Muharrem Kurti: “Kufiri i Gjakut”, roman, SHB ”Bogdani” Bruksel-Prishtinë, 2020.
Letërsia shqipe përditë e më shumë po pasurohet me emra të rinj në të gjitha gjinitë letrare. Njëri ndër autorët më të spikatur që po bën bujë në letrat tona shqipe viteve te fundit, është padyshim, emri i Muharrem Kurtit,i cili me punën e tij të palodhshme, ka përvetësuar lexuesin, dashamirët e artit letrar në gjitha hapësirat shqiptare e jo vetëm. Një krijues i mirëfilltë në poezi e prozë.
Pas sukseseve të njëpasnjëshme në prozën e gjatë, me romanet “Data njëmbëdhjetë,” ”Qëndresa e bardhë” dhe “Jeta e rrënojave”, këto ditë para lexuesve ,doli me romanin më të ri ”Kufiri i gjakut”, një roman i karakterit historiko-estetik, me një tematikë të patrajtuar deri me tani nga askush në prozën tonë.
Kësaj tematike, zoti Kurti i qaset me një përkushtim të thellë ndjenjash dhe emocionesh personale ,duke përjetuar momente dramatike si person, por duke personifikuar gjithë shtresën shqiptare, e cila e përjetoi në palcë të ashtit gjithë dramën e paparë të ndarjes së kufirit ,copëtimin e trojeve shqiptare, që nga viti 1913-të, nga interesat e fuqive të mëdha të Evropës. Këtij copëtimi ja vunë kufijtë, gurtë-piramida, në vitin 1948-tën,atëbotë, kur mes veti ndan përgjithmonë babë e birë, motër e vëlla ,kushërinj e gjithë farefisin e gjerë.
Në romanin më të ri të Kurtit, që në fillim ndeshim përshkrimin prekës të kësaj ndarje, si emocion e përjetim që ndizet në vetvete si gacë e mbuluar me hi. Dukjen e parë të kufirit, zoti Kurti e përshkruan me pamjen e atyre kodrave, me kurrizet e tyre, “si copëra qefinësh që zgërdhiheshin kobshëm, piramidat”. ..
Vjen një ndjenjë prekëse e cila sillet vërdallë,në zemrat e shpirtin e të gjithë shqiptarëve nga dy anët e atij “kufirit”, e cila asokohë mbolli vetëm kob, mjerim, mall e gjak për afër gjysmë shekulli.
-Ideologjitë e kohës komuniste, si manipulim i masës së gjerë të popullatës shqiptare.
Në qarqet zyrtare të ideologjive të dy vendeve, Shqipërisë e Jugosllavisë, zyrtarët kishin marrë veprime nga më të ndryshmet për ta bindur popullin se “këto vende nuk kanë asgjë të përbashkët mes veti”, duke ndërmarrë edhe masa ligjore tejet të ashpra për kalime ilegale, më parashikime drastike te denimeve ligjore. E gjitha kjo bëhej me qëllimin e vetëm, të fshirjes nga truri të çështjes kombëtare nga shqiptarët dhe të disiplinoheshin nga masat represive shtetërore. Duke kaluar koha, shtohej malli dhe vuajtja ,deri në atë masë sa që prindërit e djegur malli, flisnin me vete ,si Col Gjoni me motre e tij, Rinën, martuar në fshatin Fortesë të Kosovës. Duke i pikur lotët, Gjoni i fliste motrës, sikur të ishte e gjallë pranë tij:” të njoftoj moj Rina se nëna vdiq me sy të hapur për ty, pa e parë Rinën edhe njëherë”…
Vlen për ta theksuar se Kurti motivin e tragjikes në veprën e tij e ka përshkruar me një realitet tejet prekës, por në fakt ,qëndron si realitet i kohës, për të cilin jemi të gjithë dëshmitarë,përjetues të asaj drame të madhe e të gjatë. Ndikimet ideologjike së bashku me represionin ligjor dhe shtetëror, si dhe njerëzit servil të pushtetit të futur në gjitha meset e popullatës, ndikuan dukshëm në masën e popullit,por kurrë nuk arritën ta ftohin zjarrin e mallit për njëri tjetrin.
Si kudo që kishte njerëz servil, një punë (argat) të tillë e bënte edhe Cub Gjoni ,kushëri i Col Gjonit ,i cili spiunonte gjithë njerëzit e terrenit, që në një mënyrë mbanin lidhje me Kosovën dhe kosovarët, në çfarëdo aspekti ,miqësie apo farefisnie. Me veprimet e tij të ndyra, ishin dënuar njerëz me varje para masës fshatare për të krijuar tmerrin ndaj atyre që mbanin lidhje këndej kufirit.
E njëjta gjë bëhej dhe në Kosovë, ku ushtria Jugosllave vriste në kufi grupe shqiptarësh ,duke i quajtur dezertorë dhe grupe armiqësore e terroriste e çka jo tjetër. Kishte servilë të pushtetit edhe në Kosovë, që kishin hedhur në prita grupe njerëzish atdhetarë, si mësues të devotshëm e njerëz të arsimuar.
Autori i romanit “Kufiri i gjakut”, z. Muharrem Kurti ,me një ndjesi zemre e mjeshtëri pende, ka arritur qëllimin që gjithë aspektin historik dhe dramën shqiptare me pasojat e ndarjes nga trungu shqiptar ,ta shtrojë jo vetëm si një problem mes shqiptarëve,por edhe si një pengesë historike shqiptare për ecjen e drejtë e të përbashkët në rrugën e civilizimit evropian. Në këtë kontest , Kurti shtron një pyetje të skajshme filozofike, po aq edhe logjike, duke pyetur letrarisht:
” A jeton dot një trup me predha në gjymtyrë?!
-Dhe JO!- përgjigjet vet…”
Pastaj shpirti ia nxjerr si alternativë mendimin psikologjik, ndoshta edhe si tezë se:
” Sa lehtë qenka me vdek për liri!….”
Në këtë vazhdë mendimesh vlen të ceket se autori i librit, gjatë jetës së tij ,ka qenë i përfshirë në luftë dhe ngjarje tjera të kufirit, por edhe duke përjetuar mungesën e farefisit nga Shqipëria për afër gjysmë shekulli.Duke trajtuar çështjen e kufirit mes shqiptarëve në prozën e tij ,duke dhënë tablo jete konkrete ,përjetime historike që nuk do harrohen kurrë ndër breza ,autori i romanit, ka formuar llojin trilogjik në prozë ,një gjë që deri tani nuk e kemi hasur shpesh nga autorë të tjerë. Prandaj, nxjerrja para lexuesit dhe para gjeneratash këtë formë proze me tema problematike politike, e bën te veçuar dhe te respektuar autorin e romanit ”Kufiri i gjakut”, Muharrem Kurti.
-Besa dhe besnikëria, vlera te pakontestuara të romanit “Kufiri i gjakut”.
Në letërsinë shqipe besadhe besnikëria e një populli, nuk janë tema të panjohura për opinionin shqiptarë por edhe te huaj. Posaçërisht besa është trajtuar në letërsinë gojore, në epiken popullore, në balada të ndryshme.
Në romanin në vështrim të zotit Kurti,”Kufiri i gjakut”, besa trajtohet si një episod i veçantë, si motiv dhe tablo jete shqiptare, ku pasqyrohen vlerat dhe virtytet njerëzore të një populli të lashtë. Ky episod përmban thuaja se edhe esencën romanore duke spikatur artistiken krahas sakrificës jetësore ,si të barabartë ,si vlerë mes dy të fejuarve ,Zogës nga Babina e Tropojës e Shpendit nga fshati Molliq i Gjakovës, mu në kohën e vitit të mbylljes së kufirit, viti 1948-të. Pas mbylljes së përfundimtare të kufirit,në Babinë të Tropojës,tubohen pleqtë e dy vendeve, (Molliq-Babinë), për prishjen e miqësisë, me shkak mbylljen e kufirit. Në momente dramatike ndërhyn Zoga në odë burrash dhe u thotë pleqve:
” Unë burrë tjetër pos Shpendit nuk marr në jetën time”. Të njëjtën porosi ua kishte dhënë edhe djaloshi, Shpendi nga Molliqi, se “tjetër grua në jetë pos Zogës, nuk marr në jetën time”.
Këto fjalë kulmore të rastit mes miqësisë se dy familjeve ,Zogës e Shpendit ,kishin bërë që miqësia të mos prishet kurrë mes këtyre familjeve. Martesa mes këtyre personaliteve në roman, ka ngjarë realisht, pas 41 vitesh, të cilët janë bashkuar, anise pakës në moshë, por sot e tutje jetojnë në harmoni dhe kanë krijuar familjen solide.
Motoja e krijuesit Muharrem Kurti është krijimi i një letërsie realiste,duke theksuar shpesh se “s’ka gjë më të bukur se realiteti….”
Sikur të thelloheshim sadopak në trajtimin e këtij fenomeni martesor, ku në spikamë vihet besa e një kombi si vlerë historike, por gjithsesi, paraqiten edhe elemente të tjera të traditës, e mbi të gjitha karakteri psikologjik, edukata familjare, durueshmëria për ta përfituar të mirën etj. Mendoj se këto janë karakteristika që duhet vlerësuar, nga se vijnë nga shprehje të një pene të respektuar në letrat shqipe.
-Lufta dhe rihapja e kufirit Shqipëri- Kosovë në fund të shekullit XX-të
Vetëdija kombëtare dhe e atdhedashurisë ,përkundër të represioneve që ndërmerrte qeveria jugosllave ndaj popullatës kosovare ,asnjëherë nuk kishte pushuar së vepruari, duke kërkuar të drejta gjithnjë e më shumë nga ai shtet i sajuar me parullën e “bashkim-vllaznimit të popujve të barabartë”, një parulle demagogjike pushtetit për të mashtruar botën dhe popullin brenda shtetit jugosllav. Nuk kalonin më tepër se dhjetë vite pa u dridhur ish Jugosllavia nga demonstratat e shqiptarëve të Kosovës ,anise ato ,shpesh u shuan me gjakun e rinisë kosovare.
Autori Kurti, me vigjilencën e tij krijuese, më mjeshtri e ndërthur elementin e amanetit amnor ndër gjenerata me qëllimin e mosshuarjes së dashurisë ndaj atdheut. Këtë element e gjejmë në prag të vdekjes së Rinës, bijës së Col Gjonit nga Berisha e Bytyqit, duke i thënë të birit:
” “ Gjekë, më ka thënë nëna ,po t’u dha mundësia shko në vendlindjen time dhe e merr një shishe ,mbushe në kroin tim të rinisë, dhe ma lag varrin. Do dhe’ merre në Berishën time dhe ma vendos nën varrin tim në Fortesë. Mos e lër pa ma krye këtë amanet bir!”
Kjo porosi amnore,nuk është futur në tekstin e romanit si rastësi nga autori Kurti, por si domethënie e veçantë dhe si kushtrim gjeneratash, për të mos lejuar kurrë kufi mes Shqipërisë e Kosovës. Përmes këtyre porosive ,autori Kurti ,ka dashur që përmes mallit dhe amanetit, të mbajë të ndezur çështjen kombëtare ndër breza. Mendoj se këtu edhe kuptohet më së miri ajo plazma shpirtërore e autorit Muharrem Kurti, i cili me talentin krijues ka qëndisur, gërshetuar bukur ,historiken me artistiken, ku mesazhi bëhet i lakmueshëm. edhe për gjeneratat pas nesh.
Romani “Kufiri i gjakut” thurur në konjukturat e lartcekura nga autori tani me përvojë në prozën e gjatë ,përshkruan rihapjen e kufirit mes Shqipërisë e Kosovës, si rezultat i një lufte të fortë e të përgjakshme për lirinë dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Në këtë luftë ,pra në luftën e fundit në Kosovë ,për lirinë e vendit ,autori si realitet kohe, fikson bukur përfshirjen e rinisë Kosovare dhe asaj shqiptare nga Shqipëria ,e cila ishte pjesë e pandashme e lirisë së Kosovës ,duke lënë shumë njerëz jetën në beteja të përgjakshme. Kjo luftë e përbashkët, jep mesazhin e qartë se të gjithë së bashku mbrojmë trojet tona kudo kur e do nevoja, një popull-një atdhe…
Kurti ,duke treguar realen mbi luftën, jep edhe emra të dëshmorëve të rënë bashkërisht për liri, nga Shqipëria dhe Kosova.Marrë në tërësi, romani i Muharrem Kurti ,”Kufiri i gjakut”, ka përmbushur boshësinë e deritanishme nga aspekti i tematikës së lartcekur.Mendoj se ky roman do jetë i mirëpritur, do zgjojë kërshërinë e lexuesit anembanë vendit tonë dhe më gjerë.
Gjakovë, 21qershor, 2020