benedik Demaj, O.F.M., Botimi II, Botime Françeskane, Shkodër, 2010, f. 160.