Me optimizëm e ka parë lidershipi në Kosovë marrjen e udhëheqjes së presidencës së Këshillit të BE-së nga Gjermania. Ata shpresojnë në një ndikim më të madh gjerman në çështjen e liberalizimit të vizave.

Në ndërtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme krahas flamurit të BE-së është vendosur edhe ai i Gjermanisë. Pos faktorit politik edhe analisti Demush Shashaj flet me optimizëm duke thënë gjasat janë reale që gjatë kësaj kohe të përfundoj procesi i liberalizimit të vizave.

“Gjermania veç është deklaruar pro liberalizimit të vizave për Kosovën dhe e dyta Gjermania është vend më i fuqishëm i BE-së dhe në kuadër të kapacitetit të saj si kryesuese e BE-së do të ketë mundësi të bollshme për të ndikuar në përshpejtimin e vendimmarrjes së liberalizimit të vizave për Kosovën”.

Ai ka këshilluar liderishipin në Kosovë të ofrojë dëshmi të bollshme për progres në fushën e sundimit të ligjit dhe në veçanti luftës kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Ai ka përmendur gjithashtu vazhdimin e dialogut dhe funksionimin e gjykatës Speciale.

Udhëheqja e Gjermanisë me presidencën e BE-së vjen në kohën kur Europa po përballet me krizë shëndetësore dhe ekonomike për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi.