Legjenda e hip-hopit Jay Z, ka vendosur të anulojë festivalin që do të mbahej nga 5 deri 6 shtator në Philadephia të SHBA-së, për shkak të krizës me COVID-19 në këtë shtet.
Këngëtari i hitit “99 problems” në vend të kësaj është duke i inkurajuar të gjithë që të përqendrohen në luftën për barazi racore pas protestave Black Lives Matter, shkruan revista Female First.
Ky festival ekstravagant, i cili vitet e kaluara paraqiti artistë si Nicki Minaj, Kendick Lamar, Rihanna, dhe Beyonce, do të kthehet vitin e ardhshëm.
Në një deklaratë, shtëpia diskografike e Jay Z, Roc Nation tha: “Viti 2020 është si asnjë vit tjetër. Jemi në një periudhë të rëndësishme në historinë tonë. Së bashku, jemi duke i luftuar disa pandemi, COVID-19, racizmin sistematik, dhe dhunën policore. Tani është koha të mbrojmë artistët tonë, fansat, familjet dhe komunitetin, dhe të përqendrohemi në përkrahjen për organizatat dhe individët të cilët po luftojnë për barazi dhe drejtësi në shtetin tonë. Andaj, Festivali Made in America do të anulohet deri në vitin e ardhshëm”, transmeton KOHA.
Ata të cilët tashmë i kanë blerë biletat do të mund t’i përdorin për festivalin e vitit të ardhshëm.