Ballina Sport Ja cilat janë dy mbrojtjet më të mira në Europë

Ja cilat janë dy mbrojtjet më të mira në Europë

 

Sezoni aktual ka hyrë në fazën e tij të fundit dhe tashmë është koha për bilancet e e para në skenën europiane. Ndër mbrojtjet më të mira të ligave kryesore, dy skuadra dallohen mbi të gjitha: ajo e Liverpool dhe Real Madridit. Në një farë mënyre kjo është diçka befasuese, e pabesueshme, por e vërtetë; duke pasur parasysh prirjen e fortë të dy trajnerëve respektivë, Klopp dhe Zidane, por edhe të skuadrave të tyre, për futboll sulmues. Nga njëra anë “Reds”, kampionët e freskët të Anglisë, nga ana tjetër “Los Blancos”, që udhëheqin renditjen e La Liga-s.

Skuadra nga “Anfield” ka pësuar 21 gola deri më tani, në 31 ndeshje të luajtura. Një “rekord” që vjen nga “shartimet” e rëndësishme të bëra nga klubi dhe trajneri gjerman në repartin e pasmë. Mbi të gjitha është meritë e një Van Dijk të pakalueshëm, por edhe e portierit Alisson, sot në mesin e më të mirëve në botë, në rolin e tij.

Edhe më mirë është mbrojtur Real Madridi, i cili ka pësuar 21 gola në 32 ndeshje (një ndeshje më shumë se Liverpool), duke e pozicionuar veten në krye të klasifikimit aktual, me shanse reale për titull. Kjo është një risi për merenguesit, të cilët, në historinë e tyre i kanë “flijuar” përherë taktikat në emër të shfaqjes dhe futbollit sulmues.

Pas tyre vjen PSG në këtë drejtim, duke kompletuar podiumin e mbrojtjeve më të mira në kontinent. Skuadra e Tuchel e përfundoi kampionatin e vet me 24 gola të pësuar në 27 ndeshje. Edhe bardhezinjtë e Juventusit kanë pësuar 24 gola në 28 ndeshje (një më shumë se kampionët e Francës).