Është bërë përurimi i renovimit të Repartit  të Gjinekologjisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare të Istogut, ku ishin të pranishëm, pos kryetarit të Komunës Haki Rugova, edhe ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj dhe Ambasadori i Turqisë  në Kosovë, Cagri Sakar. Kështu ka bërë të ditur Zyra për Informim e Komunës së Istogut, përmes zyrtares, Fjollë Berisha, në komunikatën e lëshuar për media. Sipas kësaj komunikate, kryetari Haki Rugova, pasi ka falënderuar Ambasadorin Sakar dhe ministrin  Zemaj, ka thënë se nuk ishte hera e parë që shteti i Turqisë që ndihmon komunën e Istogut, pasi që ka pasur edhe projekte të tjera që janë realizuar në Istog. Rugova ka kërkuar  që të vazhdohet me bashkëpunime tjera, në realizim të projekteve që do ndikojnë në zhvillimin e Istogut.

Sikurse Rugova, ashtu edhe Ambasadori Sakar, ka shprehë falënderime për bashkëpunimin e mirë që kishin me Istogun, duke shprehë se është i interesuar që sa më shumë me sjell projekte në Istog, projekte në fusha të ndryshme.

Ndërkaq, ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka përgëzuar kryetarin Rugova për punën dhe angazhimin në luftim të pandemisë, duke e cilësuar si njëra ndër komunat më të suksesshme për menaxhimin e kësaj pandemie. Zemaj, ka thënë se Ministria e Shëndetësisë është duke i koordinuar të gjitha donacionet që vijnë, të cilat janë investime direkte në përmirësimin e jetës së qytetarëve, sidomos në shërbime shëndetësore. Zemaj ka falënderuar ambasadorin Sakar, që është përkujdesur që kjo klinikë e vogël por  e domosdoshme, të ju shërbej nënave dhe motrave tona në Istog, për të kryer shërbime për ruajtën e shëndetit, e që Ministria të cilën e udhëheq do jetë në përkrahje të plotë të këtyre angazhimeve.