Ne ish-ushtarët e Batalionit “Atlantiku”, formacion i UÇK-së me shqiptaro-amerikanë që ju bashkangjitën luftës për çlirimin e Kosovës nga represioni, masakrimi dhe okupimi gati 100 vjeçar serb, përmes kësaj deklarate shprehim indinjatën më të thellë me luftën speciale të Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër UÇK-së, Presidentit Hashim Thaçi, Kryetarit të PDK-së Kadri Veseli dhe direkt kundër shtetit të Kosovës.

Në SHBA veprimi i paprecedent i një prokurororie të vendosë nën presion palën që planifikon ta akuzojë duke sulmuar publikisht të akuzuarit potencialë pa u konfirmuar aktakuza nga Gjykata paraqet një shkelje të rëndë të drejtësisë dhe Gjykata mund të dënojë prokurorët e saj me masa drastike si mbyllja e rastit e deri te masat ndëshkuese profesionale të prokurorëve të tillë.

Në Kosovë agresori ka qenë Serbia. Serbia ka qenë ajo që ka okupuar territorin e Kosovës dhe ka kryer krime të tmerrshme: duke vrarë mbi 1000 fëmijë shqiptarë; duke djegur me qindra kufoma shqiptarësh, pleq e plaka, të ekzekutuar në gjakftohtësi, në total mbi 12 000 shqiptarë të vrarë; duke dhunuar mijëra gra dhe vajza shqiptare; duke djegur, plaçkitur dhe shkaktuar dëme materiale mbi 50 miliardë euro për popullin e Kosovës dhe duke dëbuar rreth 1 milion shqiptarë nga toka dhe shtëpitë e tyre. Këto krime kundër njerëzimit kanë detyruar UÇK-në të kapë armët në dorë për të mbrojtur dhe çliruar Kosovën dhe kanë detyruar Amerikën, NATO-n dhe mbi 20 shtete demokratike të botës t’i bashkangjiten UÇK-së si aleatë duke bombarduar Serbinë millosheviqiane deri në gjunjëzim dhe dorëzim.

Bashkëluftëtarët tonë– Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe kushdo që targetohet me qëllime tjera nga drejtësia, tashmë po shihet qartë, nga kjo Gjykatë Politike Speciale, kanë bërë luftë mbrojtëse dhe kanë qenë aleatë të botës euro-atlantike dhe NATO-s. Si NATO, edhe ne kemi bërë luftë çlirimtare nga millosheviqizmi dhe kundër bandave dhe ushtrisë serbe.

Ne, ish-ushtarët e Batalionit “Atlantiku”, veprimin skandaloz të Prokurorisë Speciale në Hagë për tentim linçimi kundër Thaçit dhe Veselit, pa e lënë Gjykatën të jetë instanca neutrale të marrë vendim për pranimin apo mospranimin e rastit, e shohim si delegjitimim të Gjykatës Speciale. Kjo Prokurori me tentimin e saj për linçim politik dhe, me praragjykimin e saj, edhe për linçim juridik të Thaçit dhe Veselit në opinionin publik, ka humbur besimin në profesionalitetin e saj minimal dhe bazën juridike të rastit.

Ne jemi të bindur tashmë që Gjykata Speciale është nën influencën e armiqve të Kosovës. Ne kategorikisht refuzojmë linçimet dhe tentim-barazimin e agresorit me mbrojtësin. Jemi krenar për luftën fisnike dhe sakrificat e popullit shqiptar në Kosovë dhe të bashkëluftëutarëve të UÇK-së.
Shoqata “Atlantiku”, ish luftëtarët e Batalionit “Atlantiku”, SHBA
 
29 qershor, 2020 Nju Jork, SHBA