Kur përgatisni receta të cilat kërkojnë skuqje, ka disa sekrete të cilat duhet t’i dini për një gatim sa më të shëndetshëm.

Nga vaji i duhur e deri tek temperature e saktë e vajit, të gjitha këto truke janë të rëndësishme në skuqjen e gjithçkaje.

AgroWeb.org është këtu për t’ju ndihmuar duke ju treguar të gjitha metodat e duhura.

Skuqja me temperaturë shumë të lartë

Kur duam të përgatisim petulla, ndodh që temperatura e vajit është shumë e lartë dhe brumi skuqet shumë shpejt jashtë ndërkohë që brenda mbetet i pabërë.

Dhe kështu i gjithë mundi duket sikur ka shkuar më kot.

Ajo që duhet të bëni është që të hidhni shumë pak brumë dhe të shihni sa shpejt skuqet.

Diçka tjetër që duhet të tregoni kujdes, por dhe që ju tregon e zjarri është shumë i lartë, është kur vaji fillon të lëshojë avuj.

Këto avuj nuk janë asgjë tjetër përveçse një lajmërim që vaji ka filluar të digjet.

Nëse diçka e tillë ndodh, AgroWeb.org ju sugjeron që ta ndërroni vajin dhe ta nisni nga e para.

Vaji ka temperaturë të ulët

Kini kujdes që temperature e vajit të jetë e duhura, pasi edhe kur ajo është më e ulët ushqimet nuk dalin ashtu siç duhet.

Mund t’ju ketë ndodhur që provoni të përgatisni vezë të skuqur dhe ajo ju ka kërkuar më shumë kohë se zakonisht.

Kjo ndodh pasi vaji ka qenë në temperaturë më të ulët.

Gjithçka që duhet të bëni është të tregoni pak më shumë durim, ose të ngrini lehtë flakën e zjarrit.

Po përdorni vajin e gabuar

Vaji i ullirit për të gjitha vlerat shëndetësore që ka, nuk është i duhuri për skuqje.

Gjithçka lidhet me faktin që ai ka një temperaturë të ulët djegieje.

Vajrat si ai i lule diellit apo i misrit janë më të përshtatshëm për recetat që kanë nevojë për skuqje.

Jeni duke skuqur shumë gjëra njëherësh

Sekreti i skuqjes së mirë, është që të mos vendosni shumë produkte në tigan. Mund t’ju ketë ndodhur me patatet, kur keni hedhur më shumë seç mban tigani për t’i bërë më shpejtë.

Por çdo gjë ka nevojë për hapësirën e duhur për t’u përgatitur siç duhet. Prandaj më mirë që të hidhni pak e nga pak, sesa të përfundoni me receta të gatuara keq.

I keni prerë perimet apo mishin në copa të mëdha

Ka një arsye përse recetat bëjnë një diferencim mes prerjes, grirjes apo bluarjes.

Madhësia e perimeve dhe mishit që hidhni në tigan për t’i skuqur është diçka shumë e rëndësishme.

Nëse i prisni në copa të vogla, ju do të shkurtoni kohën e përgatitjes dhe perimet apo mishi do të skuqen plotësisht.

Nuk i kombinoni me miell apo bukë të thekur

Nëse doni që recetat tuaja të jenë të shëndetshme, AgroWeb.org ju këshillon që të përdorni miell apo bukë të thekur të thërrmuar.

Nëse keni perime si patëllxhanët apo kungujt para se t’i skuqni thajini me letër kuzhine që t’i largoni ujin e tepërt.

Më pas spërkatini me pak miell dhe vazhdoni me skuqjen. Do të shihni që perimet nuk do të thithin aq shumë vaj si më parë.

Ndërsa kur keni për të përgatitur bukë me vezë apo mish pule, përdorni bukë të thekur të thërrmuar.

Po përdorni vaj të vjetër

Nëse më parë e keni ruajtur vajin pasi keni skuqur patatet, specat apo petullat, me mendimin se do ju duhet përsëri, tanimë mos e bëni më.

Kur ju përdorni vaj, me të cilin keni skuqur më parë, ushqimet tuaja do të dalin më të yndryshme dhe aspak të shëndetshme.

Shija do të prishet dhe mund të rrezikoni edhe që vaji të digjet.

Prandaj AgroËeb.org ju sugjeron që sa herë që ju duhet të skuqni përdorni gjithnjë vaj të ri.