Vetëm pak të rinj do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare në Kroaci. Në vendin më të ri anëtar të BE-së dominon fryma e veljes prej politikës, kryesisht tek të rinjtë, që janë indiferentë ndaj votimeve.

Se sa zgjedhës të grupmoshës 18 deri në 30 vjeç mund të marrin pjesë në votime (05.07) në Kroaci, për këtë nuk ka një përgjigje të saktë. Por parashikohet, që pjesëmarrja në të jetë e ulët ngjashëm si edhe në zgjedhjet për Parlamentin Europian më 2019, thotë Marko Matijevic, themelues dhe kryeredaktor i portalit rinor mjaft popullor në Kroaci srednja.hr. Ndërsa pjesëmarrja në zgjedhjet europiane ishte rreth 42%, në Kroaci kuota e pjesëmarrjes ishte vetëm rreth 18%.

Ky mosinteresim i rinisë në jetën politike të vendit është konform mungesës së fantazisë së partive politike për të tërhequr pikërisht këtë grupmoshë të elektoratit. “Të rinjtë nuk gjejnë as përmbajtje politike, që t’u referohet atyre në programet e partive, dhe as ndonjë formë tërheqëse komunikimi”, thotë Matijevic.

Ndonëse në luftën elektorale përdoren shpesh parrulla të detyrueshme rutine, se sa e rëndësishme është rinia në vend dhe se të rinjve duhet t’u jepet një perspektivë, apo se rinia është e ardhmja e Kroacisë, problemet konkrete të rinisë as që ceken në programet politike. Në radhë të parë tema e arsimit nuk është fare pjesë në programe, thotë Matijevic. Madje edhe kur bëhet fjalë për perspketivën ekonomike, deklarimet e politikanëve janë fjalë në erë pa asnjë impenjim konkret.

Kroatien Parlamentswahl 2020 | Poster Milan Bandi

Kësisoj krijohet një rreth vicioz, mendon Matijevic: Sepse të rinjtë nuk dallojnë ndonjë politikë relevante për ta dhe qendrojnë indiferentë duke mos shkuar në votime. E nga ana tjetër të rinjtë duke mos qenë një grup relevant elektoral, problemet e tyre nuk reflektohen në programet politike të partive të mëdha.

Por në fakt ka arsye të forta, që të rinjtë duhet të jenë në fokusin e politikës kroate. Kuota e natalitetit në vendin me katër milionë banorë është nën mesataren e BE-së, ndërsa papunësia tek të rinjtë është mbiproporcionale e lartë me 16,2 përqind.Një ndër pasojat është, se qëkurse Kroacia u anëtarësua më 2013 në BE nga vendi largohen çdo vit rreth 40.000 deri në 50.000 vetë. Shumica e tyre janë të rinj të moshës 20 deri në 30 vjeç.

Shumica vijnë në Gjermani, një pjesë e madhe shkojnë edhe në Irlandë, duke shpresuar për një jetë më të mirë. “Ndryshe nga dikur njerëzit tani largohen nga vendi, sepse janë të zhgënjyer me shtetin e tyre”, thotë Tado Juric, studiues i demografisë në Zagreb, duke nënvizuar, se ata largohen „nga një sistem që nuk shpërblen arsimin dhe punën”.

Vetëm një detyrim qytetar, asgjë më shumë

Por edhe shumë prej atyre që do të shkojnë të votojnë, e bëjnë këtë pa entuziazëm. “Mendoj, që ky është një detyrim qytetar”, thotë Jakov. Ndonjë përmirësim pas zgjedhjeve 19 vjeçari nuk pret, po ashtu si edhe studentja Laura (19 vjeç) nga Zagrebi: “Unë nuk besoj, që zgjedhjet do të ndryshojnë gjë në jetën time, sepse politikanët premtojnë shumë, por përvoja ka treguar, që ata nuk i vënë në jetë premtimet”.

Të njëjtën gjë paksa më direkt thotë edhe i riu Bruno: “Nuk u besoj asnjë fjalë politikanëve dhe as nuk i dëgjoj se çfarë thonë.” Megjithatë ai do të ´shkojë në votime.

Kroatien Parlamentswahl 2020 | Davor Bernardic

Kryetari i PS kroate Davor Bernardic

Zhgënjimi ka të bëjë edhe me partitë konservatore që ende janë të forta dhe kanë qendrime radikale duke e konsideruar p.sh. si sëmundje homoseksualitetin, apo që ndalojnë abortin – edhe në rast se shtatëzania është pasojë e një përdhunimi. Sidoqoftë këto forca gjejnë mbështetje prej shumë të rinjve në radhët e kishës katolike me influencë në vend.

Orientimin konservator të rinisë kroate e tregoi edhe një studim i vitit 2015, sipas të cilit 65 përqind e maturantëve mendonin, se personat homoseksualë privatisht mund të bëjnë si të duan, por nuk duhet ta shfaqin hapur orientimin e tyre seksual, ndërsa 50 përqind donin, që të ndalohen shfaqjet publike të homosekasualëve. Pra në përgjithësi zgjedhësit e rinj në Kroaci nuk janë rebelues. „Një sondazh aktual tregon, se të rinjtë katolikë kanë kryesisht orientim konservator dhe zgjedhin në përgjithësi ngjashëm me pjesën më të madhe të popullsisë. Pjesën më të madhe të votave nga ky grup popullsie mund ta fitojë partia konservatore në pushtet „Bashkësia demokrate Kroate” (HDZ), e pasuar me pak diferencë prej koalicionit nën drejtimin e socialdemokratëve ‘Restart’ dhe nacional-populistëve „Lëvizja për atdheun”, thotë Marko Matijevic nga portali rinor srednja.hr.