Pandemia i ka detyruar demokratët në SHBA të ndërmarrin hapin historik të zhvillimit të kuvendit të tyre partiak përmes platformës dixhitale.

Komiteti për Kuvendin Demokratik Kombëtar njoftoi të mërkurën vendimin, duke thënë se delegacionet shtetërore nuk do të mblidhen në Miuaki. Megjithatë, ky qytet organizator do të shërbejë si qendra e transmetimeve të drejtpërdrejta për katër ditët e kuvendit. Por do të ketë edhe aktivitete të tjera nga qytete dhe objekte të ndryshme në vend.

Menaxherja e fushatës së ish-nënpresidentit Joe Biden, Jen O’Malley Dillon, tha se zoti Biden u përmbahet planeve që “të pranojë me krenari nga Miuaki emërimin e parties së tij si kandidati demokrat në zgjedhje”.

Pjesa më e madhe e punës që zakonisht kërkon grumbullimin e zyrtarëve partiakë nga çdo cep i vendit, këtë radhë do të zhvillohet si sesione pune përmes lidhjes online.

Duke qenë se aktiviteti nuk do të shoqërohet me grumbullimin e turmave entuziaste në një mjedis, duke brohoritur dhe duke ndjekur fjalimet, organizatorët kanë vendosur ta zhvendosin kuvendin nga pallati i sportit ku luan ekipi i basketbollit, Milwaukee Bucks. Tani aktiviteti do të zhvillohet në qendrën e kuvendeve të Miuakit.

“Komiteti për organizimin e kuvendit ritheksoi angazhimin e Partisë Demokrate për të zhvilluar një kuvend që mbron shëndetin publik dhe njëkohësisht shndërron përvojën e kuvendit për delegatët dhe shikuesit,” tha komiteti përmes një deklarate.

Kryetari i Komitetit Kombëtar Demokratik, Tom Perez tha se partia “po dëgjon ekspertët e shëndetit dhe po modifikon planet”.

“Ndryshe nga ky president, Joe Biden dhe demokratët janë të përkushtuar të mbrojnë shëndetin dhe sigurinë e amerikanëve,” tha ai.

Demokratët fillimisht shtynë datën e kuvendit nga dita e planifikuar në korrik për datën aktuale 17-20 gusht.

Republikanët do ta zhvillojnë kuvendin e tyre në dy pjesë: puna proceduriale do të zhvillohet më 21-24 gusht në Sharlot të Karolinës së Veriut. Ky qytet ishte parashikuar fillimisht të organizonte kuvendin e përgjithshëm, por si rezultat i shqetësimeve për koronavirusin, Guvernatori Roy Cooper nuk pranoi t’u jepte republikanëve garanci se mund të zhvillonin një grumbullim në masë me mijëra pjesëmarrës.

Pas rishikimit të planeve, Presidenti Trump do ta pranojë emërimin e partisë së tij gjatë aktiviteteve të zhvilluara më 25-27 gusht në Xheksonvill të Floridas.

Kuvendet e kësaj radhe, me aktivitete tashmë të kufizuara janë në dallim të dukshëm me traditën e krijuar gjatë shekujve për tubime masive e të bujshme.

Zgjedhjet presidenciale amerikane do të zhvillohen më 3 nëntor.