Ditën e mërkurë, më 24 qer shor (2020), zyra e Prokurorit Special në Prishtinë për Krimet e Luftës dhe Krimet kundër Njerëzimit njoftoi opinionin publik se ka ngritur një akuzë kundër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kundër kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. Po këtë ditë, zoti Thaçi ishte tashmë në udhëtim drejt Uashingtonit si kryesues i delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në bisedimet me Serbinë, që duhej të zhvilloheshin më 27 qershor, nën kujdestarinë e Shtëpisë së Bardhë. Sipas të gjitha paralajmërimeve, nuk do të ishte një seancë e radhës në dialogun tashmë rutinor dhe pothuaj shterp Prishtinë – Beograd. Presidenti Thaçi, natyrshëm, ndërpreu menjëherë udhëtimin për t’u kthyer në shtëpi. E kundërta do ta kishte vënë në një pozitë shumë të vështirë, joserioze për të personalisht dhe me pasoja për vetë rezultatin e bisedimeve. Ambasadori Grenell, me mandat nga Presidenti Trump për të nxitur dhe mirëpritur këto bisedime, shkroi sakaq në “Twitter” se e mirëkupton vendimin e Presidentit kosovar. Kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, edhe ai në udhëtim drejt Uashingtonit, njoftoi pak më vonë nëpërmjet rrjeteve sociale se ai gjithashtu kthehej mbrapsht. Në vlerësimin tim, do të kishte qenë më e udhës që ai të paraqitej në bisedime në orën e caktuar më 27 qershor. Do të ishte një konfirmim i besimit, që shteti i Kosovës do të ketë edhe në vazhdim në rolin e SHBA për zgjidhjen përfundimtare të nyjës KosovëSerbi. Asgjë më shumë. Për shkak të legjitimitetit të cenuar të delegacionit kosovar, substanca e problemeve nuk do të prekej dot gjatë këtij takimi. Por edhe kaq ka dobinë e vet. Shpresoja që Kryeministri Hoti, pavarësisht mungesës së përvojës, do ta mbante parasysh një element të tillë.

Juristët e shumtë nga Prishtina dhe Tirana, të cilët kanë folur deri tani, pajtohen në pikën se Prokurori Special nuk e kishte të drejtën ligjore për ta publikuar këtë lajm për sa kohë aktakuza nuk ishte pranuar nga Gjykata. Zyra e Prokurorit në fjalë, në njoftimin e rastit për shtyp, jep si arsye të këtij nxitimi përpjekjet e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për të penguar punën e Dhomës së Posaçme për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe Krimeve kundër Njerëzimit në Kosovë. Kush e njeh ligjin, mbi të cilin u ngrit kjo Gjykatë në vitin 2015, e ka të vështirë ta besojë një argument të tillë. Përtej dëshirës së Hashim Thaçit, qoftë ky edhe President i Republikës, ky ligj me fuqi kushtetuese nuk le asnjë hapësirë obstruksioni nga faktorë brenda Kosovës kundër strukturave të kësaj Gjykate. Por edhe sikur fjala e Prokurorit të jetë plotësisht e vërtetë, përsëri nuk e përligj këtë që ndodhi. Rruga për të mbrojtur integritetin e drejtësisë nuk është shantazhi mbi të dyshuarit. Sepse unë, të them të drejtën, nuk e shoh ndryshe, përveç si shantazh të pastër. Por nuk e shoh se çfarë rezultati parimor pret prokurori në fjalë nga ky shantazh. Aq më tepër që aktakuza gjendet zyrtarisht prej dy muajsh në duart e gjyqtarit, i cili do të bëjë vlerësimin e saj dhe do të marrë vendimin për ta mbajtur apo për ta rrëzuar. Gjithsesi, sundimi i ligjit i jep këtij prokurori të tjera instrumente, pa ngjashmëri me shantazhin, por krejt të mjaftueshme për të përmbushur misionin e tij.

Unë po them gjëra të thjeshta, me pasoja lehtësisht të parashikueshme, të cilat janë në bisedat e shumicës së shqiptarëve qysh dje e që prokurori në fjalë me siguri që i ka ditur shumë mirë. Kjo, përtej shkeljeve ligjore nga ana e tij, për të cilat flasin juristët. Më duket se kështu përjashtohet çdo mundësi që publikimi i lajmit pikërisht më 24 qershor, vetëm tri ditë para samitit të shumëpritur Serbi–Kosovë në Uashington, të jetë një rastësi. Krijimi i Gjykatës Speciale për Krimet e Luftës dhe Krimet kundër Njerëzimit në Kosovë është në themel një projekt dhe vepër e diplomacisë së vendeve euroatlantike, pa të cilat ky vend nuk do të kishte çlirimin dhe as pavarësinë. Të gjithë e mbajmë mend me sa vështirësi u bind pesë vjet më parë Parlamenti i Kosovës për të votuar ligjin përkatës. Rrjedhimisht, kjo Gjykatë, përveç bërjes së natyrshme të drejtësisë, doemos që kishte edhe një qëllim të nënkuptuar politik, moral dhe diplomatik: qetësimin e krenarisë së lënduar të kombit serb, i cili kishte parë t’i dënoheshin nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi disa nga protagonistët kryesorë të historisë së vet, përfshirë ish-Presidentë e ish-Kryeministra. Bashkësia ndërkombëtare synonte t’i jepte kështu kombit serb provën e trajtimit të barabartë që u bënte të dyja palëve dje, ndërluftuese tashmë që ishte vendosur paqja. Përmendja e këtyre fakteve në këtë rast nuk është histori.

Po kjo diplomaci euroatlantike është e përfshirë prej afro një dekade në një përpjekje të pareshtur për të nxitur dhe lehtësuar dialogun Prishtinë – Beograd në perspektivën e normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve. Pjesë e këtyre përpjekjeve, madje një kulm i ri, do të ishte samiti i pritshëm më 27 qershor në Uashington. Nuk them se ngritja e një aktakuze kundër Presidentit të Kosovës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, qoftë edhe duke supozuar se gjykatësi i caktuar do ta miratojë atë brenda afateve ligjore për t’i çelur rrugën procedimit të mëtejshëm gjyqësor, do të shënojë mbylljen e perspektivës së dialogut. Jo. Normalizimi i marrëdhënieve vetëm përmes dialogut dhe negociatave mbetet me rëndësi jetike si për të ardhmen europiane të Kosovës, ashtu edhe atë të Serbisë si dy vende sovrane fqinje. Por, fakt është se veprimi i fundit i prokurorit në fjalë i ka dhënë një goditje të rëndë kalendarit të këtij procesi. Do të kemi një ngadalësim dhe një ngërç të pashmangshëm, i cili nuk dihet sa do të zgjasë. Vazhdoj të jem i bindur se Kryeministri Hoti duhej ta vazhdonte rrugën për në Uashington. Pavarësisht arsyeve serioze që ka vendimi i tij për anulimin, në memorie do të mbetet që shkak për dështimin e samitit të parashikuar u bë mungesa në tryezë e delegacionit kosovar. Ky, sigurisht, që është një dështim i hidhur i diplomacisë së Shtëpisë së Bardhë në përfshirjen e saj të parë si kujdestare e një procesi me rëndësi të madhe për paqen, stabilitetin dhe demokracinë në krejt Europën Juglindore.

Pyetja ime, për të cilën nuk kam përgjigje logjike, është: përse ky prokuror ndërmerr veprime të tilla, pa asnjë dobi reale në bërjen e drejtësisë, por që mirëfilli sabotojnë përpjekjet e diplomacisë euroatlantike e posaçërisht asaj amerikane për ta lehtësuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë–Serbi? Një diplomat amerikan me përvojë shumë më të pasur se unë, William Montgomery, ish-ambasador i vendit të tij në Beograd, ka dhënë për agjencinë e lajmeve “Tanjug” përgjigjen e vet. Sipas tij, kjo që ndodhi tregon për thellimin e hendekut mes SHBA dhe BE. Më tej, ambasadori Montgomery e pranon se është rrëzuar nisma e Grenell e shprehet se “pozicionet e kundërta të SHBA dhe BE garantojnë se nuk do të gjendet zgjidhje për problemin e Kosovës në një të ardhme të afërt”. Pra, thënë troç, ne pamë një shembull të përdorimit të prokurorit për një qëllim pa asnjë lidhje me drejtësinë. Mbetet për t’u sqaruar kush ishte porositësi.

Nuk ka shumë rëndësi nëse klasa politike e Kosovës e sheh si pesimiste apo realiste prognozën e ambasadorit Montgomery lidhur me të ardhmen e afërt të normalizimit të marrëdhënieve Serbi – Kosovë? Kujt i shërben zgjatja e kësaj gjendjeje? Politikani i njohur serb nga Vojvodina, Nenad Çanak, jep me këtë rast një shpjegim që meriton vëmendje. Ai thotë se kjo krizë lidhur me Kosovën bllokon çfarëdo procesi të demokratizimit të Serbisë dhe se “zgjidhja ka për të qenë ose e imponuar ose nuk do të ketë fare. Të presësh të merren vesh ata, të cilët jetojnë gjatë gjithë këtyre viteve në sajë të mosmarrëveshjes, unë thellësisht nuk e besoj”. Gjithsesi, klasa politike e Kosovës duhet të tregojë në mënyrë bindëse dhe në vazhdimësi se nuk jeton “në sajë të mosmarrëveshjes” me Serbinë. Për sa i përket dialogut dhe negociatave me Serbinë, shpresoj se ajo do të nxjerrë mësimet e nevojshme nga gabimi me pasoja, që bëri Albin Kurti si Kryeministër, duke u dorëzuar plotësisht tek europianët përkundër amerikanëve apo Hashim Thaçi me të kundërtën, duke përjashtuar europianët për ta lënë fatin e zgjidhjes vetëm në dorë të amerikanëve./Panorama.com.al