Të rinjtë në Shtetet e Bashkuara kur votojnë janë më pak të lidhur me një parti të caktuar dhe zgjedhin në bazë të politikave që përfaqëson kandidati për çështje që ata i konsiderojnë të rëndësishme. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Esha Sarai njofton se sipas anketave, për votuesit amerikanë nën 30 vjeç, temat më të rëndësishme janë ndryshimet klimatike, kujdesi shëndetësor, borxhet studentore dhe drejtësia sociale.
Amerikanët nën 30 vjeç janë grupi votues më i larmishëm se çdo grupmoshë tjetër sot në Shtetet e Bashkuara.
“Temat që shqetësojnë të rinjtë amerikanë dallojnë dukshëm në varësi të racës. Shohim tema si kujdesi shëndetësor që shpesh del në krye, por ka edhe tema të tjera që përbëjnë shqetësim për të rinjtë,” thotë Abby Kiesa, drejtoreshë e organizatës “Impact CIRCLE”.
“Pabarazia sociale është shumë e rëndësishme për mua”.
“Politikat për të luftuar ndryshimet klimatike. Dua politika ambjentaliste nga tregu”.
“Ka një numër temash të rëndësishme për të rinjtë, por kriza në kujdesin shëndetësor është parësore për votuesit e ri,” thotë Jesse Barba me organizatën “Young Invincibles”.
Të rinjtë duan më shumë qasje në kujdes shëndetësor cilësor.
35% e votuesve në moshë të re thonë se janë të pavarur. Të rinjtë votojnë për temat dhe jo për përkatësinë partiake në përqindje më të lartë se brezat e mëparshëm.
“Duan kosto të përballueshme për studimet universitare. Duan uljen e borxhit studentor, këto janë tema që prej 10 vjetësh kanë shqetësuar të rinjtë. Borxhi studentor ka arritur në 1.7 trilionë dollarë. Ky është shqetësim i madh për të rinjtë pasi duan të fillojnë jetën por i pengon kjo barrë e borxhit,” thotë Jesse Barba.
“Problem mbetet pabarazia, vështirësia për të ecur në shoqëri për shumë njerëz. Mendoj se vendi ynë nuk po bën një punë të mirë për ta trajtuar këtë problem”.
“Të rinjtë diskutojnë edhe me bashkëmoshatarët, gjithashtu ata angazhohen në fushatat zgjedhore, flasin me prindërit, me të afërmit, shpjegojnë këndvështrimin e tyre për probleme të ndryshme dhe mënyrën si janë mbuluar temat nga media,” thotë Abby Keisa.
Ekspertët thonë se politikanët duhet të mendojnë se si t’u përgjigjen shqetësimeve të këtyre të rinjve dhe si të tërheqin votën e tyre.